Sigal Prishtina e Trepça ka kohë që kanë shfaqur synimet për ta përmbyllur edicionin 2022/2023 me titull të kampionit të Kosovës në basketboll. Por rruga deri te titulli është ende e gjatë për të dy skuadrat. Madje vetëm njëra prej tyre do të jetë në finale të plejofit.
Dy skuadrat me nam të basketbollit kosovar synojnë që ta kthejnë titullin e kampionit. Prishtina për herë të fundit e ka fituar titullin në vitin 2019, ndërsa Trepça në vitin 2012.
Të dy skuadrat këtë edicion e kanë fituar nga një trofe të basketbollit kosovar, por titulli e kampionit do të bënte që edicioni të mbyllej në mënyrën më të mirë të mundshëm. Prishtina ka triumfuar në Superkupën e Kosovës, ndërsa Trepça për vitin e dytë rresht e ka fituar Kupën e Kosovës. Prishtina e Trepça ishin në dy finalet.
Tani do të përballen në gjysmëfinale, kurse ndeshja e parë luhet të enjten prej orës 20:30 në Prishtinë.
Prishtina do të jetë vendase edhe në ndeshjen e pestë eventuale, pasi pjesën e rregullt të kampionatit e mbylli në pozitën e parë, derisa Trepça ishte e katërta.
Optimizmi është i madh te Prishtina për ta eliminuar Trepçën. Kështu ka insistuar kapiteni Dardan Berisha, të mërkurën për KOHËN.
“Do të jetë një gjysmëfinale shumë e fortë për shkak se përballen dy ekipe me synime të njëjta. Po ashtu besoj në një atmosferë tepër të mirë në të gjitha ndeshjet e kësaj serie gjysmëfinale, por pres edhe përballje të forta. Besoj se në fund ne do të kualifikohemi në finale pasi do të japim gjithçka nga vetja për ta kaluar këtë pengesë të parafundit”, është shprehur Berisha, i cili ka vlerësuar lart Trepçën.
“Sigurisht se Trepça ka një ekip shumë të mirë dhe nuk do të jetë lehtë. Por ne jemi përgatitur mirë gjatë tërë kësaj kohe dhe jemi gati të japim maksimumin. Është me rëndësi të startojmë me fitore në mënyrë që të kemi avantazh për ndeshjen e dytë. Po ashtu pres edhe përkrahjen e madhe të tifozëve tanë në këtë mision”.
Prishtina është kualifikuar direkt në gjysmëfinale si e para e pjesës së rregullt. Ndërsa Trepça rrugëtimin në plejof e nisi prej çerekfinales. E eliminoi Bashkimin pas dy ndeshjesh.
Trajneri Engin Gençoglu edhe një herë ka insistuar se synimi i tij është ta kthejë titullin e kampionit në Mitrovicë.
“Natyrisht që synimi është titulli i kampionit. Ne do të jemi kampion dhe do të shkojmë në finale të plejofit. Jemi gati dhe të përgatitur”, është shprehur shkurt Gençoglu, i cili këtë vit erdhi në krye të Trepçës për ta kthyer skuadrën në rrugën drejt sukseseve.
Trepça në nismë të edicionit kishte fituar edhe Superkupën Mbarëkombëtare.
Gjysmëfinalja e plejofit
E enjte (20:30)
Prishtina – Trepça