Një pano ku shfaqej austriakja Sofie Sorschag dhe mbishkrimi “Road to Milano Cortina 2026” ishte i vendosur prapa tavolinës në zyrat e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK). Mbi tavolinë ishte i palosur flamuri i Kosovës dhe një dosje me ngjyrë të bardhë. Dosja përmbante dekretin për shtetësi të Kosovës. Sorschagut shtetësia iu dha në një ceremoni solemne të hënën.
Garuesja e kërcimeve me ski, Sorschag, është nga Austria. Ajo në janar vendosi ta përfaqësonte Kosovën në garat ndërkombëtare të kërcimeve me ski. Sorschag dukej e lumtur, ndërsa në KOK presin suksese të mëdha prej saj.
Sorschag është kampione e botës në konkurrencën ekipore me Austrinë në vitin 2021, si dhe pjesëmarrëse në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022”. Ajo u largua nga Austria për shkak të mosmarrëveshjeve me drejtuesit e federatës.
Kryetari i KOK-ut, Ismet Krasniqi, me bindje të plotë ka thënë se pret rezultate prej garueses austriake. Krasniqi ka përmendur medaljen olimpike.
Sorschag, 24-vjeçare, prej edicionit të ardhshëm garues do të paraqitet për Kosovën. Vlerësohet me potencial për të fituar medalje në garat e mëdha të kërcimeve me ski.
“Falënderoj presidenten e shtetit të Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilën e kemi një bashkëpunim të shkëlqyeshëm kur kemi nevojë për dhënien e shtetësisë për sportistë. Në këtë rast është bërë një punë e shpejtë dhe kemi nderin që Sofies t’ia dorëzojmë dekretin e shtetësisë së Kosovës. Do të kemi një sportiste të re në Kosovë, sa u përket sporteve dimërore, dhe kjo do të jetë një ndjesi e veçantë duke pasur parasysh se është një sport i vështirë dhe delikat. Besoj se Sofie do ta prezantojë Kosovën në mënyrën më të mirë. Presim rezultate edhe nga kampionatet evropiane e botërore, por fokusi kryesor do të jetë në Lojërat Olimpike të ardhshme, ku besojmë se ajo do të kthehet me medalje olimpike”, ka thënë Krasniqi, duke insistuar se Sorschag do të ketë përkrahjen maksimale të KOK-ut.
Optimizmin e tij për medalje olimpike e ka shprehur edhe kryetari i Federatës Skitare të Kosovës, Milaim Kelmendi. Ai tha se edhe shumë shtete tjera të Ballkanit ishin të interesuara për austriaken Sorschag, e cila në fund zgjodhi ta përfaqësojë Kosovën.
“Dua ta falënderoj Sofie Sorschagun, garuesen tonë të re, që ka shprehur dëshirën ta përfaqësojë shtetin tonë të Kosovës. Sofie është një garuese e mirë dhe me suksese botërore. Pra, është shumë premtuese, gjë që e dëshmon edhe pjesëmarrja e saj e fundit në Lojërat Olimpike në Kinë. Kemi shpresa dhe besojmë se kemi mundësi të kemi një medalje olimpike në këtë disiplinë”, ka thënë Kelmendi.
Më e gëzuar dhe krenare ishte garuesja austriake, e cila u prezantua me fjalën “Mirëdita”. Sorschag tha se është tejet e emocionuar që do ta përfaqësojë Kosovën në garat ndërkombëtare, ndërsa shtoi me bindje të plotë se e ardhmja do të jetë e suksesshme për të gjithë.
“Është një nder i madh për mua ta përfaqësoj Kosovën dhe të jem anëtare e federatës së skijimit. Falënderoj Komitetin Olimpik të Kosovës, pastaj familjen time dhe të gjithë të tjerët që e bënë të mundur këtë. Po shikoj për një të ardhme të suksesshme së bashku”, u shpreh Sorschag.
Sorschag shtoi se synimet e saj janë të mëdha dhe se shpreson që t’i gëzojë të gjithë kosovarët.
“Jam e lumtur qe zgjodha Kosovën dhe tejet e nderuar që do t’i përfaqësoj këto ngjyra. Sigurisht që synimet i kam të mëdha dhe dua të fitoj medalje. Dua të kontribuoj me medalje olimpike për Kosovën”, u shpreh Sorschag.
Pasi pranoi solemnisht dekretin, Sorschag mori edhe flamurin e Kosovës që ishte para saj, duke treguar emocionet e mëdha që tash e tutje do të jetë përfaqësuese e Kosovës në të gjitha garat.
Sorschag është sportistja më cilësore që Kosova ka natyralizuar deri më tani. Ajo ka marrë lejen nga austriakët që ta ndryshojë përfaqësuesen. Kosova deri më tani nuk ka pasur garuese në kërcime me ski, ndërsa kjo disiplinë nuk zhvillohet as në vendet e regjionit.