Sport

Përballja me ekipe të forta evropiane, e zakonshme për Dritën

Malmo (Suedi), Legia Varshava (Poloni), Feyenoord (Holandë) Antwerp (Belgjikë), janë skuadrat e mëdha me të cilat Drita e Gjilanit është përballur në garat e UEFA-s deri më tani.

Prej edicionit 2018/19, kur u paraqit së pari në rundet kualifikuese të garave të UEFA-s, skuadra e Dritës ka qenë shpesh e pafat në short. Edhe për edicionin e ri Drita nuk pati fat në shortin e tërhequr javën e kaluar, të vlefshëm për rundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Drita rundin e parë e kaloi pa lojë, por në të dytin do të përballet me ekipin e madh nga Çekia, Viktoria Plzen.

Në edicionin 2018/19, Drita pati kaluar turneun kualifikues të Ligës së Kampionëve, derisa në rundin e parë kualifikues u pati eliminuar nga ekipi i madh i Suedisë, Malmo. Malmo pati fituar me rezultatin e përgjithshëm 5:0. Drita në edicionet pasuese ishte eliminuar edhe nga Legia e Varshavës (2020/21) në rundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës, pastaj nga Feyenoordi (2021/22) dhe Antwerpi (2022/23) në rundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Te Drita kanë pranuar se fati nuk po i përcjell në short, gjë që u konfirmua edhe për edicionin 2023/24. Por kanë insistuar se do të luftojnë për të bërë paraqitje të mirë dhe të lënë përshtypje siç kanë bërë deri më tani. Ndeshjet kundër Viktoria Plzenit skuadra gjilanase do t’i luajë në fund të muajit korrik dhe fillim të gushtit. Duelin e parë e luan në udhëtim më 27 korrik, kurse të kthimit më 3 gusht. Nënkampionia e Kosovës ka disa ditë që fazën përgatitore e ka vazhduar në Bansko të Bullgarisë, në mënyrë që të përgatitet sa më mirë për ndeshjet që e presin me skuadrën e njohur nga Çekia.

“Realisht prej Malmos, me të cilën kemi luajtur në vitin 2019, nuk na janë ndarë kundërshtarët e fortë në shortin për garat e UEFA-s. Pra nuk kemi pasur aspak fat në short, por kështu e ka puna e këtyre ndeshjeve dhe neve na mbetet të përgatitemi dhe të tregojmë një paraqitje të mirë”, ka thënë drejtori i përgjithshëm i Dritës, Feti Murseli të hënën për KOHËN. “Në fakt ne edhe pse kemi pasur kundërshtarë të vështirë, kemi treguar lojë të mirë dhe kemi lënë përshtypje. Pas Malmos, ishin Legia, pastaj Feyenoordi e Antwerpi dhe tani do të kemi punë me Plzenin, një tjetër ekip të fortë”.

Te Drita e kanë parasysh historinë e Viktoria Plzenit, që edicionin e fundit e përfundoi në pozitën e tretë në kampionatin çek. Ka shtatë tituj kampioni të Çekisë, një kupë dhe dy Superkupa, ndërsa ka pasur suksese edhe në garat e UEFA-s. Është paraqitur pesë herë në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, për herë të fundit edicionin e shkuar kur ishte në një grup me Bayern Munichun, Interin dhe Barcelonën. Katër herë ka luajtur në fazën grupore të Ligës së Evropës, ndërsa në tri raste ka arritur deri në 1/8 e finales.

“Plzeni është ekip që ka emër dhe përvojë në garat e UEFA-s, pasi ka luajtur në grupet e Championsit dhe Ligës së Evropës. Nuk do të jenë aspak të lehta ndeshjet ndaj tij, por ne besojmë se mund të bëjmë lojë të mirë dhe pse jo të befasojmë duke avancuar tutje”, ka shtuar Murseli. “Në fakt ne kemi pritur short edhe më të vështirë. Kemi menduar se do të ndeshemi me Baselin pasi ishte bartës në short. Por, as Plzeni nuk është kundërshtar i lehtë”.

Murseli ka shtuar se Drita edhe nëse eliminohet, do të përpiqet të krijojë marrëdhënie të mira me Plzenin në mënyrë që ta transferojë ndonjë lojtar te kjo apo ndonjë skuadër tjetër evropiane. Thotë se një gjë të tillë e bëri edicionin e kaluar, kur pas dy ndeshjeve me Antwerpin, e shiti sulmuesin e krahut, Arbnor Muja. Sipas Murselit, Drita e ka krijuar si strategji transferimin e lojtarëve të saj në Evropë përmes ndeshjeve kualifikuese të garave të UEFA-s. Kjo edhe është arsyeja që Drita këtë verë ka bërë ndryshime të mëdha në ekip duke larguar lojtarët me përvojë dhe afruar futbollistë të rinj.

“Edhe nëse nuk i eliminojmë, të paktën të bëjmë lojë të mirë dhe eventualisht të nxjerrim ndonjërin prej lojtarëve në Evropë. Edicionin e shkuar një gjë të tillë e bëmë me Mujën dhe pse të mos e bëjmë sërish pasi kemi lojtarë të mirë që janë të rinj dhe gati për ta vazhduar karrierën në Evropë”, është shprehur Murseli. “Vitet e fundit këtë e kemi bërë strategji pasi po krijojmë marrëdhënie me kundërshtarët dhe po hapim rrugë për lojtarët tanë, natyrisht nëse e tregojnë veten. Mujës i mjaftuan dy paraqitje të mira me Antwerpin për të bërë hapin e madh në karrierë, pavarësisht se në kampionat u përball me shumë lëndime. Pra, ndaj Plzenit synojmë paraqitje të mira dhe rezultat, sigurisht”.

Murseli ka thënë se ekipi do të jetë plotësisht gati për ndeshjet me Plzenin. Ai ka shtuar se përgatitjet kanë shkuar mirë në Kosovë. Në Bullgari ekipi gjilanas do t’i zhvillojë disa ndeshje miqësore për ta testuar veten ndaj kundërshtarëve më të fortë.

“Besoj se do të jemi gati në çdo aspekt, pavarësisht ndryshimeve që i kemi bërë në ekip e që mendojmë se janë të duhurat për të vazhduar ngritjen tonë si ekip në çdo aspekt”, u shpreh Murseli.