Sport

Lituanezi Urbonas po vjen te Prishtina për titull

Zydrunas Urbonas është i gatshëm për aventurën e re dhe të parën si trajner jashtë kufijve të Lituanisë. Lituanezi gjatë javës së shkuar është zyrtarizuar në krye të Sigal Prishtinës për edicionin 2023/24. Kjo do të jetë hera e parë që Urbonas do të punojë jashtë Lituanisë. Ai në pesë vjetët e fundit ka qenë në krye të ekipit Juventus Utena.

46-vjeçari e ka parasysh sfidën që e pret te Prishtina, ekip që nuk e ka fituar titullin e kampionit prej vitit 2019. Urbonas, në një intervistë për KOHËN, ka insistuar se te Prishtina po vjen për ta kthyer titullin e kampionit, i cili do të ishte edhe i pari për të si trajner. Ai thotë se Prishtina u është përshtatur ambicieve të tij. Zbulon se ka pasur oferta jo vetëm në Lituani, por edhe vende të tjera të Evropës, por asnjëri prej klubeve nuk kishte shfaqur ambicie si Prishtina - ta fitojë titullin.

“Për mua ishte e mundshme të qëndroja në shtëpi dhe të drejtoja një ekip në Lituani. Po ashtu kisha oferta edhe nga klubet e tjera, por asnjëri prej tyre nuk kishin ambicie të mjaftueshme apo mundësi për të luftuar për titullin e kampionit. Te Prishtina e kuptova menjëherë këtë ambicie pas bisedave që i pata me kryetarin Blerand Stavileci, i cili ka dëshirë të madhe ta rikthejë Prishtinën në maje të basketbollit kosovar. Kështu që kjo dëshirë u përputh me ambiciet e mia për të luftuar për suksese dhe nuk hezitova ta pranoj ofertën”, është shprehur Urbonas.

Urbonas ka njohuri për basketbollin në Kosovë si dhe zhvillimet e skuadrave të tjera, të cilat po ashtu do të luftojnë për titull edicionin e ri. Ai pranon se titulli i kampionit nuk do të jetë aspak mision i lehtë, por insiston se është gati për ta udhëhequr Prishtinën drejt sukseseve.

Prishtina edicionin e fundit e fitoi vetëm Kupën e Kosovës, ndërsa në edicionin e ri do të futet në garë për të gjithë trofetë e mundshëm. Sipas trajnerit nga Lituania, të paktën do të jenë katër skuadra që do ta synojnë titullin e kampionit në edicionin e ri. Vitin e shkuar thotë se kishte marrë ofertë nga Trepça.

“Askush nuk ka lindur kampion – duhet të bëhesh kampion. Do të punoj me lojtarët dhe do t’i ngrit së bashku me ekipin me idenë e lojës kolektive, duke luftuar së bashku të gjithë për tifozët, qytetin dhe emrin e klubit. E kam parasysh se do të jenë të paktën katër ekipe që do të luftojnë për titull, ndërsa vitin e shkuar kisha ofertë nga Trepça për t’u bërë trajner i saj. Po ashtu e di që Peja është kampione e edicionit të fundit. Mund të them se edicioni i ri do të jetë i vështirë, jo vetëm për Prishtinën, por për të gjitha ekipet që do të luftojnë për trofe”, ka shtuar Urbonas.

Sipas tij, Sigal Prishtina është emër i njohur për adhuruesit e basketbollit në Lituani, pasi edicionin e shkuar e mposhti ekipin Silauiai në kuadër të Ligës ENBL. Urbonas ka shtuar se basketbollin kosovar e njeh tashmë disa vjet, saktësisht që kur Kosova luajti kundër Lituanisë në kuadër të kualifikimeve për Botërorin e vitit 2019. Ai shton se Superliga e Kosovës është rritur dukshëm vitet e fundit për shkak të investimeve të bëra nga klubet dhe synimeve të tyre.

“Sigal Prishtina për njerëzit nga Lituania që janë të interesuar në basketboll dhe për tifozët, është emër i njohur i klubit nga regjioni i Ballkanit që ka histori të madhe. Kontakti im me basketbollin kosovar ishte kur e kam shikuar ndeshjen e Kosovës ndaj Lituanisë dhe pastaj një lojtar kosovar, Lis Shoshi ka luajtur në kampionatin lituanez. Gjithashtu, edicionin e shkuar, Prishtina e mposhti Siauliun, kështu që kam njohuri të mjaftueshme”, u shpreh ai. “Kur flitet për basketbollin në Kosovë mendoj se liga është në rritje e sipër për shkak se po bëhen investime të mëdha. Po ashtu edhe palestrat janë të stërmbushura me tifozë, të cilët krijojnë atmosferë fantastike, pothuajse në çdo ndeshje”.

Urbonas është vetëm trajneri i dytë nga Lituania te Prishtina, por edhe në basketbollin kosovar. Herën e parë Prishtinës iu shpagua angazhimi i një trajneri lituanez – Audrius Prakuraitis – pasi fitoi titullin dhe kupën e Kosovës (2016/17). Prakuraitis edicionin e shkuar ishte te Bashkimi i Prizrenit, ndërsa në edicionin e ri do të jetë në krye të Vëllaznimit të Gjakovës.

“Po planifikoj që gjatë javës së ardhme të jem në Prishtinë dhe tashmë e kam kokën e mbushur me ide se si ta ndërtoj dhe udhëheq ekipin. Shpresoj që në të ardhmen të ketë edhe më shumë trajnerë nga Lituania, kuptohet pas meje dhe pse jo që trajnerët kosovar të shkojnë në Lituani”, u shpreh Urbonas, i cili konfirmoi synimet e tij me Prishtinën. “Do të gënjeja nëse do të thosha se po vijë te Prishtina vetëm për ‘basketboll të bukur’. Te Prishtina po vij të fitoj trofe dhe ta kem përkrahjen e madhe të tifozëve”.

Urbonas ka një karrierë të pasur si basketbollist. Krahas karrierës nëpër klubet e Lituanisë, ka luajtur edhe në Letoni, Greqi, Qipro e Ukrainë. Prej vitit 2012 ka nisur me zejen e trajnerit, ku për pesë vjet ka qenë ndihmës te Juventus Utena, përpara se t’i besohet posti i kryetrajnerit në vitin 2017. Krahas trajnerit Urbonas, Sigal Prishtina tashmë ka zyrtarizuar edhe përforcimet e para për edicionin 2023/24, duke angazhuar Daniel Lekndreajn, Muhamedali Janjevën, Arti Hajdarin, Devoe Josephin dhe Derrick Wilsonin.