Delegacioni i Kosovës ishte më i vogli në numër në ngjarjen e madhe sportive. Por kjo nuk i pengoi atletët me nevoja të veçanta intelektuale ta përfaqësojnë Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme në Olimpiadën Speciale Botërore të Lojërave Verore, që u mbajt këtë muaj në Berlin. Kosova u përfaqësua me katër atletë në ngjarjen që filloi më 17 qershor dhe përfundoi më 25 qershor. Ata fituan hiq më pak se tri medalje.
Dy djem dhe dy vajza u paraqitën në disiplinat e atletikës në këtë ngjarje. Një medalje e artë, një e argjendtë dhe një e bronztë, është bilanci i atletëve me nevoja të veçanta intelektuale në Berlin. Ishte një tjetër pjesëmarrje e suksesshme e Kosovës në Olimpiadën Speciale Botërore.
Florent Haziri e fitoi të artën në hedhjen e gjyles, Arta Avdyli të argjendtën në 400 metra vrapim, ndërsa Lirika Sadiku siguroi të bronztën në 100 metra vrapim. Është ky një sukses i madh i Kosovës në ngjarjen globale, duke pasur parasysh numrin e pjesëmarrësve. Në Olimpiadë Speciale Botërore u paraqitën 7 mijë sportistë me nevoja të veçanta intelektuale prej 190 shteteve nga e gjithë bota.
Me suksesin e atletëve me nevoja të veçanta ndihet krenare Drita Dushi-Parduzi, drejtoreshë nacionale në organizatën “Olimpiada Speciale e Kosovës”. Kjo organizatë ka vite që vepron në tërë Kosovën, ndërsa prej vitit 2007 njihet ndërkombëtarisht. Me atletët e saj me nevoja të veçanta intelektuale paraqitet rregullisht në Olimpiadën Speciale Botërore, verore dhe dimërore.
“Nuk është hera e parë që kemi pasur sukses në këtë ngjarje. Por duke e krahasuar numrin e sportistëve tanë, kjo ka qenë diçka vërtet e madhe, pasi prej katër sportistëve, tre të kthehen me medalje, është 90 për qind e suksesit që e kemi pritur. Si organizatë veprojmë brenda Kosovës me sportet si futbolli, basketbolli, skijimi e boulingu. Por në paraqitjen ndërkombëtare këtë herë kemi marrë pjesë vetëm në disiplinën e atletikës”, është shprehur Drita Dushi-Parduzi për KOHËN.
Ajo ka treguar se tre vjet më parë janë regjistruar për pjesëmarrje në këtë Olimpiadë Speciale, ndërsa atletët janë përgatitur nga dy trajnerë, i atletikës dhe kondicional, gjë që ka pasur ndikim shumë të madh në këtë sukses.
“Ne tre vjet më herët jemi regjistruar, pastaj secili kemi ditur detyrat, përfshirë edhe trajnerët Besnik Jashanica i atletikës dhe Alban Dobroshi si trajner kondicional. Kjo ka pasur ndikim të madh, pasi ka qenë një punë e madhe që atletët të kenë paraqitje ashtu siç i ka hije një delegacioni. Secili kemi bërë detyrat tona dhe një menaxhim i mirëfilltë ka ndikuar që ne ta kurorëzojmë pjesëmarrjen në Olimpiadën Speciale me tri medalje, e që nuk është pak”, është shprehur tutje Dushi-Parduzi.
Përkrahja këtë herë për ekipin e Kosovës në Olimpiadën Speciale nuk ka munguar as nga institucionet shtetërore, në veçanti nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport. Ishte zëvendësministrja e MKRS-së, Daulina Osmani, që u interesua për atletët, duke siguruar transportin, si dhe pajisjet sportive për pjesëmarrje në këtë ngjarje të rëndësishme. Ndërkohë në ceremoninë hapëse, përkrah delegacionit të Kosovës kanë defiluar edhe figura të larta publike, përfshirë presidenten Vjosa Osmani.
“Ka qenë edhe pjesëmarrja e presidentes Vjosa Osmani, që ka defiluar në ceremoninë hapëse, së cilës i janë bashkuar edhe zëvendësministrja e sportit, Daulina Osmani dhe ambasadori Faruk Ajeti. U jemi falënderues, pasi është bërë një lobim dhe promovim si për organizatën ashtu edhe sportistët tanë”, ka thënë Dushi-Parduzi.
Medaljet e fituara në Olimpiadën Speciale janë të mirëseardhura si për Kosovën ashtu edhe organizatën. Por mbi të gjitha ky sukses do të ketë ndikim në zhvillimin dhe motivimin e atletëve me nevoja të veçanta intelektuale, duke pasur parasysh se çdo gëzim ndikon në aspektin pozitiv.
Organizata “Olimpiada Speciale e Kosovës” udhëhiqet nga tri femra ndërsa vepron në të gjithë territorin e Kosovës. Fillimisht ka nisur veprimin në Prishtinë për t’u zgjeruar edhe në qytetet e tjera, si Mitrovicë, Prizren, Kamenicë e Gjilan.
“Numërojmë mbi 300 sportistë me nevoja të veçanta intelektuale, të cilët janë të kategorizuar dhe marrin pjesë në sportet si atletika, basketbolli, futbolli, skijimi dhe boulingu. Mundohemi çdo vit të integrojmë ndonjë sport të ri dhe kemi trajnerët që punojnë në baza javore, ku pastaj organizojmë garat brenda Kosovës, ku edhe bëhet një përzgjedhje për paraqitje ndërkombëtare”, ka treguar Dushi-Parduzi.
Pas suksesit në Olimpiadën Speciale të Lojërave Verore, sportistët me nevoja të veçanta intelektuale do të nisin përgatitjet për pjesëmarrje në ngjarjen tjetër të madhe. Në vitin 2025 në Torino të Italisë do të mbahet Olimpiada Speciale e Lojërave Dimërore, ku Kosova synon të paraqitet me të paktën dy sportistë.