Qëkur u kthye nga dy gola disavantazh për ta mposhtur 3:2 Lensin - nënkampionin e edicionit të shkuar në Ligue 1 të Francës – në xhiron e parë të këtij edicioni, skuadra e Brestit ka vazhduar të befasojë ligën franceze.
Me një ndeshje të mbetur për ta luajtur para pushimit të fundvitit, klubi i vogël nga rajoni Brittany po e ëndërron Evropën. Pas 16 xhirove të zhvilluara deri më tani, Bresti krenohet me bilancin më të mirë ndonjëherë në këtë fazë të edicionit në Ligue 1, me tetë fitore, katër barazime dhe vetëm katër humbje për të grumbulluar një total prej 28 pikëve. Ka vetëm nëntë pikë më pak se lideri Paris Saint-Germain, i cili është i mbushur me yje. Bresti ka katër pikë më pak se Nice e vendit të dytë përpara ndeshjes kundër rivalit lokal, Lorientit, të mërkurën. Në xhiron e fundit të vitit në ligë, PSG-ja pret Metzin. Nice luan me Lensin dhe Monaco i vendit të tretë udhëton në Toulouse.
Jo shumë ekspertë mund ta imagjinonin një trajektore të tillë ngjitjeje për Brestin, kur skuadra në vështirësi emëroi Eric Royn si trajner në janar, me shpresë se 55-vjeçari do ta ndihmonte klubin të qëndronte në divizionin e parë. Në atë kohë Bresti ishte në zonën e rënies, dy pikë larg zonës së sigurisë. Lëvizja dukej si një bast i rrezikshëm, pasi Roy kishte më shumë se 10 vjet pa punë si trajner dhe një periudhë të shkurtër në Nice. Më pak se një vit më vonë, Roy jo vetëm që e ka mbajtur klubin në mesin e skuadrave të elitës, por ka dhënë shumë më tepër sesa pritej. Trajneri ka ndërtuar një ekip të njohur për forcën kolektive dhe aftësinë për të mbajtur presionin ndaj kundërshtarit në periudha të gjata, duke qenë klinik para portës.
“Ne po ecim përpara dhe po përpiqemi të kultivojmë një kulturë përulësie dhe pune të palodhur, pa harruar se mund të kemi ambicie”, tha Roy.
Në klub askush nuk e mishëron suksesin e Brestit më mirë se Romain Del Castillo, i cili u bashkua Brestit dy vjet më parë. Pas disa dëmtimeve, lojtari 27-vjeçar i lindur në Lyon po shijon më në fund edicionin më të mirë të karrierës së tij, me pesë gola dhe dy asistime deri më tani. Kalimi në rolin e mesfushorit ofensiv nga ai i sulmuesit të krahut sigurisht që e ka ndihmuar Del Castillon të lulëzojë.
“Më takon mua të jem lider teknik në fushë, por edhe në dhomën e zhveshjes”, tha Del Castillo.
Për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme, Bresti ka rinovuar së fundmi kontratën e Del Castillos deri në verën e vitit 2027. Dy lojtarë të tjerë me ndikim - mesfushori Pierre Lees-Melou dhe sulmuesi Jeremy Le Douaron - kanë vazhduar gjithashtu kontratat.
Edhe pse Roy pretendon se ambicia e klubit këtë edicion mbetet shmangia e rënies, skuadra sigurisht që mund të ketë synime më të larta, me kualifikimin për njërën prej garave të UEFA-s që është në mendjen e të gjithëve.
“Evropa duket shumë larg”, tha Roy. “Më pëlqen t'i bëj gjërat hap pas hapi. Ne duhet të vazhdojmë të jemi të përulur dhe të mbajmë këmbët në tokë. Nëse ka një ndryshim në objektiva, ne do t'ju njoftojmë”.
Bazuar në atë që ka treguar Bresti në fushë deri më tani, duket se Roy mund të ketë nevojë të lëshojë një përditësim shumë shpejt për ambiciet e reja të ekipit të tij.