Edicioni i ri në Superligën e Kosovës në basketboll, që starton të premten, ka mundur shumë lehtë të jetë pa praninë e tifozëve në palestra. Mirëpo Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK), edhe pse e kishte në mendje një opsion të tillë pas skenave të pahijshme në turneun e Superkupës, vendosi që edicioni 2023/24 të fillojë me shikues në palestra. Shikues do të ketë, por nuk do të lejohet udhëtimi i tifozëve mysafirë.
Një masë e tillë ishte imponuar edhe edicionin e shkuar për t’u kthyer sërish në fuqi për edicionin e ri. Skenat e dhunës javën e shkuar në turneun e Superkupës, që u mbajt në Suharekë, kanë bërë që FBK-ja të reagojë. Finalja mes Trepçës dhe Pejës është përcjellë me incidente të rënda dhe tensione të shumta. Ndeshja u ndërpre për më shumë se 40 minuta. Fillimisht trajneri i Pejës, Rami Hadar, tërhoqi skuadrën e tij. Me t’u kthyer ekipi pejan në fushë, arbitrat ishin ata që u kërkuan dy ekipeve të largohen për në zhveshtore për shkak të hedhjeve të gjësendeve. Kjo rezultoi me largimin e tifozëve të Trepçës nga palestra, ndërsa ata të Pejës mbetën deri në fund. Pas përfundimit të ndeshjes pati incidente të tjera, si hedhje të mjeteve piroteknike, karrigeve, si dhe pati përplasje mes dy tifogrupeve.
Në edicionin e ri të Superligës përplasjet e tilla do të evitohen për shkak se tifozët mysafirë nuk do të lejohen të udhëtojnë. Këtë e ka bërë të ditur kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, të enjten për KOHËN. Sipas Fetahut, prania e dy tifozërive në palestër aktualisht është e pamundur.
“Basketbolli luhet për shikues dhe masa e fundit dhe më e padëshirueshmja të cilën FBK-ja mund ta imponojë është zhvillimi i garave tona pa praninë e shikuesve. Superliga do të fillojë me shikues, por me kufizime të caktuara të cilat i kemi paralajmëruar që nga fundi i stinorit të kaluar. Megjithatë, praktika nga turnetë e zhvilluara (Kupë dhe Superkupë), na ka dëshmuar që lejimi i dy tifozërive për momentin është i pamundur. Prandaj në ndeshjet e Superligës nuk do të lejohet udhëtimi i tifozërive mysafire dhe ato do të zhvillohen pa kufizime sa i përket pjesëmarrjes së tifozërisë vendëse”, ka thënë Fetahu.
Kufizimet janë më të shumta sesa edicionin e shkuar. Sipas FBK-së, në asnjë mënyrë nuk do të tolerohet sharja dhe fyerja në kor, sjellja e dhunshme dhe hedhja e gjësendeve.
Fetahu ka thënë se edhe hedhja e gjësendit më të vogla do të jetë e mjaftueshme për ta zbrazur palestrën. Para se të zbrazet palestra do të bëhet vërejtja e parë, ndërsa kur merret vendim për zbrazjen e saj, ekipi vendës ka kohë të limituar për ta bërë një gjë të tillë. Nëse zbrazja nuk bëhet brenda 15 minutave, klubet organizatore mund të përballen me ndëshkime.
Arben Fetahu thotë se vetëm në këtë mënyrë mund të garantohet mirëmbajtja e garave.
“Përveç veprimeve të ndalueshme edhe viteve të kaluara, nga fillimi i këtij stinori e tutje nuk do të tolerohen sharja e fyerja në kor, sjellja e dhunshme dhe kanosja e kërcënimi i akterëve të ndeshjes. Spërkatja e masave të lëngshme në terren dhe hedhja e gjësendeve të imëta do të jenë bazë e mjaftueshme për zbrazjen e palestrës pas vërejtjes së parë, ndërsa hedhja e edhe një gjësendi të rrezikshëm do të ndëshkohet me zbrazje të menjëhershme pa asnjë vërejtje paraprake”, tha Fetahu. “Është detyrim i klubit vendas që zbrazjen ta realizojë brenda 15 minutash për të mundësuar vazhdimin e ndeshjes, në të kundërtën do të përballen edhe me ndëshkime të tjera dhe me shtyrje të ndeshjes për një termin tjetër brenda 24 orësh”.
Zbrazja e palestrës do të jetë selektive, që nënkupton largimin nga palestra qoftë të individëve apo pjesëve të tribunave që cenojnë sigurinë e akterëve të ndeshjeve apo spektatorëve të tjerë. Fetahu beson se këto masa do të ndihmojnë në zbutjen e situatës dhe niveli i sjelljeve agresive do të jetë dukshëm më i ulët.
“Megjithatë, për të larguar përfundimisht aktet e tilla nga palestrat është i domosdoshëm veprimi i tërë aparatit të shtetit dhe nuk mjaftojnë masat të cilat FBK-ja apo klubet e saj janë duke i ndërmarrë. Sidoqoftë, është me rëndësi të theksohet se problemi është duke u trajtuar me shumë kujdes nga i tërë komuniteti i basketbollit, i cili me ngulm do të mbrojë sportin për të cilin ka dhënë e sakrifikuar aq shumë e aq gjatë, nga dëmet të cilat mund t’ia shkaktojnë individë të caktuar të kamufluar nën petkun e tifozëve”, u shpreh Fetahu.
Të premten hapet edicioni 2023/24 me ndeshjen ndërmjet Pejës dhe Vëllaznimit, e cila luhet në palestrën “Karagaçi”. Të shtunën dhe të dielën do të zhvillohen duelet e tjera të kësaj xhiroje. Istogu dhe Sigal Prishtina luajnë vendas të shtunën, por të dyja skuadrat ndeshjet do t’i luajnë jashtë qyteteve të tyre. Istogu prej orës 17:00 do të përballet me Trepçën në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec, ndërsa prej orës 19:00, Prishtina do të luajë me Prizrenin në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren. Palestra e Istogut nuk i plotëson kushtet për zhvillimin e ndeshjeve, ndërsa ajo e Prishtinës është në rinovim.
Xhiroja do të mbyllet të dielën, me duelin mes Golden Eagle Yllit dhe Bashkimit, i cili luhet në Suharekë prej orës 17:00.