Skuadra e Dritës në konkurrencën e femrave është shndërruar në forcë dominuese në volejbollin e Kosovës viteve të fundit. Në shtatë edicionet e fundit, Drita është shpallur gjashtë herë kampione e Kosovës.
Këtë dominim të ekipit gjilanas po synon ta ndalë skuadra e Skenderajt. Në fakt te Skenderaj janë të vendosur për t’i dhënë fund dominimit të Dritës, derisa janë vetëm një fitore larg titullit të kampionit. Të dy ndeshjet e serisë finale që janë zhvilluar deri më tani i ka fituar Skenderaj. Të mërkurën mbrëma Skenderaj ka rastin ta fitojë titullin e kampionit, me fitore në ndeshjen e tretë.
Herën e fundit, Skenderaj është shpallur kampion në vitin 2015 dhe ky është titulli i vetëm i këtij ekipi. Dueli mes Skenderajt e Dritës zhvillohet prej orës 20:00 në qytetin e Gjilanit.
Te Skenderaj janë shprehur maksimalisht të motivuar për ta festuar titullin në palestrën e Dritës, për të paralajmëruar një kthim të fuqishëm në volejbollin kosovar. Sipas volejbollistes Bleona Kadriu, të mërkurën mbrëma Skenderaj do të festojë.
“Titulli i kampionit është i padiskutueshëm, pasi prej fillimit të plejofit jemi përgatitur për këtë sukses. Kemi punuar shumë dhe nuk ka si të mungojë rezultati. Ne do të tregojmë në ndeshjen e tretë që jemi vërtet të pathyeshme dhe kampione. E si kampione do të kthehemi nga Gjilani në Skenderaj. Të mërkurën, Skenderaj feston”, është shprehur Kadriu.
Në anën tjetër, volejbollistet e Dritës nuk janë dorëzuar. Ato nuk po heqin dorë nga titulli, sukses që po duan ta shijojnë për edicionin e tretë rresht. Gjilanaset duan ta mbyllin edicionin me dy trofe, pasi më herët kanë triumfuar në Kupën e Kosovës. Kështu ka insistuar volejbollistja Venera Kadriu, të martën. Sipas saj, Drita është e vendosur për ta fituar ndeshjen e parë të kësaj serie ndaj Skenderajt, fitore që do t’i jepte motiv shtesë në garë për titullin e kampionit. Venera Kadriu ka theksuar se Drita edhe në të kaluarën ka qenë në disavantazh, por ka ditur të kthehet fuqishëm për të festuar në fund me trofe.
“Jemi në një situatë e cila nuk është aspak e re për ekipin tonë. E them këtë pasi edhe në të kaluarën kemi qenë në disavantazh dhe nën presion të tillë, por kemi ditur të rikthehemi fuqishëm. Madje, me rikthim e kemi fituar këtë edicion Kupën e Kosovës dhe të njëjtën gjë synojmë ta bëjmë edhe në garën për titullin e kampionit. Jemi maksimalisht të motivuara dhe të përgatitura për ndeshjen e tretë, të cilën e luajmë në shtëpi. Sigurisht që synojmë fitoren për të dhënë shenjat e para drejt rikthimit dhe mbrojtjes së titullit”, është shprehur Kadriu. “Duam ta shfrytëzojmë përparësinë e terrenit dhe është e rëndësishme ta fitojmë këtë ndeshje”.
Drita pjesën e rregullt të këtij edicioni e ka përfunduar në pozitën e parë, ndërsa Skenderaj doli i dyti. Në serinë gjysmëfinale, Drita ka eliminuar M-Technologien (2:1), ndërsa Skenderaj ishte më i mirë se Fer Volley, që e mposhti me rezultatin e përgjithshëm 2:0.