Me Realin që po kalon një moment të mirë dhe Atleticon që është në një rënie të lehtë, rivalët e qytetit të Madridit takohen në gjysmëfinalen e Superkupës së Spanjës në Arabinë Saudite, të mërkurën mbrëma. Është e para prej tri ndeshjeve mes këtyre dy skuadrave që do të zhvillohen për më pak se një muaj.
Pas Superkupës, Real Madridi dhe Atletico do të përballen më 18 janar në 1/8 e finales të Kupës së Mbretit dhe më pas më 4 shkurt në stadiumin “Santiago Bernabeu” në ndeshjen e tyre të dytë të këtij edicioni në ligën spanjolle.
Real Madridi ka fituar pesë ndeshjet e fundit në të gjitha garat dhe po kalon një seri pa humbje prej 19 ndeshjesh. Humbja e vetme e skuadrës së Carlo Ancelottit këtë edicion erdhi kundër Atleticos në ligën spanjolle. Ekipi i Diego Simeones triumfoi 3:1 në stadiumin “Metropolitano”, ku do të zhvillohet ndeshja e vetme eliminatore e Kupës javën e ardhshme. Ky stadium është gjithashtu vendi ku Atletico fitoi 20 ndeshje radhazi në të gjitha garat për të barazuar rekordin e klubit në serinë që përfundoi me një barazim 3:3 kundër Getafes në ligën spanjolle në dhjetor.
“Kjo është vetëm njëra prej tri ndeshjeve që do ti kemi me Atleticon brenda një periudhe të shkurtër. Sigurisht, të gjitha janë të rëndësishme dhe të gjitha duam ti fitojmë. Do ta fillojmë me Superkupën e Spanjës, trofe që e duam me çdo kusht për të konfirmuar formën e mirë të këtij edicioni”, ka thënë sulmuesi i Real Madridit, Joselu.
Skuadra e Simeones vazhdoi një ecuri pozitive pas asaj fitoreje në shtëpi kundër Realit, duke avancuar nga faza e grupeve të Ligës së Kampionëve dhe duke u afruar në krye të kampionatit spanjoll. Por kohët e fundit, Atletico ka pësuar rënie pasi i ka fituar vetëm dy nga pesë ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Një nga dy humbjet e saj të fundit erdhi në Girona, skuadra e vendit të dytë, në gjysmën e edicionit të La Ligas. Humbja 4:3 e zhvendosi Atleticon në vendin e pestë, me dhjetë pikë më pak se Reali.
“Kemi mundësinë të rikthehemi pas rezultateve jo të mira të fundit. Jemi gati dhe maksimalisht të përgatitur për një ndeshje të fortë, të cilën duam ta fitojmë”, tha Simeone.
Atletico dhe Reali u takuan në finalen e vitit 2020, me ekipin “mbretëror” që fitoi me penallti në atë që shënoi herën e parë që Superkupa u dërgua në Arabinë Saudite në një marrëveshje shumëvjeçare fitimprurëse për klubet dhe federatën spanjolle të futbollit. Formati i ri “final-four” i Superkupës bashkon dy skuadrat më të mira në ligën spanjolle në edicionin kaluar dhe dy finalistët e fundit të “Copa del Rey”. Gjysmëfinalja tjetër do të luhet të enjten mes Barcelonës dhe Osasunas, ekip që pësoi edicionin e shkuar në finalen e Kupës.
Barcelona mposhti Realin në finalen e Superkupës së vitit të kaluar për të fituar trofeun e parë që nga ardhja e trajnerit Xavi Hernandez dhe largimi i Lionel Messit.
Barcelona është e treta në ligën spanjolle, me shtatë pikë prapa Real Madridit dhe Gironas. Ndërkohë Osasuna renditet në pozitën e 12-të.
Ndeshjet zhvillohen prej orës 20:00.