Sport

Simone Inzaghi nuk është më vëllai i vogël “Superpippos”

Karriera e tij si futbollist u la në hije nga golat dhe sukseset e vëllait të madh. Karriera e tij si trajner deri më tani është shënuar nga dështimet e vogla për të shijuar sukseset e mëdha. Tani – më në fund – Simone Inzaghi duhet të jetë i destinuar të ketë momentin e tij në qendër të vëmendjes. Duke iu afruar gjysmës së edicionit të Serie A në Itali, Interi i Inzaghit kryeson ligën dhe është favorit për të fituar titullin e kampionit. Pasi mposhti rivalin e qytetit Milanin 5:1 në derbin e shtatorit, Interi barazoi me Juventusin (1:1) e vendit të dytë dhe bëri një paraqitje bindëse në fitoren 3:0 ndaj kampionit në fuqi, Napolit, në përballjet e njëpasnjëshme gjatë dy javëve të fundit.

“Ishte një shfaqje force”, tha Inzaghi pas fitores në “Stadio Diego Armando Maradona”. “Por ne kemi shumë punë përpara vetes dhe do t'u qasemi në të njëjtën mënyrë të gjitha ndeshjeve tjera sikur atyre gjatë këtyre tre muajve e gjysmë të fundit”.

Ndërsa Inzaghi luajti në skuadrën e mbushur me yje të Lazios që fitoi Serinë A në vitin 2000, ishte Filippo “Superpippo” Inzaghi ai që fitoi trofetë më të mëdhenj duke ndihmuar Juventusin e Milanin për një seri titujsh vendas dhe evropianë, si dhe Italinë për trofeun e Kupës së Botës në vitin 2006. Tani Filippo është në anën tjetër të Serisë A, pasi është punësuar së fundmi si trajner i Salernitanas, ekip që zë vendin e fundit të tabelë. Vëllezërit Inzaghi janë planifikuar të takohen në muajin shkurt të vitit të ardhshëm.

Ndërsa Simone pati një fillim të suksesshëm të karrierës si trajner te Lazio duke fituar një Kupë dhe dy Superkupa të Italisë, ai u fut në një pozitë të vështirë tek Interi kur Antonio Conte u largua papritur pasi udhëhoqi “Nerazzurrët” drejt titullit të kampionit në Serie A të vitit 2021. Në edicionin e tij të parë, Interi i Inzaghit përfundoi dy pikë pas kampionit të Italisë, Milanit, pas një gare të fortë dhe të gjatë.

Pastaj edicionin e kaluar Interi mundi Milanin në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve përpara se të binte ndaj Manchester Cityt të Pep Guardiolas, megjithëse me një rezultat të respektueshëm 1:0 në finale. Tani, krejt papritur, Inzaghi po krahasohet me trajnerët më të suksesshëm të Interit – Helenio Herrera, Giovanni Trapattoni, Roberto Mancini, Jose Mourinho dhe Conte – edhe pse arritjet e tij më të mëdha me këtë klub mbeten dy Kupa dhe dy Superkupa të Italisë. Arsyet pas lavdërimeve nuk janë vetëm rezultatet. Bëhet fjalë gjithashtu për stilin sulmues të lojës dhe dhuntinë e Interit me formacionin e preferuar 3-5-2 të Inzaghit, i cili ka prodhuar më shumë gola (33) në Serie A dhe ka pësuar më së paku (7). Lautaro Martinez kryeson ligën me 13 gola; Marcus Thuram ka shtuar një dimension të ri pasi zëvendësoi Romelu Lukakun e larguar si partner të Martinezit; Nicolo Barella ka qenë një forcë në mesfushë; mbrojtja nuk ka dështuar pavarësisht dëmtimeve; dhe portieri Yann Sommer ka bërë që tifozët e Interit të harrojnë shpejt lëvizjen e Andre Onanas te Manchester Unitedi.

“Është ende herët dhe çdo gjë mund të ndodhë – ka kaq shumë ndeshje në këtë kohë të vitit, saqë mund të kesh dy ose tri lëndime dhe mund të ndryshojë gjithçka menjëherë – por Interi është një skuadër që luan futboll fizik, teknik dhe racional”, tha selektori i Italisë, Luciano Spalletti, i cili udhëhoqi Napolin drejt titullit edicionin e kaluar dhe më parë ishte në krye të Interit.

Ndeshja e radhës kampionale për Interin është Udinese të shtunën. Më pas Real Sociedadi viziton stadiumin “San Siro” të martën në një ndeshje që do të vendosë se cila skuadër fiton grupin e tyre në Ligën e Kampionëve. Të dyja palët tashmë kanë siguruar kalimin në fazën eliminatore.

“Më në fund të gjithë po i njohin talentet e Simones”, tha babai i Inzaghit, Giancarlo, për “Gazzetta dello Sport”. “Ai ka ndryshuar. Ai është më i menduar dhe i fokusuar në qëllimet e klubit. Ndërsa më parë ai ishte më i qetë dhe bënte më shumë shaka, tani ai gjithmonë mendon për Interin”.