Pas një mungese prej katër vjetësh, qendra Lis Shoshi është kthyer te Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll. Shoshi është ftuar nga selektori Rami Hadar në grumbullimin për ndeshjet e fazës së tretë të parakualifikimeve për “Eurobasket 2025”, ndonëse nuk ka luajtur për kohë të gjatë.
Basketbollisti pejan prej ditës së parë po stërvitet me përfaqësuese dhe po ndihet i gatshëm për kthimin në parket. Herën e fundit 29-vjeçari luajti për Kosovën në ndeshjen kundër Rumanisë, e cila i takoi fazës së dytë të parakualifikimeve për “Eurobasket 2021”. Ajo ndeshje, të cilën e humbi Kosova, ishte zhvilluar më 24 shkurt të vitit 2019 në Prishtinë. Shoshi për 26 minuta të kaluar në parket kishte 11 pikë, 5 kërcime dhe 3 bllokada.
Më pas shtatlarti pati telashe me lëndime dhe nuk luajti për Kosovën, ndërsa në nivel klubesh ka dy vjet që nuk ka luajtur. Në shtator të vitit 2021, Shoshi iu bashkua ekipit nga Izraeli, Maccabi Rishon, por nuk pati shumë paraqitje. Që nga ajo kohë është përballur me lëndimet të cilat duket se tani i ka tejkaluar. Në stërvitjet me Kosovën, basketbollisti i gjatë 211 centimetra duket në gjendje të mirë fizike dhe se gradualisht po kthehet në formë.
“Janë bërë katër vjet prej herës së fundit që kam qenë me djemtë e përfaqësueses dhe është një ndjenjë shumë e mirë që po rikthehem, pasi ishte një kohë e gjatë. Do të shohim si do të shkojnë gjërat, por shpresoj të përgatitem sa më mirë dhe të kemi rezultate të mira me Kosovën”, tha Shoshi.
Ai shpreson që të mos ketë më telashe me lëndimet, ndërsa thekson se është stërvitur individualisht gjatë tërë vitit për të qenë gati. Periudhën e lëndimeve Shoshi e quan të vështirë.
“Ishte një periudhë e vështirë me lëndime, të cilat ishin prej më të rëndave. Por tani me duket se jam rikthyer dhe po ndihem mirë për këtë. Në vitin 2019 ka qenë ndeshja e fundit me Kosovën, ndërsa ka dy vjet që nuk kam luajtur për shkak të lëndimit, por po shpresoj që të mos kem më telashe. Mirë po duken rikthimi dhe gjendja fizike, shpresoj se kanë marrë fund lëndimet dhe nuk do të kem më telashe. Për momentin çdo gjë është mirë”, shtoi Shoshi.
Ai ndihet gati për të luajtur dhe për ta ndihmuar Kosovën. Thotë se gradualisht po përshtatet me punën dhe kërkesat e trajnerit Hadar.
“Kam stërvitur gjatë tërë vitit, por ndryshe është kur stërvitesh i vetëm dhe ndryshe me ekip. Tash po punoj çdo ditë dhe do të shohim si shkojnë punët. Gjërat po shkojnë mirë një herë, pasi tash ka ardhur trajneri i ri, ka sjellë ide të reja dhe po mundohem të përshtatem në atë që po kërkon ai. Duhet të përgatitem fizikisht sa më mirë pasi ai kërkon një lojë të shpejtë dhe sa më agresive, në të cilën po përpiqem të adaptohem”, tha Lis Shoshi.
Ai aktualisht është pa skuadër. I pyetur për të ardhmen, Shoshi tha se ende është herët të flitet për angazhim në klub. Insistoi se është tërësisht i fokusuar ta ndihmojë Kosovën në parakualifikime dhe pastaj të shoh për të ardhmen.
Kosova do t’i zhvillojë katër ndeshje në kuadër të Grupit H, të cilin e përbëjnë edhe Zvicra e Danimarka. Ndeshjen e parë e luan më 19 korrik në Prizren kundër Zvicrës, përpara se dy përballje t’i luajë në udhëtim. Do të përballet me Danimarkën (26 korrik) dhe Zvicrën (29 korrik), për ta mbyllur ciklin më 5 gusht në Prizren kundër Danimarkës.