Sport

Rikthimi i Gashit tek Ylli pas lëndimit që e mbajti katër vjet jashtë parketit

Prezantimi i basketbollistit Artin Gashi si përforcim për edicionin 2023/24 te Golden Eagle Ylli ishte një befasi e madhe për të gjithë. Jo për faktin se Gashi nuk është i njohur në basketbollin kosovar, por për shkak të periudhës që qëndroi jashtë parketit. Shkaku i lëndimit të ligamentit të gjurit të djathtë, Gashi për katër vjet nuk ka luajtur basketboll dhe gjatë kësaj periudhe është marrë me rehabilitimin e tij të plotë. Madje, për një moment atij i kishte shkuar në mendje që të tërhiqet plotësisht nga ky sport, por gjithçka ndryshoi kur vendosi ta testoj veten në fillim të këtij viti duke u stërvitur individualisht. Ai e kuptoi se më nuk ka telashe me lëndime dhe insiston se do të jetë plotësisht i gatshëm për edicionin e ri. Gashi, lëndimin e pati pësuar duke luajtur për Yllin, ku edhe ishte kapiten i ekipit. Tani, ai po rikthehet te skuadra e qytetit të tij me shpresën se do ta ndihmojë drejt sukseseve në edicionin e ri.

“Katër vjet kam qenë jashtë basketbollit për shkak të lëndimeve. Saktësisht, shkaku i lëndimit të ligamenteve të gjurit dhe pastaj lëndimeve tjera që i kam pasur. Mund të them se ka qenë një periudhë jashtëzakonisht e vështirë dhe disa herë e kam menduar tërheqjen nga ky sport. Mirëpo, muaj më parë e kuptova se jam gati fizikisht, nuk kam lëndime dhe vendosa të kthehem aty ku e kam lënë, te Ylli”, ka thënë Gashi të hënën për KOHËN. “Ka 6 muaj që stërvitem individualisht dhe nuk kam pasur as problemin më të vogël. Kështu që, tani me padurim pres stërvitjet me ekipin për t’u bërë gati për edicionin e ri dhe për t’u rikthyer në mënyrën më të mirë të mundshme”.

Synimi i Gashit është që në edicionin e ri, të fitoj trofe me Yllin, ekip që ka fituar dy tituj kampioni gjatë mungesës së tij (2021, 2022). Gjatë kohës sa ishte i lënduar dhe jashtë parketit, Gashi thotë se e ka përcjellë Yllin pothuajse në çdo ndeshje.

“Sigurisht, që e kam përcjellë Yllin, pasi është ekipi i qytetit tim dhe aty kam filluar me basketbollin. Në fakt, ndihesha i paplotësuar të tërhiqesha për shkak se gjithmonë kam dashur dhe ëndërruar të fitoj trofe me Yllin. Ylli ka fituar dy tituj kampioni dhe tani jam kthyer për ta përmbushur karrierën time, pra të fitoj trofe me fanellën e ekipit të qytetit”, është shprehur Gashi.

Gashi (203 cm) luan në pozitën e qendrës dhe ka karrierë të pasur në basketbollin e Kosovës. Krahas Yllit, ai karrierë ka bërë edhe te Bashkimi, Trepça e Peja. Madje, me skuadrën e Pejës pati fituar titullin e kampionit të Kosovës në vitin 2013.

“Personalisht, ndihem gati për edicionin e ri por pastaj i mbetet trajnerit të vendos se sa do të luaj. E rëndësishme për mua është që jam kthyer pas katër vjetësh që nuk ishin aspak të lehta për mua dhe synimet i kam të mëdha. Do të doja një titull me Yllin, pasi një sukses të tillë e kam me Pejën por para një dekade”, shtoi Gashi. “Mendoj se kemi ekip për edicionin e ri, pasi ende nuk jemi kompletuar me lojtarët e huaj. Ylli vitet e fundit, e ka dëshmuar veten si ekip pretendent dhe sigurisht që edhe në edicionin e ri, do të futemi me synime të mëdha”.

Sipas Gashit, edicioni 2023/24, do të jetë njëri prej edicioneve më interesante në elitën e basketbollit kosovar, bazuar në lëvizjet që i kanë bërë klubet deri më tani në përgjithësi. Hera e fundit e Gashit në Superligë ishte edicioni 2018/19, në të cilin pati një mesatare prej 10 pikëve e 5 kërcimeve për ndeshje deri në momentin kur pësoi lëndimin e rëndë.