Sport

Sessoms, amerikani që po e udhëheq Vëllaznimin në serinë impresive

Fundori i Vëllaznimit, Samuel Sessoms, më të drejtë e ka fituar çmimin “MVP i Javës” që e ndan Federata e Basketbollit e Kosovës pas secilës xhiro të Superligës.

Amerikani të hënën u shpall lojtari më i mirë i xhiros së tetë pas paraqitjes impresive që e pati ndaj Pejës. Në fakt, Sessoms ishte më i merituari që Vëllaznimi e mposhti Pejën 100:99 për t’ia shkaktuar humbjen e parë kampiones në fuqi këtë edicion. Ai ndeshjen e së shtunës e mbylli me 30 pikë, 8 kërcime e po aq asistime për ta ndihmuar Vëllaznimin që ta regjistrojë fitoren e katërt rresht. Me paraqitjen e mirë ndaj Pejës, Sessoms vetëm e konfirmoi formën e lartë që po e kalon këtë edicion.

Sessoms pranoi se ndihet i nderuar me çmimin e fituar, por shtoi se mund të luajë edhe më mirë dhe se këtë do ta dëshmojë ndeshje pas ndeshjeje. Aktualisht Sessoms është lojtari më i dalluar te Vëllaznimi pasi ka një mesatare prej 20 pikëve, 5 kërcimeve e katër asistimeve për ndeshje në tetë xhirot e para. Për basketbollistin amerikan ky është viti i parë si profesionist.

“Sinqerisht nuk jam i kënaqur me atë që kam treguar deri më tani, pasi ndiej se kam ende shumë hapësirë për t’u rritur dhe për të përmirësuar lojën time. Synimi im është që ekipi i Vëllaznimit të vazhdojë me fitore, ndërsa unë të luaj edhe më mirë në secilën ndeshje”, ka theksuar Sessoms për KOHËN, të hënën.

Sessoms ishte përforcimi i dytë i Vëllaznimit para fillimit të këtij edicioni. Ai iu bashkua ekipit gjakovar nga ekipi i kolegjit Coppin State në NCAA 1, ku kishte pasur mesataren prej 20 pikëve për ndeshje.

“Ndihem mirë te Vëllaznimi. Ky është viti im i parë si profesionist dhe të gjithë më kanë mirëpritur. Kontaktet më skuadër kanë qenë nëpërmjet agjentit tim”, shtoi Sessoms.

Vëllaznimi nuk e nisi mirë edicionin pasi i humbi katër ndeshjet e para, përpara se të futej në seri prej katër fitoreve. Kjo seri e ngriti në pozitën e pestë në tabelë me 12 pikë të mbledhura. Para Pejës, skuadra gjakovare e mposhti edhe Sigal Prishtinën, Istogun dhe Golden Eagle Yllin. Triumfin e synon edhe ndaj Bashkimit, në ndeshjen që do të luhet në vikend në Gjakovë në kuadër të xhiros së nëntë.

“Unë besoj se ekipi ynë është i talentuar dhe ne mund ta fitojmë çdo ndeshje apo edhe mund ta humbasim secilën ndeshje. Ne vetëm duhet të qëndrojmë të përulur dhe të disiplinuar. Nëse luajmë fort në secilën ndeshje, atëherë kemi gjasa për të fituar shumë duele që do t’i kemi këtë edicion”, shtoi Sessoms. “Sinqerisht, ne thjesht vazhduam të punonim shumë çdo ditë dhe puna filloi të shfaqej në këto katër ndeshjet e fundit. Besoj se çdo ndeshje që kemi pasur me trajnerin e ri jemi bërë gjithnjë e më mirë”.

Sessoms ka fjalë të mëdha për Superligën e Kosovës, ndërsa sa i përket synimit të Vëllaznimit thotë se është i ngjashëm me atë të edicionit të shkuar – ta siguroj mbijetesën në elitë dhe të paraqitet në garat e plejofit.

Vëllaznimi edicionin e shkuar përfundoi në pozitën e gjashtë, për t’u kualifikuar në plejof ku u eliminua në serinë çerekfinale.

“Është një ligë e fortë dhe cilësore, pasi secili ekip është i mirë dhe ka shumë lojtarë të mirë. Objektivi i ekipit tonë është që të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe të vazhdojmë të punojmë shumë. Nëse i bëjmë këto gjëra, atëherë mund të jemi sërish në plejof”, u shpreh Sessoms.

Sa i përket atmosferës nëpër palestra, Sessoms thotë se është e jashtëzakonshme. Ndërsa shton se kur Vëllaznimi luan në shtëpi dhe ka përkrahjen e fuqishme të tifozëve, atëherë është ekip i vështirë për t’u mposhtur. Sessoms thotë se deri në fund të edicionit do të përpiqet të vazhdojë me paraqitje të mira dhe ta ndihmojë Vëllaznimin.

23-vjeçari nuk e përjashton mundësinë që edhe edicionin tjetër të luajë në Kosovë, ndonëse pranon se të ardhmes nuk i dihet.

“Gjithçka është momentale, kurrë nuk e di se çfarë mund të ndodhë. Janë shumë faktorë që hyjnë në lojë kur merrni një vendim se ku të luani”, u shpreh Sessoms. Vëllaznimi ka edhe amerikanë tjerë në përbërje që, po ashtu, janë të rëndësishëm për skuadrën.