Interi, që është lider në Serie A të Italisë, i detyrohet kryesisht trajnerit Simone Inzaghi për këtë pozitë. Sipas lojtarëve të Interit, Inzaghi ka “zemër të madhe” dhe ka aftësi të shkëlqyera menaxhimi. Kështu ka theksuar mesfushori Hakan Calhanoglu. Ylli turk do të jetë në qendër të mesfushës kur Interi do të përballet me Veronën e vështirë të shtunën, me klubin nga qyteti i Milanos që kërkon të ruajë epërsinë prej dy pikëve ndaj Juventusit në tabelë.
Ndërkohë, Inzaghi do të shpresoj se vëllai i tij më i madh, Filippo, mund ta ndihmojë Interin dhe të shkaktojë një befasi të madhe kur skuadra e tij Salernitana, e cila është në fund të tabelës, pret Juventusin të dielën. Salernitana u eliminua të enjten mbrëma në 1/8 e finales të Kupës së Italisë nga Juventusi, i cili triumfoi me rezultatin e thellë 6:1 në Torino.
“Do të ishte mirë të kemi pak ndihmë nga Filippo edhe pse do ta ketë shumë të vështirë për ta ndalur Juventusin. Megjithatë, ne duhet të fitojmë ndaj Veronës dhe të përfundojmë si kampion të dimrit për të arritur njërin prej synimeve që e kemi këtë edicion”, ka pranuar Simone Inzaghi.
Për dallim prej trajnerit Inzaghi, i cili do ta ketë vëmendjen edhe te dueli mes Salernitanas dhe Juventusit, mesfushorit Calhanoglu aspak nuk i intereson rezultati i asaj ndeshjeje. Ai thotë se çfarëdo që të bëjë Juventusi, nuk është fare me interes për të.
“Unë nuk e shikoj fare Juventusin dhe nuk me interesojnë rezultatet e tij. Unë e shikoj vetëm Interin pasi ky ekip ka rëndësi për mua. Në fakt unë as nuk i dëgjoj rezultatet e Juventusit sepse jam i fokusuar tek ekipi im”, insistoi 29-vjeçari, i cili iu bashkua Interit në vitin 2021 si lojtar i lirë, nga Milani.
Besimi i Calhanoglut tek Inzaghi – i cili mori Interin në vitin 2021 – përshkruhet nga refuzimi i turkut për një lëvizjeje fitimprurëse në një klub saudit dhe rinovimi i kontratës në vend të kësaj. Cilësitë personale të Inzaghit kanë ngjallur një reagim pozitiv edhe te lojtarët. Dy trofe radhazi të Kupës së Italisë dhe një arritja në finalen e Ligës së Kampionëve edicionin e shkuar, janë dëshmi e aftësive të 47-vjeçarit për të motivuar skuadrën e tij. Falë tij, Calhanoglu, që këtë edicion ka tetë gola në 22 paraqitje në të gjitha garat, thotë se Interi po rritet.
“Mënyra se si ai flet dhe si sillet me ne e bën Inzaghin të veçantë. Ai gjithmonë dëshiron të fitojë dhe zemërohet kur ne ngadalësojmë ritmin”, tha Calhanoglu për karakteristikën më të madhe të Inzaghit.
“Pasi të përfundojë seanca stërvitore, ai ka një zemër të madhe, është shumë i qetë dhe mund të flasim për çdo gjë me të. Nuk mund të bësh gjithçka në një vit. Ne mbërritëm në klub në të njëjtin moment dhe të gjithë po rritemi në fushë”.
Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri, refuzon të flasë për titullin, duke u fokusuar në një objektiv më modest.
“Ne duhet të arrijmë në top katërshe. Duhet të respektojmë kundërshtarët, përndryshe do të jetë vështirë. Pra, duam që edicionin tjetër të luajmë në Champions”, insistoi Allegri.
Filippo Inzaghi - i cili gëzoi një karrierë shumë më të suksesshme si lojtar sesa vëllai i tij më i vogël, por karriera e të cilit si trajner ka qenë më e dobët, shpreson se mund të motivojë lojtarët e tij për ndeshjen e së dielës me Juventusin. Salerinatas për këtë duel i rikthehen veteranët Federico Fazio dhe Antonio Candreva.
“Të dielën do të kthehen dy kapitenë si Fazio dhe Candreva dhe do të na japin forcë”, tha Inzaghi.