Sport

“Perandori” i futbollit turk po e “trondit” ligën greke

Duke kërkuar një bonus për karrierën e tij historike si lojtar dhe trajner në Turqi, Fatih Terim po përballet me sfidën e tij të radhës në Greqinë fqinje.

70-vjeçari mori drejtimin e Panathinaikosit në fund të vitit të kaluar dhe ekipi i tij do të luajë kundër PAOK-ut në Selanik të dielën. Dy skuadrat aktualisht kryesojnë Superligën greke me nga 44 pikë pas 19 xhiro të luajtura.

Terim, ish-selektor i Turqisë, i cili fitoi tetë tituj kampioni si trajner në Galatasaray, mori pseudonimin “Perandori” për sukseset e tij serike. Ai ka pasur ndikim të menjëhershëm në Athinë, duke fituar tri ndeshje në ligë, duke barazuar me pretenduesin për titull AEK-un (2:2) në shtëpi dhe duke eliminuar Olympiacosin nga Kupa e Greqisë.

Në afatin kalimtar të janarit Terim transferoi kapitenin e Greqisë, Tassos Bakasetas, dhe siguroi marrëveshje huazimi për të mbështetur mbrojtjen e Panathinaikosin me reprezentuesin e Turqisë, Samet Akaydin dhe portierin polak Bartlomiej Dragowski. Të tre luajtën në mesjavë në ndeshjen e parë të çerekfinales së Kupës së Greqisë në Atromitos, në Athinën perëndimore.

Panathinaikosi dominoi por humbi ndeshjen e parë këtë vit, 2:1. Megjithatë, kjo humbje nuk i ka bërë aspak përshtypje Terimit.

“Përderisa Panathinaikosi luan kështu, askush nuk duhet të mërzitet. Ne nuk do të kemi frikë nga PAOK-u”, tha Terim, duke pranuar se lojtarët mund të jenë shpërqendruar nga udhëtimi i tyre i ardhshëm në veri të Greqisë.

Në Athinë, Terim është kujdesur të shmangë çdo koment për marrëdhëniet shpeshherë të acaruara mes Greqisë dhe vendlindjes së tij, Turqisë. Lëvizja e tij e profilit të lartë vjen mes një shkrirjeje në marrëdhëniet midis dy fqinjëve, të cilët ranë dakord vitin e kaluar të lënë mënjanë mosmarrëveshjet e gjata mbi migrimin e paligjshëm në Bashkimin Evropian dhe kufijtë e diskutueshëm detarë në Mesdheun lindor.

Presidenti turk Rexhep Tayip Erdogan, vetë një futbollist gjysmëprofesionist në rininë e tij, i telefonoi Terimit pasi ai zbarkoi në Athinë në fund të dhjetorit për t'i uruar fat.

PAOK-ut në formë, që shpreson të përsërisë titullin e vitit 2019, do t'i mungojë kapiteni Vieirinha që është i lënduar, si dhe mbrojtësi William Troost-Ekong e sulmuesi Mbwana Samatta që janë në Kupën e Afrikës.

I mposhtur vazhdimisht nga rivalët, Panathinaikosi nuk ka fituar titull të ligës greke që nga viti 2010. Megjithatë, ardhja e Termit ka ndryshuar gjërat tek ekipi nga Athina.

“Katërmbëdhjetë vjet janë një kohë e gjatë pa titull”, pranoi Terim. “Por e njëjta gjë ndodhi edhe me Galatasarayn. Megjithatë, kur e mora unë ekipin i mposhtëm të gjithë kundërshtarët dhe ishim të pandalshëm”.