Jashar Dema ka bërë ngritje të rëndësishme në karrierë. Por vendimet për të ardhmen thotë se do t’i marrë me shumë kujdes. Sidomos kur bëhet fjalë për të ardhmen e tij në futbollin ndërkombëtar.
Zvicra dëshiron ta mbajë 18-vjeçarin, ndërsa Kosova e Shqipëria po mundohen ta bindin të bëhet pjesë e tyre. Ai po zhvillohet tek Young Boysi, kampioni i Zvicrës.
“Për momentin jam fokusuar në ngritjen time sa më të mirë, në mënyrë që cilëndo kombëtare që përfaqësoj të ndihet krenare me mua”, ka thënë Dema për KOHËN.
Për Zvicrën U18, Dema i ka luajtur dy ndeshje në vitin 2022. Synimi i tij është të bëjë të tjerë hapa para në karrierë. Dema është i lindur në Zvicër
“Dua të luaj në klube të mëdha dhe të fitoj tituj e po ashtu edhe çmime individuale”, ka thënë mesfushori. “Për momentin kam kontratë me ekipin U21 të Young Boysit, por do të jap gjithçka për të arritur në ekipin e parë. Jam duke dhënë maksimumin çdo ditë në stërvitje dhe në ndeshje për të treguar vlerat e mia”.
Karriera e Jashar Demës duket se është në rrugën e duhur. Ai së fundi u paraqit për ekipin e parë të kampionit të Zvicrës. Shënoi gol në miqësoren e ditëve më parë kundër Sionit.
Dema është paraqitur në disa miqësore për Young Boysin edhe në verë. Prindërit i ka nga Kaçaniku. Vëllai i tij i vogël Besari luan për ekipin U16 të Young Boysit.
Jashar Dema këtë edicion i ka luajtur 24 ndeshje. I ka 17 paraqitje për ekipin U21 të Young Boysit në kategorinë e tretë zvicerane. Gjashtë ndeshje i ka në Ligën e UEFA-s për të Rinj dhe një në ligën U19 të Zvicrës. Në Championsin për të rinj dy ndeshje i ka luajtur ndaj Manchester Cityt.
“Përvoja në ‘Youth League’ ishte shumë e mirë për mua, jam krenarë qe kam arritur të luaj. Por tani jam gati edhe për hapin e radhës”, ka theksuar Dema.
Tek Young Boysi, Dema është prej verës së vitit 2021. Më herët ka qenë te skuadra më të vogla në Zvicër.
“Roli im si mesfushor është të jem i gjithanshëm, pra duke luajtur rol kyç, duke fituar topa e po ashtu duke shpërndarë pasime të sakta. Kam për detyrë të ndihmoj edhe mbrojtjen. Disiplina dhe vizioni i lojës janë gjithashtu vendimtare”.
Ai thotë se për model ka ish-mesfushorin e Barcelonës, Sergio Busquetsin. E përmend edhe Rodrin, por pëlqen edhe Jude Bellinghamin dhe Pedrin.
Dema është njëri prej shumë futbollistëve të talentuar shqiptarë që po rriten në klubet zvicerane.
“Me lojtarët shqiptarë që luajnë në Young Boys kam marrëdhënie të mira, ndërkohë që njoh edhe shumë lojtarë shqiptarë, por ngaqë unë jam i ri në moshë, njoh më shumë lojtarët e rinj”, është shprehur ai.
Young Boysi është prej skuadrave kryesore në Zvicër. Prej vitit 2018 i ka fituar pesë tituj të kampionit. Vjet e fitoi edhe Kupën e Zvicrës. Pjesë e kësaj skuadre janë Kastriot Imeri e Donat Rrudhani.