Pas barazimit të papritur në xhiron e shkuar, skuadra e Prishtinës synon t’i kthehet fitores në Superligën e Kosovës në futboll.
Prishtina të hënën luajti pa gola kundër ekipit të Gjilanit, i cili përbëhej nga lojtarë të rinj. Te Prishtina barazimin me Gjilanin e riorganizuar në momentet e fundit, e vlerësuan si hap të gabuar. Një hap tjetër “fals” nuk duan ta bëjnë në xhiron e tretë të kampionatit të Kosovës.
Prishtina po kërkon të reflektojë duke shënuar fitore kundër një ekipi që ka pasur start të furishëm këtë edicion, Malishevës.
Dueli mes Prishtinës dhe Malishevës zhvillohet të shtunën prej orës 16:00 në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali.
Prishtina në xhiron e parë fitoi 3:1 ndaj Feronikeli 74 dhe me katër pikë të mbledhura zë vendin e tretë në tabelë.
Ndërkohë, Malisheva prinë me gjashtë pikë të mbledhura pas dy fitoreve. Triumfoi ndaj Dukagjinit në udhëtim dhe ndaj Fushë Kosovës në shtëpi. Fushë Kosovën e mposhti me rezultatin bindës 6:1, vikendin e shkuar.
Te Prishtina e kanë parasysh startin impresiv të Malishevës, por besojnë se mund t’ia ndalin këtë ecuri pozitive.
“Malisheva ka pasur një start të mirë, por ne duhet të reagojmë pas atij hapit të gabuar në ndeshjen e fundit. Ne i kemi analizuar të gjitha gabimet në atë ndeshje dhe jemi përgatitur maksimalisht që ato mos të ndodhin në duelin e radhës. Prishtina sikurse në çdo ndeshje tjetër edhe ndaj Malishevës futet për fitore. Besoj se me angazhim maksimal dhe duke e respektuar kundërshtarin, pikët e plota do të mbesin në Prishtinë”, ka insistuar mbrojtësi i Prishtinës, Muhamed Useini të premten për KOHËN.
Edhe te Malisheva e kanë parasysh se përballja me Prishtinën do të jetë më e vështira deri më tani. Megjithatë, insistojnë se do të dalin në fushë për një rezultat të favorshëm, për të vazhduar serinë pozitive të këtij edicioni.
Trajneri Senad Alirifa pranon se Malisheva nuk do ta ketë aspak lehtë kundër Prishtinës, por beson në futbollistët e tij dhe pret të kthehen nga ky udhëtim të paktën me një pikë.
“Sigurisht që pres një ndeshje të vështirë me Prishtinën. Mbi të gjitha besoj se do të jetë një ndeshje e fortë por gjithashtu pres që të marrim një rezultat pozitiv. Nuk do të jetë lehtë, sepse Prishtina ka skuadër cilësore, por kam besim se mund t’ia dalim pas startit dhe lojërave të mira që i kemi treguar në dy xhirot e para”, ka thënë trajneri malishevas.
Të shtunën në kuadër të xhiros së tretë zhvillohet edhe një ndeshje tjetër.
Prej orës 16:00 në Drenas, skuadra Feronikeli 74 do të përballet me Gjilanin. Feronikeli 74 që po debuton këtë edicion në Superligë, nuk ka pasur aspak start të mirë. Ka regjistruar dy humbje në po aq ndeshje të zhvilluara dhe së bashku me Dukagjinin e Fushë Kosovën janë ekipet e vetme pa pikë. Ndërkohë, Gjilani ka një ndeshje më pak të zhvilluar, por do të udhëtojë në Drenas i motivuar pas barazimit me Prishtinën. Dy ndeshje të tjera do të zhvillohen të dielën. Llapi, që xhiron e shkuar mori fitoren e parë pas humbjes në start të edicionit, do të jetë mysafir i Fushë Kosovës së rikthyer në elitë. Kjo ndeshje zhvillohet në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan. Ndërkohë, në Klinë do të përballen Dukagjini dhe Liria. Skuadra nga Prizreni ka një pikë pas barazimit pa gola javën e shkuar me Dritën, ndërsa Dukagjini është në kërkim të fitores së parë.
Derbi i kësaj xhiroje ndërmjet Dritës dhe Ballkanit është shtyrë për kohë të pacaktuar me kërkesën e ekipit nga Suhareka, për shkak të angazhimeve në garat evropiane. Kjo ndeshje është dashur të zhvillohet të dielën në qytetin e Gjilanit.