Te Sigal Prishtina janë të vendosur që edicionin e ri ta nisin në të njëjtën mënyrë sikurse edicionin e kaluar – me triumf në garën për Superkupën e Kosovës në basketboll.
Turneu i Superkupës fillon të mërkurën. Vlerësohet se është paralajmërim për edicionin 2023/24 në Superligën e Kosovës në basketboll, që nis javën e ardhshme.
Superkupa e këtij edicioni do të mbahet në palestrën “13 Qershori” në Suharekë deri të dielën, kur është e paraparë të zhvillohet ndeshja finale. Sigal Prishtina e luan ndeshjen e parë dhe është e vendosur ta mbrojë trofeun e fituar vitin e kaluar. Të mërkurën prej orës 17:00, Sigal Prishtina do të përballet me Istogun, ekip i promovuar këtë edicion në elitën e basketbollit kosovar. Kjo ndeshje i takon çerekfinales. Prishtina vlerësohet favorite e madhe përballë Istogut. Por kapiteni i Prishtinës, Dardan Berisha, thotë se duhet respektuar të gjithë kundërshtarët. Ai vlerëson se skuadrat janë përforcuar mjaftueshëm për edicionin e ri. Berisha thekson se Prishtina jo vetëm që është forcuar, por edhe është përgatitur mirë dhe është plotësisht gati për turneun e Superkupës, në të cilin do të paraqiten tetë skuadrat e Superligës. Ai ka insistuar se synimi i ekipit kryeqytetas është triumfi në turneun e Superkupës për të paralajmëruar synimet e mëdha për edicionin 2023/24.
“Jemi përgatitur mirë dhe mendoj se jemi të gatshëm për ta dëshmuar këtë qysh në ndeshjet e Superkupës. Natyrisht, synimi është që ta fitojmë këtë trofe, të cilin e kemi fituar edhe vitin e shkuar. Nuk do të jetë lehtë, pasi të gjitha skuadrat janë forcuar gjatë verës, por ne do të japim maksimumin për të arritur synimin. Triumfi në Superkupë do të ishte i mirëseardhur duke pasur parasysh se edicioni i ri starton javën tjetër dhe ne do të dëshmonim se jemi gati për një edicion tjetër të fortë”, është shprehur Berisha për KOHËN të martën.
Të mërkurën do të zhvillohet edhe një çerekfinale tjetër, prej orës 20:00. Do të përballen Trepça e Bashkimi. Trepça edicionin e shkuar arriti deri në finale të Superkupës dhe të plejofit të Superligës, ndërsa triumfoi në Kupën e Kosovës.
Edhe te Trepça kanë insistuar se synimi është suksesi në Superkupë, pavarësisht se nuk do të jetë lehtë. Trepça llogaritet favorite përballë Bashkimit, ekip që pothuajse i fundit është konsoliduar për edicionin e ri. Kapiteni i Trepçës, Valdrin Haxhiu, beson në suksesin e ekipit të tij. Sipas Haxhiut, ky do të jetë edicioni i tretë rresht i Trepçës në të cilin do të futet me ambicie të mëdha, pra për t’i fituar të gjithë trofetë e mundshëm në basketbollin kosovar. Dy edicionet e fundit, Trepça triumfoi në Kupën e Kosovës.
“Po bëhet viti i tretë që Trepça është pjesë e ekipeve pretendente për çdo trofe në basketbollin kosovar. Kështu që ambiciet tona nuk ndryshojnë as në Superkupë. Duam ta fitojmë trofeun e parë për të nisur një edicion të fortë në basketbollin kosovar. Kemi filluar përgatitjet me kohë dhe mendoj se jemi plotësisht gati për ta dëshmuar një gjë të tillë në ndeshjet e Superkupës së Kosovës”, është shprehur Haxhiu.
Fituesit e çerekfinaleve të ditës së parë do të përballen mes vete në gjysmëfinale, të premten.
Dy ndeshjet e tjera çerekfinale do të zhvillohen të enjten, prej orës 17:00 dhe 20:00.
Kampionia në fuqi, Peja, do ta ketë për kundërshtare skuadrën e Prizrenit, në duelin e orës 17:00. Skuadra pejane ka bërë përforcime për edicionin e ri, si dhe ka mbajtur trajnerin Rami Hadar, i cili e ktheu titullin e kampionit në Pejë pas një dekade. Njëri prej përforcimeve të Pejës, Meriton Ismaili, ka theksuar se Peja është përgatitur maksimalisht dhe në këtë garë do të futet me synimin e vetëm që ta fitojë Superkupën e Kosovës.
“Synimi ynë i vetëm është ta fitojmë Superkupën e Kosovës, pasi duam që ta nisim edicionin në mënyrën më të mirë të mundshme. Mund të them se jemi përgatitur mirë dhe kemi punuar me intensitet të lartë gjatë tri javëve të fundit, ku edhe kemi zhvilluar disa ndeshje miqësore për t’u komponuar sa më mirë. Mendoj se jemi gati për ta dëshmuar cilësinë tonë qysh në ndeshjen e parë të Superkupës", ka paralajmëruar Ismaili.
Ndeshja e fundit e serisë çerekfinale është ajo ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Vëllaznimit. Kjo ndeshje nis në orën 20:00, të enjten.
Pas gjysmëfinaleve të së premtes, finalja zhvillohet të dielën mbrëma. Më 22 shtator fillon gara në Superligë.
Çerekfinalet e Superkupës
E mërkurë
S. Prishtina – Istogu (17:00)
Trepça – Bashkimi (20:00)
E enjte
Peja – P.C. Prizreni (17:00)
G.E. Ylli – Vëllaznimi (20:00)