Sport

Sidorela Dodaj, sportistja më e mirë e re e vitit në Kosovë

Sidorela Dodaj

Xhudistja Sidorela Dodaj është sportistja më e mirë e re e vitit 2024 në Kosovë, sipas KOHËS.

KOHA për herë të 26-të ka shpallur sportistët më të mirë të vitit. Shtëpia jonë mburret me traditën më të gjatë në vend të shpalljes së sportistëve më të mirë. Këtë herë më të mirët janë shpallur në emisionin qendror sportiv në KTV, Sporti TOTAL, të transmetuar të dielën mbrëma.

Sidorela Dodaj

Nominimet janë bërë nga Redaksia e Sportit e KOHËS, ndërsa fituesit janë shpallur nga juria profesionale e përbërë nga Afërdia Fazlija, zëvendësdrejtoreshë e Departamentit të Sportit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kushtrim Krasniqi, udhëheqës i Departamentit të Mediave në Komitetin Olimpik të Kosovës, Kemajl Goca, gazetar i sportit në “Bota Sot”, Erdin Hashani, trajner i futbollit dhe Faton Polisi, gazetar i sportit në KOHA.

Dodaj ka fituar në konkurrencë me xhudisten tjetër, Blerina Gashi, notaren Hana Beiqi dhe hendbollisten Arjeta Imeraj. Të gjitha këto kanë pasur suksese ndërkombëtare.

Dodaj ishte e pesta në Kampionatin Evropian U18. I mungoi fati në luftë për medalje të bronztë. Në fakt u shpall fituese, por ndërkohë gjyqtarët ndërruan vendimin për shkak të një kapjeje të gabuar të Sidorelës.

Sidorela Dodaj kishte edhe dy medalje në Kampionate Ballkanike dhe një në Kupë Evropiane.