Ka dy vjet që Norela Ahmeti bën rrugën e njëjtë me prindërit dhe vëllanë e saj, Nartin. Prej moshës trevjeçare, çdo vikend Norela e ka përcjellë Nartin deri te shkolla e futbollit “Besëlidhja” në lagjen “Emshir” në Prishtinë dhe e ka pritur derisa i ka përfunduar stërvitjet për t’u kthyer së bashku në shtëpi.
Muajt e fundit, 5-vjeçarja nuk po ulet anash fushës për ta parë Nartin duke ushtruar. Ajo po ushtron së bashku me të në ekipin U9 të Besëlidhjes. Edhe pse vetëm pesëvjeçare, Norela ndan fushën me djemtë që i ka në ekip. Norela jo vetëm që është më e vogla, por është edhe vajza e vetme në shkollën e futbollit “Besëlidhja”, ku punohet prej gjeneratës U7 deri te gjenerata U17.
Norela është pjesë e grupmoshës U9 dhe kjo iu mundësua për të stërvitur me vëllanë e saj, që edhe ia përcolli dëshirën për të luajtur me top. Fanella me të cilën stërvitet në shpinë e ka të shkruar “Narti” dhe numrin 7.
Lidhja e Norelës me lojën e futbollit shkon përtej stërvitjeve me ekip. Ajo dallon prej bashkëmoshatareve, pasi edhe kur shkon në shtëpi lodër e ka topin e futbollit. Një pjesë të konsiderueshme të ditës e kalon duke luajtur me top, apo edhe duke shikuar ndeshje futbolli. Shikon futboll në televizor, por edhe në stadiume. Kur luan Prishtina në kryeqytet, babai i saj, Januz Ahmeti, është thuajse i detyruar që të shkojë në stadium në mënyrë që Norela ta shikojë ndeshjen nga tribunat.
“Dashuria e Norelës për futbollin ka filluar duke e parë Nartin, pasi vinte gjithmonë me ne sa herë që e kemi sjellë në ushtrime. Edhe kur kthehej në shtëpi, vazhdimisht luante me top dhe jo me kukulla sikur moshataret e saj. Ushtronte së bashku me Nartin. Vetë e përcjelli futbollin dhe Norela e përcjell vazhdimisht me mua në televizor, por edhe në stadium kur luan Prishtina vjen me neve për ta shikuar ndeshjen. Madje, nuk del as nga shtëpia pa përfunduar ndeshja në televizor, pra ka dashuri shumë të madhe për futbollin”, thotë, Januzi.
Duke parë dëshirën e madhe për futbollin, ai beson se Norela, por edhe i biri, Narti, kanë të ardhme në këtë lojë.
“Po besoj se edhe kushtet po përmirësohen, që do të thotë mundësi më shumë për Norelën dhe fëmijët e tjerë. E kam parë që ka dëshirë për të luajtur dhe nuk ia kam ndaluar, pasi çdo punë që bëhet me qejf mund të arrihet diçka. Besoj se kjo edhe djali, pasi së bashku ushtrojnë, mundësitë i kanë, të ardhmen e kanë dhe mund të arrijnë diçka”, u shpreh Januz Ahmeti.

Pëlqen Cristiano Ronaldon e Erling Haalandin
Norela ka numrin shtatë në fanellë, për shkak të superyllit Cristiano Ronaldo. Norelës si lojtar i pëlqen Ronaldo, por edhe sulmuesi i Manchester Cityt, norvegjezi Erling Haaland.
“Lojtarët që i pëlqejnë Norelës janë Ronaldo dhe Haalandi. Në momentin që i sheh fanellat e ekipeve të tyre menjëherë më pyet se a janë duke luajtur ata dhe nuk ka dëshirë që t’ia ndërrojmë programin për shkak se e përcjell ndeshjen deri në fund”.
Angazhimi i Norelës në stërvitje është shumë i madh, pavarësisht se është më e vogla. Këshillat e trajnerëve i dëgjon dhe mundohet të shkojë hapave të Nartit. Norela tani ka vetëm një dëshirë, të bëhet sikurse vëllai Narti, i cili është dy vjet më i madh.
“Unë jam Norela Ahmeti dhe i kam pesë vjet. Luaj futboll te Besëlidhja dhe më pëlqejnë shumë Haalandi e Ronaldo. Unë kam dëshirë të luaj shumë futboll, të bëhem sikur Narti dhe të luaj mirë si Ronaldo”, thotë Norela, që mezi priste t’u kthehej stërvitjeve me shokët e ekipit.
“Unë e shikoj futbollin shumë dhe luaj mirë. Kam qejf të bëhem si Ronaldo dhe kur të rritëm dua të bëhem futbolliste”, vazhdon vogëlushja.
Vëllai i saj, Narti, gëzohet që Norela e ka marrë si shembull për t’iu përkushtuar futbollin.
“Ne kemi filluar të luajmë futboll së bashku me Norelën. Norela më ka parë mua dhe ka filluar të luajë edhe ajo. Unë besoj se ne të dy do të bëhemi futbollistë shumë të mirë”, thotë Narti.
E veçanta e SHF “Besëlidhja”
Shkolla e futbollit “Besëlidhja” është themeluar në vitin 2011 dhe te kjo shkollë janë të përkushtuar në punën me gjeneratat e reja. Trajnerët e Besëlidhjes ndihen krenarë që punojnë me një vajzë të vogël, por shumë të përkushtuar pas futbollit. Njëri prej trajnerëve është Artan Demolli. Ai thotë se Norela ka talent, dhe kjo ia lehtëson dukshëm punën.
“Norelën e kemi rast specifik, me gjasë është frymëzuar nga vëllai i saj, i cili stërvit me ne. Është një vajzë e jashtëzakonshme, ndërsa pasioni dhe interesimi i saj për futbollin janë më se të qartë. Po ashtu, shihet se edhe ka talent që mund të jetë trashëgimi familjare, pasi janë të dhënë pas futbollit. Vajza ka një talent dhe neve si trajnerë na e lehtëson që të punojnë në mënyrë pak më të avancuar në krahasim me fëmijët e tjerë të kësaj moshe”, tha Demolli.
Ai shpreson që Norela të jetë shembull edhe për vajzat e tjera që t’i përkushtohen futbollit.
“Kemi fëmijë të lindur prej vitit 2018 deri në vitin 2013 dhe Norela edhe pse është vajza e vetme është e përfshirë me grupin e djemve. Pra, Norela është e vetmja vajzë që ushtron me ne dhe është pak rast specifik pasi në shumë shkolla futbolli nuk është se shohim vajza që stërviten. Njëkohësisht i kisha inkurajuar prindërit që të mos hezitojnë t’i angazhojnë vajzat edhe në futboll, pasi ky nuk është sport vetëm për djem por edhe për vajza dhe Norela është shembulli më i mirë për këtë”.
Trajneri Demolli ka një mesazh për prindërit. Kërkon të tregohen të durueshëm, t’u krijojnë hapësirë fëmijëve për t’u zhvilluar në mënyrë graduale.