Sport

Prishtinës i konfirmohet fitorja dhe natyralizimi i Memedit, Vëllaznimi paralajmëron ankesë në FIBA

Brenda një dite janë publikuar dy vendime për një çështje në sajtin zyrtar të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK). Njëri vendim ishte i Komisionit të Garave dhe tjetri i Komisioni Arbitrar.

Në fakt vendimi i Komisionit Arbitrar të FBK-së ka rrëzuar vendimin të Komisionit të Garave në lidhje me ndeshjen Vëllaznimi – Sigal Prishtina dhe natyralizimin e basketbollistit Rrezart Memedi. Për më tepër, këto komisione brenda pak ditëve kanë marrë nga dy vendime, ndërsa mbetet në fuqi vendimi i Komisionit Arbitrar i marrë të dielën. E gjithë situata u krijua pas fitores së thellë të Prishtinës në Gjakovë ndaj Vëllaznimit me rezultatin 86:51, ndeshje kjo që i takoi xhiros së 24-të të Superligës së Kosovës në basketboll. Pas ndeshjes, ekipi gjakovar ka dërguar ankesë në Komisionin e Garave pasi nuk është pajtuar me mënyrën se si ka regjistruar lojtarët Prishtina. Sipas Vëllaznimit, te Prishtina kishte luajtur pa të drejtë Rrezart Memedi. Klubi gjakovar konteston mënyrën se si është regjistruar ky lojtar.

Në rregulloren për regjistrim thuhet se një “ekip ka të drejtën e regjistrimit vetëm të një lojtari të natyralizuar”, ndërsa kundër Vëllazimit te Prishtina ishin dy të tillë. Krahas Memedit, i natyralizuar ishte edhe Valmir Kakruki. Pasi kjo ankesë e Vëllaznimit u refuzua nga Komisioni i Garave, klubi gjakovar u drejtua te Komisioni Arbitrar. Ky komision e ktheu në rivendosje ankesën e klubit nga Gjakova. Me rekomandimin e Komisionit Arbitrar, Komisioni i Garave është mbledhur sërish më 10 mars dhe mori vendim për ta miratuar ankesën e Vëllaznimit. Komisioni i Garave kërkoi që ndeshja me Vëllaznimin të përsëritet, duke revokuar vendimin e mëparshëm, dhe vendosi që Rezart Memedi të çregjistrohet për edicionin 2022/23. Në vendim thuhej se Memedit i është konfirmuar statusi i lojtarit vendor të natyralizuar për shkak të pajisjes me shtetësi dhe dokumente të Republikës së Kosovës, por shtohej se për shkak të një lëshimi teknik, “Komisioni nuk e ka trajtuar të drejtën e lojës së lojtarit në sezonin 2022/23”.

Sipas kryetarit të këtij komisioni, Leart Hoxha, dy lojtarë të natyralizuar nga FBK-ja dhe me dekret të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, nuk mund të luajnë në një ekip të Superligës.

“Në vendimin e fundit kemi pranuar kërkesën e Vëllaznimit dhe kemi vendosur që ndeshja me Prishtinën të përsëritet dhe Memedi të çregjistrohet për këtë sezon. Por, fjalën e fundit e jep Komisioni Arbitrar”, ka thënë Hoxha.

Prishtina kishte sfiduar vendimin e fundit të Komisionit të Garave, për ta fituar rastin në Komisionin Arbitrar. Komisioni Arbitrar la në fuqi vendimin e 1 marsit, të marrë nga Komisioni i Garave. Me këtë vendim, Prishtinës i konfirmohet fitorja ndaj Vëllaznimit, ndërsa Memedi do të vazhdojë të luajë për pjesën e mbetur të këtij edicioni si lojtar vendor. Ai është nga Maqedonia e Veriut.

Te Prishtina kanë insistuar se kanë pasur të drejtë. Thonë se Memedin nuk e ka natyralizuar FBK-ja, siç thuhet në rregulloren për regjistrim, por klubi. Te Prishtina thonë se kanë natyralizuar edhe Valmir Kakrukin dhe këtë nuk e ka bërë FBK-ja, e cila kishte natyralizuar amerikanët si Justin Doellman, Scott Bamforth, Shawn Jones e Malcolm Armstead që ishin pjesë e Përfaqësueses së Kosovës.

“Ne nuk kemi bërë asnjë shkelje si klub pasi kemi respektuar në përpikëri rregulloret e federatës. Memedi e Kakruki nuk janë natyralizuar nga FBK-ja, por nga klubi ynë. Këtë e konfirmon edhe vendimi i fundit i Komisionit Arbitrar i cili na jep të drejtën. Kështu që ne vazhdojmë tutje dhe me përbërje të plotë, pasi si Kakruki ashtu edhe Memdi do të vazhdojnë të luajnë si lojtarë të natyralizuar pa pasur asnjë telashe”, ka thënë kryetari i Prishtinës, Blerand Stavileci.

Ndërkohë, Komisioni Arbitrar i ka kërkuar FBK-së që të saktësojë dispozitat e nevojshme rreth lojtarëve të natyralizuar.

“Me këtë rast Komisioni rekomandon organin gjegjës të FBK-së, të qartësojë dhe saktësojë dispozitat rreth statusit të lojtarëve të natyralizuar, e nëse është e nevojshme edhe të veçoj natyralizimin ‘nga FBK’ prej rasteve të tjera të natyralizimit të lojtarëve me kërkesa të klubeve”, thuhet ndër të tjera në vendimin e Komisionit Arbitrar. Ky Komision përbëhet nga Korab Sejdiu, Fidan Hamiti dhe Lulzim Fushtica. Hamiti deri vonë ishte pjesë e menaxhmentit të klubit Prishtina, përkatësisht drejtor sportiv.

Me këtë vendim të fundit nuk janë pajtuar te Vëllaznimi, siç nuk ishin pajtuar as me vendimin paraprak të Komisionit të Garave për përsëritjen e ndeshjes, duke kërkuar fitore me rezultat zyrtar. Pasi vendimet e arbitrazhit janë definitive dhe kundër tyre nuk është lejuar ankesa brenda FBK-së, Vëllaznimi do të bëjë ankesë sërish, por në organet e tjera. Do t’i drejtohet Këshillit të Arbitrazhit Sportiv në Kosovë (KAS), gjykatës dhe FIBA-s.

“Ne nuk kemi opsion tjetër, por të drejtën tonë do ta kërkojmë në organet e tjera, siç është Këshilli i Arbitrazhit Sportiv dhe Gjykata përkatëse. Po ashtu do të ankohemi edhe në FIBA për shkak se jemi të bindur që fitorja ndaj Prishtinës na takon neve me rezultat zyrtar”, ka thënë drejtori i Vëllaznimit, Ideal Bakija.

Te Prishtina luajnë pesë lojtarë që nuk janë zhvilluar në Kosovë e llogariten vendorë: Jan Palokaj, Jetmir Zeqiri, Lejson Zeqiri, Valmir Kakruki e Rezart Memedi. Të natyralizuar, shpesh në mënyrë jo shumë të qartë, ka edhe te skuadra të tjera.