Sport

Rriten ambiciet e Trepçës, synon të shkojë përtej stinorit të rregullt

Kualifikimi në stinorin e rregullt të FIBA Europe Cup është pritur me entuziazëm të madh te basketbollistët e Trepçës. Tek ekipi mitrovicas insistojnë se në stinorin e rregullt nuk do të kënaqen vetëm me pjesëmarrje, pasi synimi është t’i fitojnë ndeshjet dhe të avancojnë në fazën nokaut të garës evropiane.

Trepça të enjten mbrëma për herë të parë e siguroi pjesëmarrjen në fazën e rregullt grupore në FIBA Europe Cup. Suksesin e arriti në tentimin e dytë, duke e zhvilluar me triumfe turneun kualifikues. Doli e para në Grupin C të kualifikimeve pasi e mposhti Tindastollin dhe Parnun, në ndeshjet e zhvilluara në Estoni.

Në sezonin e rregullt të FIBA Europe Cup, Trepça do të jetë pjesë e Grupit G të cilin e përbëjnë edhe Hapoel Galil Elion i Izraelit, ZZ Leiden i Holandës dhe Gravelines Dunkerque i Francës.

Ndeshjet e para të stinorit të rregullt zhvillohen më 18 tetor, ndërsa Trepça luan në Izrael ndaj Hapoel Galil Elionit.

Amerikani Kevin Davis, që po del të jetë përforcim i qëlluar i Trepçës këtë edicion, insistoi se misioni i ekipit nga Mitrovica nuk është kompletuar vetëm me kualifikim në stinor të rregullt. Ai ka thënë se misioni do të jetë i kompletuar kur Trepça të avancojë nga grupi i saj.

Davis ndaj Parnu të Estonisë ishte ndër më të dalluarit te Trepça. Ndeshjen e mbylli me 17 pikë. Ndaj Tindastollit islandez kishte 15 pikë.

“Ne e arritëm synimin tonë e që ishte kualifikimi në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup. Por misioni nuk është kompletuar. E them këtë për shkak se nuk do të kënaqemi vetëm me këtë arritje, por do të synojmë të fitojmë ndeshje dhe pse mos ta kalojmë grupin. Mendoj se kemi cilësi dhe mund t’ia dalim, sidomos në ndeshjet që i luajmë në shtëpi ku do ta kemi përkrahjen e fuqishme të tifozëve tanë fantastikë”, ka theksuar Davis të premten për KOHËN.

“Përfundimisht jam i bindur që në ndeshjet e grupit do të bëjmë zhurmë si ekip dhe do t’u nxjerrim telashe të gjithë kundërshtarëve. Edhe për këtë arsye nuk mund të jem i kënaqur vetëm me kualifikim pasi dua më shumë dhe besoj shumë se mund t’ia dalim me sukses”.

Davis nuk foli shumë për kundërshtarët. Tha se kanë kohë t’i analizojnë dhe të përgatiten për secilin veç e veç.

Hapoel Galil Elioni ka një titull kampioni të Izraelit, të cilin e ka fituar në vitin 1993. Ka edhe dy kupa të fituara në vitet 1988 dhe 1992, ndërsa suksesin e fundit e ka regjistruar vitin e shkuar kur triumfoi në Ligën Ballkanike.

ZZ Leiden është ekip i suksesshëm në Holandë, pasi edicionin e fundit është shpallur kampion dhe ka fituar Kupën e Superkupën. Ka në total katër tituj kampioni, katër kupa dhe katër Superkupa.

Ndërkohë, Gravelines Dunkerque ka një trofe të fituar, atë të Kupës së Francës në vitin 2005. Por liga franceze është shumë cilësore.

Trepça është nënkampione dhe fituese në fuqi e Kupës së Kosovës, ndërsa këtë edicion e ka nisur me triumf në Superkupë. Krahas Trepçës në sezonin e rregullt të FIBA Europe Cup do të paraqitet edhe skuadra e Pejës. Kampionia e Kosovës është pjesë e Grupit H, së bashku me Niners Chemnitz (Gjermani), Heroes Den Bosch (Holandë) dhe PGE Spojnia Stargar (Poloni). Peja u zhvendos në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup, pasi dështoi në turneun kualifikues të Ligës së Kampionëve, ku pësoi në çerekfinale nga Bakken Bears.

Kjo është hera e dytë që dy ekipe nga Kosova paraqiten në FIBA Europe Cup në të njëjtin edicion. Në edicionin 2016/17 u paraqitën Sigal Prishtina e Peja. Edhe Golden Eagle Ylli luajti edicionin e shkuar por u eliminua në fazën e grupeve. Prishtina ka më së shumti paraqitje në këtë garë, katër, dhe në një rast pati arritur deri në 1/8 e finales.