Të garosh në skijim alpin për Shqipërina apo për Italinë, nuk është e njëjtë. Këtë e di Lara Colturi dhe ekipi i saj. E dinë edhe në Federatën Shqiptare të Skijimit dhe në Komitetin Olimpik të Shqipërisë.
Colturi është prej skitareve më të talentuara në botë. Është italiane e rritur në Itali, që prej vjeshtës së vitit 2022 garon për Shqipërinë.
18-vjeçarja tashmë ka arritur suksese të rëndësishme në skijim alpin dhe tani kërkon të garojë sërish për Italinë. Është ky një vendim i papritur, por edhe i logjikshëm, sidomos pasi rregulloret e lejojnë kthimin e saj te Italia.
Italia e ka skijimin shumë të zhvilluar. Ka disa prej skitareve më të mira në botë. Për më tepër Lojërat e ardhshme Olimpike Dimërore do të mbahen prej 6 deri më 22 shkurt të vitit të ardhshëm në Milano dhe Cortina d’Ampezzo në Itali. Dhe të garosh në Lojërat Olimpike në Itali për Italinë apo Shqipërinë, dallon shumë.
Që Colturi të garojë për Italinë në Lojërat e ardhshme Olimpike, ajo duhet ta bëjë lëvizjen deri në fund të këtij muaji. Por për këtë duhet leja e Federatës Shqiptare të Skijimit dhe e Komitetit Olimpik të Shqipërisë. Leja nuk do të jepet lehtë.
Mundësitë financiare janë shumë më të mëdha për Colturin nëse ajo garon për Italinë. Skitarja cilësore kaloi te Shqipëria pasi prindërit e saj dëshironin që të kujdesen për karrierën e Larës dhe këtë nuk mund ta bënin nëse ajo do të mbetej tek Italia. Po ashtu kishte mosmarrëveshje mes tyre dhe Federatës së Skijimit të Italisë.
Colturi është një prej sportistëve që kanë natyralizuar Shqipëria e Kosova. Disa natyralizime, sidomos për Shqipërinë, dolën të suksesshme. Te Kosova më pak. Por kur bëhet fjalë për sportistët e natyralizuar zhvillimet e papritura dhe interesante janë gjithnjë të pritshme.
I tillë është ky për Colturin.
Ka pasur raportime se Colturit i duhen 300 mijë euro në stinor për të vazhduar të garojë për Shqipërinë.
“Financat në një botë kapitaliste janë shumë të rëndësishme. Pa financa as ne nuk do të detyronim një sportiste të qëndronte. Kemi marrë premtimin nga qeveria shqiptare, nga Edi Rama. Na janë premtuar 300 mijë euro. Po bëjmë përpjekje të jashtëzakonshme që të gjejmë buxhetin për të pasur një kontratë serioze, për ta mbajtur Lara Colturin. Ne si komb nuk kemi qenë gati për të pasur një sportistet të këtij kalibri në gjirin tonë”, ka thënë Elvis Toçi, kryetar i Federatës së Skijimit të Shqipërisë. Ai vlerëson se Colturi nuk do të ishte në nivelin ku është sot, pa Shqipërinë.
Skijimi është fare pak i zhvilluar në Shqipëri. Deri më tani për Shqipërinë kanë garuar sportistë shqiptarë të rritur në Itali. Por me Colturin, Shqipëria për herë të parë kishte një garuese serioze në Kupën e Botës, që është seria e garave më të mëdha të skijimit alpin. Në stinorin e fundit ajo kishte dy vende të dyta e një të tretë, që është sukses shumë i madh.
Në renditjen e përgjithshme të skijimit alpin, Lara ishte e teta. Po ashtu një rezultat i shkëlqyer. Federica Brignone e Italisë ishte e para dhe kjo dëshmon nivelin që ky vend ka në skijimin alpin.
Me Colturin, Shqipëria mund të ëndërrojë medaljen në Lojërat Olimpike Dimërore. Pa të, jo.

Historia e shkruar nga Valievi dhe Dudaevi
Në Lojërat Olimpike Dimërore, Shqipëria e Kosova deri më tani nuk i janë afruar medaljes. Në Lojërat Olimpike Verore, Kosova i ka plot pesë medalje olimpike, tri prej tyre të arta. Të gjitha pesë medaljet janë fituar nga xhudistet kosovare.
Ndërkohë Shqipëria në “Parisi 2024” i fitoi dy medaljet e para olimpike. Bëhet fjalë për dy të bronzta, historike, të cilat i fituan mundësit e natyralizuar, Chermen Valiev dhe Islam Dudaev. Të dy janë nga republikat ruse, por që kanë vendosur të garojnë për Shqipërinë për shkak të mundësive më të mëdha. Shqipëria e ka natyralizuar edhe Zelimkhan Abakarovin. Të tre këta kanë suksese kulmore.
Abakarov i solli Shqipërisë medalje të artë botërore nga Beogradi, ndërsa në kryeqytetin e Serbisë fitoi edhe medalje të bronztë botërore. Ka fituar edhe tri medalje evropiane e medalje të tjera. Valievi garon për Shqipërinë vetëm nga viti i kaluar. Pos medaljes së bronztë olimpike, së fundi fitoi medalje të artë evropiane. Dudaevi pos medaljes olimpike, për Shqipërinë ka fituar të artë e të bronztë evropiane.
Më herët këtë muaj bujë bëri rasti i Chermen Valievit. Pasi fitoi të artën evropiane në Sllovaki, Valievi u quajt “tradhtar” nga presidenti i Federatës së Mundjes së Rusisë, Mikhail Mamiashvili. Mamiashvili është edhe nënkryetar i Federatës Botërore të Mundjes, ndërsa ishte zgjedhur për të dorëzuar medaljet në kategorinë e Valievit. Kur iu afrua atij, i tha diçka e më pas ia vendosi me forcë medaljen në gjoksh dhe ia mbajti duart, po ashtu me forcë. Ka pasur reagime të shumta për atë veprim të Mamiashvilit. Kryesisht komentet ishin pro Valievit. Por ka munguar një reagim nga Federata Botërore e Mundjes e po ashtu nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. KOHA u ka shkruar këtyre dy institucioneve, por nuk mori përgjigje.
Për rastin reagoi Komiteti Olimpik i Shqipërisë, ndërsa nga Federata Shqiptare e Mundjes kanë lënë të kuptohet se nuk do të kërkojnë sqarime të tjera.
Në mundje, lëvizjet nga njëri vend në tjetrin, sidomos nga Rusia për në vende tjera, janë të zakonshme. Në Rusi ka numër shumë të madh të mundësve cilësorë dhe për këtë një pjesë e tyre e kërkojnë rastin në vende të tjera.
Shqipëria ka pasur edhe sportistë tjerë të natyralizuar, por jo të nivelit të Colturit dhe të Valievit, Dudaevit e Abakarovit.

