Sport

Peja synon t’i gëzojë tifozët me tjetër fitore në “Karagaçi”

Basketbollistët e Pejës janë të vendosur që kualifikimin në finalen e plejofit ta festojnë para tifozëve të vet. Peja është vetëm një fitore larg finales dhe atë e synon të mërkurën mbrëma (20:30) në palestrën “Karagaçi”. Peja në gjysmëfinale të plejofit të Superligës së Kosovës në basketboll po përballet me kampionin në fuqi, Golden Eagle Yllin.

Peja është në epërsi 2:0 në serinë gjysmëfinale, derisa në finale kalohet me tri fitore. Ylli rrezikon që të përfundojë edicionin pa prekur finalen.

Te Peja kanë insistuar se synimi është që vetëm pas tri ndeshjeve të luajtura ta sigurojnë finalen, në mënyrë që të kenë kohë për t’u përgatitur derisa të caktohet finalistja tjetër. Rezultati në serinë mes Sigal Prishtinës dhe Trepçës është 1:1.

Skuadra e Pejës ka treguar ndeshje të mira prej ardhjes së trajnerit nga Izraeli, Rami Hadar. Nën drejtimin e tij, Peja nuk di për humbje në dhjetë ndeshjet e fundit në kampionat.

Basketbollisti i Pejës, Arian Qallaku, thotë se skuadra është përgatitur mirë dhe është e motivuar për të dhënë gjithçka nga vetja për ta eliminuar Yllin, kampionin e dy edicioneve të kaluara.

“Ne i kemi bërë edhe përgatitjet e fundit për ndeshjen e tretë dhe jemi maksimalisht të fokusuar dhe të motivuar për të fituar. Do të futemi me seriozitetin më të madh për shkak se ende asgjë nuk ka përfunduar, jemi edhe një fitore larg finales. Mendoj se me angazhimin tonë dhe përkrahjen e fuqishme të tifozëve do të marrim rezultatin për të shkuar tutje dhe për të synuar titullin”, është shprehur Qallaku për KOHËN.

“Sigurisht, synimi është të fitojmë edhe ndeshjen e tretë në mënyrë që të kemi kohë për t’u përgatitur për serinë finale. Mirëpo nuk do të jetë lehtë, sepse Ylli ka ekip të mirë dhe është kampion në fuqi”.

Peja është në kërkim të titullit që nga viti 2013. Edhe pse i kanë humbur dy ndeshje nga Peja, te skuadra e Yllit nuk janë dorëzuar. Kanë paralajmëruar se në Pejë udhëtojnë për fitore. Në rast të fitores së Yllit, ndeshja e katërt do të luhej në vikend në Suharekë. Ndeshja e pestë eventuale do të luhet në Pejë.

Fundori amerikan i Yllit, Rashun Davis, ka insistuar se të gjithë lojtarët janë të motivuar dhe të gatshëm për fitoren e parë në gjysmëfinale.

“Është një ndeshje që nuk guxojmë ta humbim, sepse do ta përfundonim sezonin. Kështu që në Pejë shkojmë për të fituar, për shkak se nuk kemi opsion tjetër. Duam të fitojmë, ta zgjasim serinë dhe të tentojmë të kualifikohemi në finale. Presim një ndeshje të vështirë, duke pasur parasysh se Peja do të jetë e motivuar. Por edhe ne jemi gati për të dëshmuar cilësinë tonë”, ka thënë Davis.

Ylli për ndeshjen e tretë pritet të jetë i kompletuar. Skuadrës suharekase do t’i kthehet kroati Henrik Shirko, që mungoi në dy përballjet e para, ndërsa gjasat janë të mëdha që të aktivizohet edhe qendra Lis Shoshi.

Shoshi prej fillimit të vitit është pjesë e Yllit, ndërsa mësohet se është rikuperuar nga lëndimi që e mbajti për një kohë të gjatë jashtë parketit. Ai pritet të luajë ndaj Pejës.