Gjëja e parë që bie në sy në sallën e klubit të karatesë, Sharri, janë medaljet dhe kupat, të fituara kryesisht në Kosovë dhe në vende të rajonit.
Por jo të gjitha kupat dhe medaljet e fituara kanë zënë vend në raftin e vogël në sallën të cilën karateistët e klubit Sharri e shfrytëzojnë rregullisht për ushtrime.
Sukseset e tyre janë të mëdha. Edhe më të mëdha janë synimet.
“Medaljet evropiane dhe botërore, ky është qëllimi ynë. Shpresojmë se do t’i arrijmë këto medalje në të ardhmen”, thotë trajneri i klubit Sharri, Qëndrim Shaqiri, për KOHËN.
Shaqiri lë të kuptohet se medaljet nga ngjarjet e mëdha i pret në të ardhmen. Por trajneri ferizajas është i kënaqur me sukseset e nxënësve të tij. Thotë se klubi i themeluar në vitin 1997 është duke kaluar një nga momentet më të mira.
“Kemi kampionë nga të gjitha grupmoshat. Por ne nuk do të ndalemi me kaq. Synimet i kemi edhe më të mëdha. Do të vazhdojmë tutje me punë dhe angazhim për t'i realizuar synimet që kemi”.
Klubi i karatesë, Sharri, e zuri vendin e parë në Kampionatin e Kosovës për kadetë, juniorë, grupmoshën U21 dhe seniorë, që muajin e kaluar u organizua në Prishtinë. Karateistët e klubit nga Ferizaj fituan 12 medalje të arta, tri të argjendta dhe dy të bronzta. Suksesi nuk u mungoi as në Kampionatin e Kosovës për grupmoshat prej 7 deri 14 vjet, që u organizua javën e kaluar. Sharri fitoi shtatë medalje të arta, tetë të argjendta dhe shtatë të bronzta.
Pra, nga dy kampionatet e Kosovës, Sharri nxori 19 kampionë, 11 nënkampionë dhe nëntë garues me vende të treta. Totali i medaljeve është 39.
Suksesi në Kampionatin e Kosovës për trajnerin Qëndrim Shaqiri është dëshmi e punës së madhe që po bën me karateistët.
Ai thotë se është dashur shumë punë, mund dhe angazhim për të arritur suksesin.
“Më gëzon fakti që puna është shpërblyer për vitin kalendarik 2024. Kampionati është shumë domethënës dhe kemi siguruar pjesëmarrjen me dy garues seniorë në Kampionatin Evropian që mbahet gjatë muajit maj. Kjo është një arritje e madhe për ne si klub”, është shprehur Shaqiri.
Klubi Sharri do të përfaqësohet me dy garues në Kampionatin Evropianin që mbahet në Zarë të Kroacisë nga 8 deri më 12 maj.
Fatjon Bajrami dhe Behije Mustafa do të paraqiten në Evropianin në Kroaci.
“Unë shpresoj që do të korrim suksese. Fatjoni merr pjesë për herë të parë si senior në kategorinë e vet dhe Behija në garat ekipore të Kosovës. Përgatitje kanë të mjaftueshme, tash vetëm angazhimi u duhet, edhe pse si seniorë është krejt ndryshe. Por unë besoj se mund ta kalojnë këtë sfidë”, ka thënë trajneri i Sharrit.
Fatjon Bajrami është 18-vjeçar, ndërsa Kosovën do ta përfaqësojë për herë të parë si senior në Evropian. Ai paraqitet në kategorinë deri 75 kilogramë.
“Synimi është medalja dhe besoj se me punën e trajnerëve është e arritshme ngjitja në podium. Dua ta gëzoj familjen, klubin dhe shtetin”, ka thënë Bajrami.
Ai e di se për të arritur sukses duhet shumë punë dhe sakrificë.
Edhe karateistja 18-vjeçare, Behije Mustafa, do të jetë pjesëmarrëse në Evropianin në Kroaci. Ajo do të jetë vetëm në garat ekipore të Kosovës.
“Po besoj dhe shpresoj që me punë dhe angazhim do t'i arrij sukseset si Evropiane ashtu edhe Botërore”, thotë karateistja premtuese.
Ajo është garuese e kategorisë deri 68 kilogramë.
“Për të arritur një sukses të madh duhet shumë punë dhe sakrificë. Unë kam punuar shumë dhe do të vazhdoj të punoj derisa të arrij deri te medaljet e mëdha”, ka theksuar Mustafa.
Një prej medaljeve më të rëndësishme të Sharrit që ndodhet në vitrinën e klubit është e Behije Mustafës. Mustafa ka fituar medalje të bronztë në vitin 2021 në Evropianin për kadetë, juniorë dhe garues të grumposhës U21.
Të tjera medalje të mëdha shpresohet se do t’i bashkohen asaj.