Ardhja me bujë, largimi në heshtje
Austriakja Sophie Sorschag mundësoi që Kosova të debutojë në garat e kërcimeve me ski. Kur ajo vendosi të garojë për Kosovën, pas përplasjeve që kishte me federatën austriake, nisi të përmendej edhe medalja olimpike nga Milano. Por Sorschagu zhvilloi vetëm 13 gara për Kosovën, të fundit më 14 janar 2024. Ajo u nda keq me Federatën e Skijimit të Kosovës, të cilën e akuzoi se nuk i është përmbajtur marrëveshjes.
Rezultatet e austriakes nuk ishin ato që priteshin nga federata kosovare dhe nga Komiteti Olimpik i Kosovës. Dhe kjo besohet se solli ndarjen e parakohshme dhe të papritur.
Sorschag thotë se ka investuar rreth 100 mijë për të garuar për Kosovën dhe se ka hyre në borxhe. Pret që mjetet t’i kompensohen nga Kosova.
Ajo kishte suksese me Austrinë, ndër të tjera një titull të botës në konkurrencë ekipore. Në vitin 2023 nisi të garojë për Kosovën. Dhe nga janari 2024 për të nuk u shkrua e nuk u tha asgjë publikisht nga Federata kosovare e skijimit dhe nga KOK-u.
“Pos që nuk kisha asnjë përkrahje, është dashur të paguaj vetë për të gjitha. Kjo nuk përfshin vetëm shpenzimet për helmetë, kostume, syze, çizme, lidhëse e gjëra të tjera, por edhe pagën mujore të trajnerit, biletën mujore për fitnes, tarifën e ngjitjes në kodër, shpenzimet për sigurimet speciale për këtë sport, pajisjet e stërvitjes, kostot e udhëtimit, duke përfshirë edhe fluturimet për gara si në Japoni e Norvegji, për mua dhe trajnerin. Në total ishin më shumë se 100 mijë euro për sezon, që nuk është e mundur të mbulohen nga një studente. Kështu që më duhej të huazoja shumë para. Krahas studimeve, unë ende duhet të punoj për t’ia dal që të mbijetoj dhe të paguaj paratë që mora hua”, ka thënë Sorschag në një intervistë për KOHËN, në nëntorin e vitit të kaluar.

Së shpejti për Kosovën pritet të garojë mundësi nga Irani, Kianoush Rostami. 33-vjeçari të drejtën për të garuar për Kosovën e fiton më 2 korrik. Ai ka medalje të artë e të argjendtë olimpike. Pra ka karrierë impresive. Ka edhe dy tituj të botës, ndër të tjera, por një dekadë më parë.
"Prej këtij garuesi shumë cilësor presim medalje evropiane, botërore dhe medalje olimpike në Los Angeles 2028", ka theksuar Astrit Hasani, kryetar i Federatës së Peshëngritjes së Kosovës. Hasani së fundi u zgjodh edhe president i Federatës Evropiane të Peshëngritjes.
Peshëngritja është thuajse e pazhvilluar në Kosovë. Suksesi pritet nga një i natyralizuar, si te Shqipëria për skijim.
Në Kosovë janë natyralizuar edhe shumë basketbollistë amerikanë. Pak prej tyre kanë lënë gjurmë derisa kanë luajtur për Kosovën. Më i suksesshmi ishte i pari prej tyre, Justin Doellman. Të tjerë kanë përfituar nga favori që u jep pasaporta e Kosovës, përkatësisht nga fakti që llogariten evropianë në shtete të ndryshme. Por kontribut kanë dhënë më pak. Të llogaritesh evropian në një skuadër evropiane është një lloj favori, pasi skuadra e ka të drejtën e angazhimit të një amerikani shtesë. Dhe kjo ofron mundësi më të shumta transferimi.
Janë natyralizuar edhe basketbolliste amerikane, ndërsa për njërën prej tyre, Adrienne Godbold, këtë edicion kishte debate nëse duhet të luajë si vendore në Superligën e Kosovës.
Natyralizimi, siç njihet procesi i kalimit të një sportisti nga një shtet në një tjetër, do të vazhdojë si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Suksese prej të natyralizuarve do të ketë, por edhe zhvillime të papritura e të pamenduara. Natyrisht, edhe dështime.