Seria finale e plejofit në Superligën e Kosovës në volejboll është bërë dramatike. Titullin e kampionit po e kërkojnë volejbollistet e Dritës dhe ato të Skenderajt.
Pas tri ndeshjeve, rezultati është 2:1 në të mirë të skuadrës gjilanase. Kampione shpallet skuadra që i shënon tri fitore. Ndeshja e katërt, që potencialisht mund të jetë e fundit, zhvillohet të enjten prej orës 20:15 në palestrën “Ilaz Kodra” në Skenderaj.
Derisa Skenderaj synon barazimin e rezultatit në 2:2, Drita udhëton me shpresë për t’u kurorëzuar me titull të ri.
Skuadra gjilanase kishte fituar dy ndeshjet e para. Të dielën në Gjilan, Drita fitoi dy setat e parë dhe ishte pranë titullit. Por më pas Skenderaj u kthye në lojë. E fitoi setin e tretë me rezultat 25:23 e të katërtin me 25:22. Në setin e pestë dhe vendimtar, Skenderaj fitoi 15:10. Kështu vajzat drenicase e siguruan të paktën edhe ndeshjen e katërt.

“Për ndeshjen e tretë në Gjilan besonim në fitore, ndonëse nuk nisëm në mënyrën e duhur. Por ndeshja përfundoi në mënyrën më të mirë – me fitore. Tani luajmë në shtëpi dhe patjetër që presim fitore. Jemi në formën më të mirë të mundshme dhe këtë vit na duhet titulli i kampionit. Atmosfera do të jetë e zjarrtë. Përkrahja nuk na ka munguar as gjatë kampionatit të rregullt, ndërsa ajo është edhe më e madhe në këtë seri finale. I falënderojmë tifozët tanë që na përkrahin vazhdimisht. Tani na mbetet që të ofrojmë një finale të denjë për tifozët tanë dhe t’i gëzojmë me fitore”, ka thënë Bleona Kadriu, njëra prej volejbollisteve kryesore të Skenderajt.
Ka shumë vjet që Skenderaj është prej skuadrave kryesore të volejbollit në vend. Por Drita ka pasur fjalën kryesore në vitet e fundit. Dhe skuadra gjilanase sërish është më afër titullit. Udhëheq 2:1.
Në fakt edhe dy ndeshjet e para ishin shumë të forta e dramatike. Kështu pritet të jetë edhe të enjten mbrëma.
“Si ekip jemi përgatitur për finalen e katërt të plejofit. Motivi dhe fokusi është në nivelin e duhur. Do të jetë një ndeshje mjaft interesante, ndërsa të dy ekipet i kanë synimet e qarta. Shpresoj në më të mirën për nesër”, ka thënë Dhuratë Sylejmani, njëra prej volejbollisteve kryesore të Dritës.
Nëse seria barazohet në 2:2, ndeshja e pestë dhe vendimtare do të luhej në fundjavë në Gjilan.
Te volejbollistët titulli tashmë është vendosur. Peja ka vazhduar dominimin, duke mposhtur skuadrën Skënderbeu në finale.