Lojërat Olimpike në Paris nisin më 26 korrik dhe mbarojnë më 11 gusht.
Përderisa sportistët në gjithë botën përgatiten për të garuar në kryeqytetin francez, ata izraelitë po përballen me telashe tjera.
Në ditët e fundit të paktën 15 nga 88 anëtarët e delegacionit izraelit kanë marrë mesazhe kërcënuese me vdekje përmes emailave private.
“Mbrojtësit e Popullit njoftojnë se do ta sulmojnë çdo prezencë të Izraelit në Lojërat Olimpike”, është njëri prej mesazheve i ardhur nga kjo organizatë.
“Nuk jeni të mirëpritur në Lojërat Olimpike në Paris. Nëse vini, të jeni të vetëdijshëm se po planifikojmë përsëritjen e ngjarjeve të Munihut 1972”, është një tjetër mesazh, shkruan mediumi i madh gjerman “Bild”.
Në vitin 1972, sportistët izraelitë janë mbajtur peng në Fshatin Olimpik. Njëmbëdhjetë sportistë dhe një polic janë vrarë në atë sulm.
“Bëhuni gati për sulm në çdo moment. Në aeroportet, hotelet dhe rrugët të cilat na takojnë neve”, shkruhet në një kërcënim tjetër sipas mediumit “Bild”.
Prapavija e këtyre kërcënimeve ka të bëj me konfliktin në Lindjen e Mesme, ku janë vrarë mijëra njerëz.
Autoritetet e sigurisë së Izraelit janë të vetëdijshëm për këtë dhe kanë shtuar numrin e pjesëtarëve të sigurisë, por detajet po mbahen sekrete. Megjithatë, “Bild” ka shkruar se shpenzimet për sigurinë në vitin 2024, do të jenë dy herë më të larta se që ishin në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.
Shërbimi sekret ka zbuluar se këto emaila janë dërguar nga softuerë të veçantë.
Megjithatë, kërcënimet nuk ndalen me kaq. Në fund të javës së kaluar, Peter Paltchik i xhudos dhe notari Meiron Amir Cheruti, kanë pranuar mesazhe kërcënuese po ashtu. Ata janë ftuar në funeralet e tyre mes tjerash.
Presidentja e Komitetit Olimpik të Izraelit, Yael Arad, ka thënë se gjitha këto po merren në konsideratë.
“Po e marrim këtë çështje shumë seriozisht. E kemi ditur se do të ketë sulme të tilla. Sportistët tanë janë të gatshëm për këtë dhe kemi diskutuar gjatë. Dhe e dimë se si të reagojmë”, ka theksuar Arad.