Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka pasur 2 mijë e 676 euro më pak të hyra në vitin 2024 se në vitin 2023. Vjet në xhirollogarinë e KOK-ut kaluan 2 milionë e 137 mijë e 659 euro, ndërsa në vitin 2023 të hyrat e KOK-ut ishin 2 milionë e 140 mijë e 335 euro.
Por KOK-u në vitin 2024 shpenzoi më shumë se në vitin 2023 për paga dhe kompensime të tjera. Saktësisht 193 mijë e 102 euro i shpenzoi për paga dhe kompensime të tjera në vitin 2024, ndërsa në vitin 2023 pati shpenzime prej 165 mijë e 819 eurosh për këto kategori.
Për “shpenzime administrative” KOK-u vitin e kaluar ndau 107 mijë e 348 euro, kurse shpenzimet e vitit 2023 për këtë kategori ishin 85 mijë e 42 euro.
Raporti financiar dhe ai i auditimit, si dhe materiali tjetër për Asamblenë e Përgjithshme dhe Zgjedhore të KOK-ut për vitin 2025 u është dërguar federatave sportive të vendit. Asambleja e KOK-ut do të mbahet më 7 shkurt.
Edhe shpenzimi për auditim për vitin 2024 është rritur nga viti 2023. Auditimi në total për vitin e kaluar KOK-ut i kushtoi 4 mijë e 720 euro, ndërsa në vitin 2023 i kushtoi 2360 euro.
Rritje vërehen edhe sa u përket shpenzimeve për zyrë. Vjet janë shpenzuar 59 mijë e 580 euro, ndërsa në vitin 2023 ishin shpenzuar 44 mijë e 918 euro.
Ndërkohë ka ulje në disa kategori të shpenzimeve. Për shembull, për mëditje të Bordit dhe stafit për udhëtime zyrtare, KOK-u në vitin 2023 shpenzoi 102 mijë e 247 euro, ndërsa vitin e kaluar 75 mijë e 874 euro.
KOK-u ka përfituar financiarisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, Komiteti Olimpik i Evropës, Solidariteti Olimpik, sponsorizuesit, kotizimet e federatave olimpike e disa burime të tjera.
Komiteti Olimpik i Evropës ndau 127 mijë e 501 euro për KOK-un në vitin 2024. KOK-u nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar pati të hyra prej 324 mijë e 228 eurosh, nga kotizimet 9 mijë e 300 euro, e nga MKRS-ja 1 milion e 300 mijë euro.
Në të hyrat e MKRS-së përfshihen 900 mijë euro nga memorandumi e 400 mijë euro për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”. Nga sponsorët, KOK-u përfitoi 255 mijë e 403 euro.
KOK-u synon rritjen e buxhetit. Delegatëve në Asamble do t’u paraqitet “draftbuxheti” për vitin 2025.
Sipas draftit, KOK-u parasheh rritje të buxhetit në vlerë prej 2 milionë e 946 mijë e 954 euro.