Sport

Premtime të reja: Stadiume në Suharekë e Rahovec, palestër gjimnastike në Fushë Kosovë

Stadium ne Suhareke, Ballkani

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka paralajmëruar ndërtimin e dy stadiumeve tjera të futbollit dhe të një palestre të gjimnastikës.

Në javët e fundit Çeku ka shkruar për projektet që kanë nisur dhe që pritet të nisin lidhur me përmirësimin e infrastrukturës sportive.

Të hënën shkroi për projektet në tri komuna të ndryshme.

“Kemi shpallur tri konkurse projektimi për tri objekte të rëndësishme sportive në vend. Suhareka dhe Rahoveci do të bëhen me stadiume të reja futbolli, ndërsa Fushë Kosova me palestër të gjimnastikës”, ka shkruar ministri Çeku.

Sipas tij, tri komunat i kanë përfunduar me sukses procedurat e ndarjes së lokacioneve. Ministri Çeku ka ftuar studiot e arkitekturës që të bëhen pjesë e këtyre konkurseve.

“Vazhdojmë pa humbur kohë në konsolidimin e infrastrukturës sportive për mikpritjen e Lojërave Mesdhetare 2030”, ka shkruar tutje Çeku.

Kosova nuk ka palestër të posaçme për gjimnastikë dhe një e tillë në Fushë Kosovë do të ishte risi.
Aktualisht është duke u punuara në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, atë “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe disa stadiume, fusha e palestra të tjera. 

Së fundi MKRS-ja ka njoftuar se planifikon investime për renovimin e sallës së madhe në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Është paralajmëruar renovimi i stadiumit në Gjakovë, i atij në Pejë dhe shumë objekteve të tjera sportive.

Kosova, përkatësisht Prishtina, është organizatore e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030. Qindra miliona euro pritet të investohen për të përmirësuar infrastrukturën sportive para se të mbahet kjo ngjarje shumësportëshe. Aktualisht infrastruktura është larg standardeve që kërkohen për këtë ngjarje.

Deri më tani ka pasur vërejtje të shumta lidhur me investimet e bëra në infrastrukturë sportive. Shumë punë janë kryer keq, pa mbikëqyrjen e duhur, dhe për më tepër objektet sportive nuk janë mirëmbajtur.

Dhe kjo ka bërë që investimet milionëshe të shkojnë huq. Për shembull në Istog, ku palestra e re është bërë e pashfrytëzueshme dhe tani po rinovohet.  

Është bërë “histori” edhe renovimi i stadiumit në Gjilan e objekteve të tjera.