Sport

“Sqarohet” Marmarinos, thotë se ka ndihmuar Kosovën

Ish-selektori i Kosovës, Christos Marmarinos ka folur për KOHËN lidhur me intervistën që bëri bujë. Ai ditë më parë foli në një radio greke, ndërsa pjesë nga ajo intervistë janë publikuar nga media tjera greke. Marmarinos ka thënë, ndër të tjera, që puna te Kosova ishte kthim prapa në kohë, përkatësisht kthim te gjendja që ishte në Greqi në vitet 70-ta të shekullit të kaluar. Ka thënë se në Kosovë mungon kultura sportive, se një lojtar reprezentues nuk e ka njohur Michael Jordanin, se një lojtar e morën nga fusha e patateve, se lojtarët kanë përzier ata që është dashur të ruajnë nga ekipi kundërshtar. Ka folur edhe për palestrën e ftohtë e gjëra tjera.

Të enjten për KOHËN, Marmarinos ka dhënë versionin e tij. Ai ka sqaruar se nuk duhet të gjykohet diçka që është nxjerr jashtë kontekstit në një intervistë që ka zgjatur gati një orë dhe janë marrë vetëm gjërat e dëshiruara. Ka insistuar se ata që duhet ndihen të ofenduar janë serbët dhe jo kosovarët, pasi ka folur për shtypjen e regjimit serb ndaj popullit të Kosovës.

Marmarinos ka thënë se nuk e ka idenë se çfarë është shkruar në intervistën e publikuar në mediumet greke për shkak se ka një kohë që është jashtë Greqisë. Ai, tani punon si skaut i ekipit të NBA-së, Sacramento Kings, ndërsa ishte selektor i Kosovës prej vitit 2020 deri këtë vit. Në dhjetë ndeshje të Kosovës nën drejtimin e tij, janë regjistruar tri fitore karshi shtatë humbjeve.

“Besoj se jeni mjaftueshëm të zgjuar dhe me përvojë që të mos gjykoni diçka jashtë kontekstit. Nuk e di se çfarë është shkruar, kam shumë ditë që jam jashtë shtetit. Megjithatë, e di saktësisht se çfarë thashë! Nëse dikush duhet të ofendohet, duhet të jenë serbët, sepse unë thashë çdo gjë për shtypjen e regjimit serb për popullin shqiptar të Kosovës”, ka thënë Marmarinos. “Unë shpjegova konkretisht se si një brez që luante me Dino Raxhan dhe Toni Kukoqin, përfundoi duke mos ditur basketboll. Incidenti me Michael Jordanin dhe Michael Jacksonin ishte një shaka që Dritëro Sefaja, ndihmës trajneri im, më tha se një nga lojtarët e tij që po stërvitej i tha atij dhe ishte pikërisht ajo që i thashë”.

Marmarinos shtoi se është lehtë të bie viktimë e propagandës, ndërsa tha se ajo që nuk ishte propagandë në intervistën e tij, është fakti se nuk ka marrë paratë që Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ia ka borxh. Po ashtu, ka zbuluar se ka vite që nuk ka folur me ndonjë zyrtar të FBK-së.

“Është shumë e lehtë të biesh viktimë e propagandës. Ajo që nuk është propagandë ishte se unë nuk kam as një fraksion të parave që më kanë borxh. Absolutisht për asnjë arsye, prej vitesh nuk kam folur me presidentin apo me ndonjë anëtar zyrtar të federatës, përveç Granitit, që e konsideroj vëlla”, u shpreh Marmarinos. “Dhe, është e lehtë që nga 40 minuta intervistë të shkurtosh gjërat që dëshiron”

Sa i përket rezultateve me Kosovën thotë se nuk mund të gjykohet për faktin se nën drejtimin e tij, “Dardanët” kanë regjistruar fitoren e parë në histori jashtë kufijve. Pasi nisi parakualifikimet për “Eurobasket 2023” me fitore në Prishtinë ndaj Islandës (80:78), Kosova tri ditë më vonë triumfoi në udhëtim tek Luksemburgu (84:80). Këto parakualifikime, Kosova i mbylli me dy fitore e katër humbje në gjashtë ndeshje të luajtura, ndërsa pjesë e grupit ishte edhe Sllovakia.

“E keni fitoren e parë jashtë fushe në historinë e Kosovës. Ne mund të kontrollojmë vlerën e lojtarëve, duke gjykuar nga kontratat e tyre dhe më pas mund të diskutojmë Sllovakinë dhe lojtarin Brodjansky për shembull”, tha Marmarinos.

Për fund, ai tha se duke pranuar të jetë në krye të Kosovës, e dinte se do të mbante anën e një konflikti dhe do të minimizonte gjasat e tij për të punuar ndonjë herë në Serbi. Zbuloi gjithashtu se me krenari e kujton kohën e tij në Kosovë gjatë të cilës ka krijuar shumë miq. Gjithashtu, shtoi se ka ndihmuar Kosovën edhe në nivelin diplomatik por që asnjëherë nuk e ka përmendur një gjë të tillë.

“Duke zgjedhur të vij në Kosovë, e dija se mbaja anën në një konflikt dhe do të kufizoja shanset për të punuar ndonjëherë në Serbi. Shpresoj se ambasadori kosovar e di se si e kam ndihmuar vendin tuaj në nivel diplomatik dhe të gjitha gjërat që kam bërë me dyer të mbyllura për të cilat askush nuk di”, u shpreh Marmarinos. “Dhe do t'ju them gjënë e fundit që thashë në këtë intervistë… prania ime në Kosovë, më solli miq dhe përvoja, jo para... dhe që një trajner profesionist të punojë dhe të mos paguhet nuk është profesionale. Unë fle mirë gjatë netëve, sepse e di që marrëdhëniet midis dy qarqeve ishin më të mira pas qëndrimit tim atje se më parë. Ky është një fakt. Si idealist që jam, kjo vlen më shumë se paratë (nuk kam marrë) dhe premtimet e parealizuara që kam marrë nga federata. Unë ende e dua kohën time atje dhe njerëzit atje”.

Pas largimit të Marmarinosit, selektor i Kosovës është Rami Hadar, i cili është trajner i Pejës dhe edicionin e shkuar e fitoi titullin e kampionit me këtë ekip.