Nuk arriti t’i fitojë dy trofetë e parë të këtij edicioni, por basketbollisti amerikan, Jalen Tate, është i vendosur që aventurën te skuadra e Pejës ta mbyllë me dy tituj kampioni. Ai synon që fillimisht të shpallet kampion i Ligës Ballkanike dhe pastaj i Kosovës.
Peja dështoi në turnetë e Kupës dhe Superkupës së Kosovës, por është kualifikuar në finale të plejofit të Superligës së Kosovës dhe “Final Four” të BIBL.
Përpara se të mendojë për titullin në basketbollit kosovar, Tate 24-vjeçar është i fokusuar te BIBL. “Final Four” i kësaj lige nis të premten. Peja në gjysmëfinale do të përballet me skuadrën nga Bullgaria, Beroe. Ndeshjen do ta luajë në Stara Zagora të Bullgarisë. Në gjysmëfinalen tjetër do të takohen Hapoel Shaham Beer Sheva dhe Milenijum Kodio.
“Peja nuk ka nevojë ta bindë askënd, pasi dihet shumë mirë që synimi është titulli i kampionit të Kosovës, por edhe ai i Ligës Ballkanike. Jemi shumë afër dhe mund t’ia dalim, por fillimisht fokusin e kemi te BIBL dhe jemi dy fitore larg suksesit të madh”, është shprehur Tate për KOHËN të martën.
“Do të ishte madhështore ta mbylli edicionin me këtë fanellë me dy tituj të fituar, ndonëse kemi mundur të bëjmë më shumë edhe në garat e tjera. Megjithatë në përgjithësi jam i kënaqur me atë që kemi treguar si ekip deri më tani”.
Tate ishte ndër të huajt e parë që iu bashkua Pejës para fillimit të këtij edicioni, ndërsa në stinorin pranveror është stabilizuar në pesëshen e parë të ekipit dhe po tregohet lider i vërtetë. Ai po luan me mesatare prej 15 pikëve, 5 kërcimeve dhe 4 asistimeve për ndeshje dhe premton se do të vazhdojë me paraqitje të tilla edhe në serinë finale të plejofit.
Peja avancoi nga gjysmëfinalja pasi e eliminoi kampionin në fuqi, Golden Eagle Yllin me rezultatin e përgjithshëm 3:1. Është në pritje të kundërshtarit për finale. Kundërshtarin do të mësojë të dielën kur do të zhvillohet ndeshja e pestë mes Sigal Prishtinës dhe Trepçës.
“Ne do të vazhdojmë me këtë ritëm. Kohët e fundit kemi treguar paraqitje të mira dhe kemi arritur në finale ku duhet t’ua dëshmojmë të gjithëve se meritojmë titullin e kampionit. Jam i kënaqur edhe me lojën time, por e rëndësishme për mua është ta ndihmoj ekipin t’i arrijë synimet që i ka. Sezoni nuk ka qenë aspak i lehtë, me ndeshje të forta, pasi liga ka pasur cilësi të mirë”, është shprehur Tate. “E rëndësishme për ne është që kemi pasur përkrahje të fuqishme nga tifozët që gjithmonë kanë besim te ne dhe për këtë arsye duhet t’ua shpërblejmë me sukses”.
Tate pranon se përgjatë këtij edicioni, Peja ka pasur ulje dhe ngritje, por në fazën më të rëndësishme është stabilizuar. Pejanët patën një start të hovshëm nën trajnerin Can Sevim, duke e mbyllur vitin e shkuar në pozitën e parë, por pastaj një rënie e formës bëri që të bëhen ndryshime në skuadër si në lojtarë, ashtu edhe në trajner. U larguan tre lojtarë dhe erdhën tre të tjerë, ndërsa ekipin po e udhëheq trajneri nga Izraeli, Rami Hadar. Nën drejtimin e Hadarit, Peja ka vetëm një humbje në 11 ndeshje të luajtura në Superligën e Kosovës. Punën e trajnerit dhe angazhimin e ekipit e ka përshëndetur edhe Tate (198 cm).
“Në përgjithësi jam i kënaqur edhe me ekipin duke pasur parasysh se ky sezon ka pasur ngritje dhe ulje. Pra, ishte tepër sfidues, por ne ia dolëm ta mbyllim në pozitën e dytë dhe tani po shikojmë drejt ndeshjeve përfundimtare. Po tregojmë lojëra të mira që është shumë mirë për ne, pasi vetëm kështu mund të arrijmë synimet tona”, shtoi Tate.
Tate para se të zbarkojë në Kosovë, karrierë ka bërë edhe në Nikaragua, Meksikë e Gjermani. Pranon se nuk kishte njohuri për basketbollin kosovar, por është befasuar për të mirë me nivelin. Tate tregon se cilësia e Superligës së Kosovës është pothuajse e barabartë me atë të ligave tjera që ka luajtur më parë.
“Nuk kam pasur njohuri por basketbolli është pothuajse i njëjtë sikurse në vendet e tjera. Në ligën e Kosovës ka lojtarë të mirë dhe ekipe të forta, që do të thotë se niveli ishte i lartë sikurse në ligat e tjera ku kam bërë karrierë. Andaj jam i lumtur që kam ardhur te Peja që ishte zgjidhja e duhur, pasi të gjithë më kanë pritur shumë mirë”, u shpreh Tate.
Jalen është vëllai i basketbollistit që luan në NBA, Jae’Sean Tate. Ai paraqitet me skuadrën e Houston Rockets ndërsa edhe babai i tij, Jermaine Tate, ka qenë basketbollist.