Sport

Përfaqësuesja më e dobët në botë kërkon fitoren e parë pas 20 vjetësh

Po bëhen 17 vjet prej se kapiteni i San Marinos, Matteo Vitaioli, lojtari me më së shumti ndeshje në histori të këtij vendi, ka luajtur së pari për ekipin nacional. Ai nuk ka festuar ende ndonjë fitore

Dy dekada e 136 ndeshje kanë kaluar prej se San Marino ka shënuar fitoren e parë dhe të vetme si përfaqësuese. Kjo periudhë ishte e mbushur me humbje të rënda për përfaqësuesen e vendit të pestë më të vogël në botë.

“Kujtimi më i keq është ndeshja në udhëtim ndaj Holandës në vitin 2011, që përfundoi 11:0 për vendësit”, thotë kapiteni Matteo Vitaioli. “Kishim pranuar tetë apo nëntë gola dhe kishte ende shumë deri në fund. Më kujtohet që tifozët kërkonin gola të tjerë nga Holanda”.

E rrethuar nga Italia dhe me pamje nga mali spektakolar Titano, San Marino ka popullatë prej vetëm 33 mijë banorësh. Ka sipërfaqe prej 61 kilometra katrorë, që është sa gjysma e Manchesterit.

Sipas rangimit të FIFA-s, San Marino është përfaqësuesja më e dobët në botë. Ka humbur 192 prej 201 ndeshjeve që i ka zhvilluar.

Por Vitaioli dhe bashkëlojtarët e tij kanë shans të shkruajnë kapitull të ri këtë javë kur Saint Kitts dhe Nevis – vendi nga Karaibet që është 63 pozita më lartë se San Marino e vendit të 210-të – e viziton për dy ndeshje miqësore.

Lojtari me përvojë Vitaioli, që pret të rrit numrin prej 91 paraqitjeve, e di mirë se çka do të nënkuptonte fitorja e pritur shumë gjatë.

“Do të nënkuptonte të jemi pjesë e historisë së përfaqësueses së vendit tim. Kështu që është synimi më i madh”, ka thënë 34-vjeçari.

“Prezanton një mundësi për të lënë një shenjë, diçka që nuk bën të humbet. Do të ishte diçka që më 2050 por edhe më tutje do të kujtohej, pasi janë shënuar aq pak fitore”.

Fitorja e vetme e San Marinos mbetet ajo 1:0 në miqësore ndaj Lihtenshtajnit, në prill të vitit 2004. Një gol i hershëm i Andy Selva siguroi momentin që është bërë pjesë e historisë. Selva është golashënuesi më i mirë në histori të San Marinos me tetë gola.

Pritja vazhdon prej atëherë, ndonëse përpjekjet për fitore nuk kanë munguar nga grupi kryesisht amator i lojtarëve të San Marinos. Me gjithë rezultatet, lojtarët e San Marinos ndihen krenarë kur veshin fanellën e përfaqësueses.

Vitaioli, që punon si dizajner grafik, së fundi festoi lindjen e vajzës së tij dhe balancon mirë futbollin ndërkombëtar me kërkesat e jetës. Ai paraqitet në stërvitje në mbrëmje, pas orarit të punës.

“Është e komplikuar”, thotë Vitaioli. “Por dashuria për ekipin nacional të vendit tënd dhe mundësia për të luajtur futboll ndërkombëtar bën që sakrifica t’ia vlejë. Ka shumë futbollistë profesionistë që asnjëherë nuk e kanë mundësinë dhe nderin të luajnë ndeshje që i luajmë ne”.

Dekadat pa fitore dhe humbjet e thella – 13:0 nga Gjermani në vitin 2006 është më e thella deri më tani – kanë bërë që ekipi i San Marinos të jetë i bashkuar. Ka ndikuar edhe mungesa e shpresës për kualifikim në ndonjë ngjarje të madhe.

Shënimi i secilit gol dhe shmangia e secilës humbje paraqet moment shumë të ëmbël për përfaqësuesen e San Marinos.

“Jam pjesë e ekipit nacional për gati 20 vjet. Bazike në secilin grup lojtarësh ishte shpirti ekipor, kapaciteti i lojtarëve për të formuar ekip”, thotë Vitaioli. “Kur luan ndeshje të forta, ato mund të bëhen të ndërlikuara. Nëse nuk mund të bazohesh në grupin solid, atëherë këto ndeshje mund të jenë shumë të dhimbshme. Ne të gjithë jemi shokë që ndajmë nderin e njëjtë, por edhe barrën e njëjtë”.

Ka pasur shenja të progresit. San Marino i ka dhënë fund pritjes dyvjeçare për gol në ndeshje garuese kur barazoi rezultatin në ndeshjen me gjysmëfinalisten e” Euro 2020”, Danimarkën, në tetorin e kaluar. Pasuan skena të mahnitshme të festës. “La Serenissima” më pas humbi 2:1, por e rëndësishme ishte që goli u shënua. Më pas lojtarët e San Marinos shënuan në dy ndeshje rresht për herë të parë në 18 vjet, në humbjen 3:1 nga Kazakistani. Bënë histori tri ditë më pas duke shënuar në ndeshjen e tretë rresht. Filippo Berardi ktheu në gol një penallti të minutës së 97-të në humbjen 2:1 nga Finlanda.

“Nëse dikush do të më thoshte disa vjet më parë që do të shënoja gola në nivelin ndërkombëtar me fanellën e San Marinos, do t’i thosha që është i çmendur. Nuk do t’i besoja”, thotë Berardi, që tani i ka dy gola për San Marinon. “Të shënosh gol me San Marinon në skenën ndërkombëtare, me gjitha çështjet që duhet t’i kalojë ekipi, sjell ndjenja të veçanta. Ju duhet të shikoni golin tim të parë, ndaj Kazakistanit në vitin 2019. Ndeshja ishte afër fundit dhe ne ishim duke pësuar 3:0. Lojtarët u çmendën për një gol që nuk do të thoshte asgjë”.

San Marino nuk ia doli të barazoi rekordin e përgjithshëm prej vetëm një pike – një barazim pa gola me Estoninë në vitin 2014, që mbetet kujtimi më i lumtur i Vitaiolit me ekipin – nga 86 ndeshje në kualifikime evropiane në të cilat është paraqitur.

Derisa nuk ka të bëj vetëm me rezultatet për lojtarët e San Marinos, shpresa për fitoren e dytë po rritet.

“Kam parë një ndryshim në qasjen tonë”, thotë Berardi. “Mendoj se jemi më afër që të marrim rezultat pozitiv sërish, një barazim apo fitore. Do të ishte e jashtëzakonshme të jem pjesë e ekipit të San Marinos që feston fitoren e dytë. Me gjasë do të ishte momenti më i lumtur. Jo vetëm për mua, por edhe për trajnerin, bashkëlojtarët dhe njerëzit në San Marino”.

Ndeshjet e San Marinos me Saint Kitts dhe Nevis janë më 20 dhe 24 mars në Serravalle.