Krahqendra amerikane, Dustin Thomas, është prej basketbollistëve më të mirë aktualisht në Kosovë. Thomas prej fillimit të edicionit është te Prishtina, që nuk e ka fituar titullin e kampionit të Kosovës prej vitit 2019.
Thomas 27-vjeçar është i vendosur ta ndihmojë Prishtinën për ta kthyer trofeun e kampionit. Ky do të ishte edhe titulli i parë për Thomasin në karrierë. Ai me Prishtinën e ka fituar Superkupën e Kosovës, por insiston se titulli është dëshira e madhe për këtë edicion.
Prishtina është në gjysmëfinale të plejofit, ndërsa në ndeshjen e parë triumfoi 82:70 ndaj Trepçës, të enjten mbrëma. Si zakonisht, Thomas ishte më i dalluari te Prishtina. Amerikani e mbylli ndeshjen me 20 pikë, shtatë kërcime e pesë asistime.
Ndeshja e dytë gjysmëfinale luhet në Mitrovicë, të dielën prej orës 17:15.
Thomas, 203 centimetra i gjatë, insiston se Prishtina ka forcën dhe cilësinë për ta fituar ndeshjen e dytë. Ai ndër të tjera shquhet edhe për sigurinë e madhe në lojë dhe për konsistencën.
“Titulli i kampionit është synimi prej fillimit të sezonit. Pra, duam ta kthejmë titullin në Prishtinë dhe unë do të bëjë të pamundurën për ta ndihmuar klubin në këtë mision. Ky është plani im dhe i bashkëlojtarëve dhe do të shkojmë ndeshje pas ndeshjeje derisa ta realizojmë. Mund të na duhen edhe shumë ndeshje, por jemi gati për t’i përballuar me sukses të gjitha”, është shprehur Thomas të premten për KOHËN.
“Në përgjithësi jam i lumtur me ekipin, por edhe me lojën time që e kam treguar deri më tani. Sigurisht, vlerë më të mëdha ka paraqitje ekipore që e kemi bërë dhe për këtë ndihem krenar”.
Thomas iu bashkua Prishtinës në fillim të kampionatit dhe në Superligën e Kosovës po luan me mesatare prej 17 pikëve, tetë kërcimeve dhe tri asistimeve për ndeshje. Ka statistikat më të mira në skuadër dhe prej më të mirave në ligë. Para se t’i bashkohej Prishtinës, Thomas karrierë në Evropë ka bërë edhe në Qipro, Izrael, Finlandë e Francë. Ai thotë se ka pasur njohuri për Prishtinën prej sezonit të shkuar, kështu që kur mori ofertën nuk hezitoi për ta pranuar.
“Kam luajtur kundër Prishtinës vitin e shkuar në Ligën Ballkanike dhe e kam njohur shumë mirë. Po ashtu kam njohur edhe disa prej djemve. Kështu që kur më thirrën për të qenë pjesë e ekipit për këtë edicion, mendova se është vendi i duhur për ta fituar titullin e kampionit”, ka thënë Thomas. “Ende nuk kam fituar titull, por kam besim se këtë do ta bëjë me fanellën e Prishtinës dhe do të ishte diçka madhështore”.
Thomas vlerëson se cilësia në kampionatin e Kosovës është e mirë dhe se ka shumë ekipe që luftojnë për trofe. Në garën për titull kanë mbetur katër skuadra. Thomas është i lumtur që ka fituar Superkupën.
“Mendoj se Superliga e Kosovës është e fortë edhe pse mund në të ardhmen që të ketë më shumë ekipe të forta. Mendoj se ekipet mund të luajnë në Evropë dhe këtë sezon kanë dëshmuar një gjë të tillë”, është shprehur basketbollisti amerikan. “Jam gëzuar që kemi fituar Superkupën dhe kemi bërë një punë të mirë gjatë tërë sezonit, por objektivi kryesor mbetet titulli i kampionit dhe nuk do të dorëzohemi për asnjë moment pa e arritur këtë synim”.
Thomas thotë se ka mbetur i impresionuar edhe me atmosferën që është krijuar këtë edicion nëpër palestrat kosovar.
“Përfundimisht atmosfera nëpër palestra ka qenë fantastike dhe e zjarrtë, duke bërë që ndeshjet të jenë më të forta, më emocionuese. Atmosfera ka bërë që ekipet të japin gjithçka nga vetja dhe jam shumë i nderuar që këtë sezon jam pjesë e kësaj lige dhe ekipit të Prishtinës”.
Amerikani shtoi se Prishtina është e motivuar për ta fituar ndeshjen e dytë ndaj Trepçës, ndonëse pranoi se nuk do të jetë lehtë, sidomos në Mitrovicë ku skuadra vendase ka përkrahjen e madhe të tifozëve. Ai vlerësoi Trepçën si ekip të fortë dhe shtoi se kjo seri e gjysmëfinales mund të konsiderohet si finale para finales.
Trepça e ka fituar Kupën e Kosovës, duke e mposhtur në finale Prishtinën.
Thomas është njëri prej pesë amerikanëve që Prishtina ka në radhët e veta. Pjesë e ekipit kryeqytetas janë edhe Derrick Wilson, Brooks DeBisschop, Both Gach dhe Nate Grimes. Fundori Wilson po ashtu ka shfaqur stabilitet si pak të huaj të tjerë.
Prishtina këtë edicion nuk arriti të kualifikohet në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup, ndërsa u paraqit edhe në ENBL League, ku u eliminua në çerekfinale.