Te Sigal Prishtina janë të vendosur të reagojnë pas humbjes nga Trepça për ta rikthyer epërsinë në serinë gjysmëfinale të Superligës së Kosovës në basketboll. Trepça e mposhti vikendin e shkuar Prishtinën për ta barazuar rezultatin në 1:1 pas dy ndeshjeve të zhvilluara, ndërsa duelin e tretë e luan në kryeqytet. Kjo ndeshje zhvillohet të enjten prej orës 21:00, ndërsa optimizmi te Prishtina është i madh.
Në fakt, besojnë se mund ta rikthejnë epërsinë dhe të jenë vetëm një fitore larg kualifikimit në finale. Skuadra që shënon tri fitore në këtë seri avancon në finale, ndërsa Prishtina e ka përparësinë e terrenit për shkak se pjesën e rregullt e përfundoi në pozitën e parë, ndërsa Trepça doli e treta. Kapiteni i Prishtinës, Dardan Berisha, pret një përballje të fortë, por insiston se synimi është fitorja duke pasur parasysh se luajnë në kryeqytet. Ai shtoi se Prishtina është përgatitur mirë pas disfatës së pësuar në Mitrovicë dhe pret që gabimet e asaj ndeshjeje të mos i përsërisin të enjten mbrëma. Po ashtu, Berisha thotë se me përkrahjen e fuqishme të tifozëve, atëherë fitorja ndaj Trepçës do të jetë e pashmangshme.
“Presim të jetë një ndeshje shumë e fortë sikurse dy duelet e mëparshme. Jemi përgatitur mirë dhe besoj që kemi evituar gabimet e ndeshjes së shkuar për të qenë plotësisht gati për ndeshjen e tretë. Po ashtu, shpresoj në një atmosferë të zjarrtë dhe përkrahje të fuqishme nga tifozët tanë dhe sigurisht fitore për ta rikthyer epërsinë në këtë seri gjysmëfinale. Do të japim gjithçka nga vetja për rezultat pozitiv, të cilin jam i bindur se do të arrijmë me përkrahjen e tifozëve tanë”, është shprehur Berisha.
Ndeshjen e parë që u luajt para një jave në kryeqytet, Prishtina e fitoi me shifrat 82:70 përpara se të mposhtet në Mitrovicë me rezultatin 77:68. E triumfi në Mitrovicë ka motivuar basketbollistët e Trepçës, të cilët do të udhëtojnë në Prishtinë për fitoren e dytë rresht në këtë seri gjysmëfinale. Amin Hot ka insistuar se atmosfera është e mirë brenda ekipit dhe se fitorja e fundit ka shtuar edhe më shumë vetëbesimin në ekip. Sipas tij, është shumë e rëndësishme fitorja në udhëtim, pasi në këtë mënyrë Trepça do ta kishte mundësinë që në fundjavë të triumfonte në shtëpi dhe të avanconte në serinë finale.
“Pres edhe një ndeshje tjetër të vështirë, pasi përballë kemi një ekip me përvojë si Prishtina që shumë mirë di të ndëshkojë në çdo gabim që bën. E njohim njëri-tjetrin shumë mirë dhe kjo seri do të vazhdojë të jetë interesante. Sigurisht, që jemi të motivuar dhe synimi është të marrim një rezultat pozitiv”, ka thënë Hot.
Prishtina është në kërkim të titullit të kampionit prej vitit 2019, ndërsa Trepça nuk ka fituar prej vitit 2012. Të dyja këto skuadra këtë sezon e kanë mposhtur njëra-tjetrën në finalen e Superkupës, përkatësisht Kupës së Kosovës. Prishtina triumfoi në Superkupë, ndërsa Trepça e mbrojti trofeun e Kupës me sukses.
E enjte
S. Prishtina – Trepça (21:00)