Llapi ishte një prej ekipeve më aktive në Kosovë gjatë këtij afati kalimtar të verës. Liroi një numër të madh të lojtarëve, por edhe angazhoi shumë. Krahas lojtarëve perspektivë, skuadra nga Podujeva u forcua edhe me lojtarë me përvojë.
E bazuar në aktivitetin që e pati këtë verë, te Llapi insistojnë se janë plotësisht të gatshëm dhe të kompletuar për edicionin e ri në Superligën e Kosovës, i cili nis të shtunën. Por, kur vjen puna te synimet, drejtori sportiv i klubit, Mentor Zhdrella, tregohet modest.
Ai thotë se Llapi në edicionin 2023/24 do të futet për të siguruar një vend që dërgon në Evropë edicionin e ardhshëm. Sipas tij, ky është objektivi primar i klubit, ndonëse pranon se nëse ofrohet mundësia edhe për titullin e kampionit, nuk do ta lëshojnë nga duart. Ndeshjen e parë në edicionin e ri Llapi e luan në udhëtim. Të dielën përballet me skuadrën e Dritës, e cila gjithashtu ka synime të mëdha.
“Mendoj se kemi një ekip të kompletuar për edicionin e ri, duke u bazuar në përforcimet që i kemi bërë. Krahas lojtarëve perspektivë kemi marrë edhe lojtarë me përvojë dhe që e njohin ligën mirë. Kështu që, jemi gati për edicionin e ri dhe të përgatitur maksimalisht”, është shprehur Zhdrella të premten për KOHËN.
“Sigurisht që synojmë kreun e tabelës. Por, synimi kryesor mbetet dalja në Evropë dhe për këtë do të luftojmë deri në fund. Nëse gjatë rrugës na ofrohet mundësia për të luftuar për titull apo edhe kupë, kuptohet që nuk do ta lëshojmë. Megjithatë, primar mbetet një vend për garat evropiane”.
Edhe pse insiston se Llapi ka ekip të kompletuar, Zhdrella nuk përjashton mundësinë që të bëjë edhe ndonjë transferim deri në fund të këtij muaji. Llapi ka rikthyer Ilir Blakçorin e Hamdi Namanin që ishin pjesë e Dritës, ndërsa është forcuar edhe me Leotrim Bekteshin (Ballkani), Granit Jasharin, Besar Musollin, Arbnor Ramadanin (Gjilani) e Ergyn Ahmetin (Dukagjini). Në sulm ka shtuar meksikanin Jose Cobian.
“Jemi të kompletuar si ekip, por ka gjasa që mund të forcohemi edhe me një apo dy lojtarë. Jemi në vëzhgim e sipër dhe do të shohim. Kemi bërë një ekip të mirë, të cilit do t’i duhet pak kohë që të komponohet duke pasur parasysh se kemi bërë ndryshime të mëdha këtë verë”, u shpreh Zhdrella.
“Edicioni i ri nuk do të jetë aspak i lehtë duke pasur parasysh që edhe ekipet tjera janë forcuar. Por, ajo që mund të them është se Llapi do të jetë gati për ta dëshmuar veten”.
Sa i përket duelit me Dritën, Zhdrella nuk bëri ndonjë parashikim, pasi shtoi se është një ndeshje derbi që do ta hapë edicionin e ri dhe duelet e tilla janë të paparashikueshme. Edicionin e shkuar skuadra e Llapit përfundoi në pozitën e shtatë.