Skuadra e Pejës është e vendosur që ta vazhdojë serinë e fitoreve që ka nisur me ardhjen e trajnerit Rami Hadar. Këtë vikend Peja i kthehet Superligës së Kosovës dhe përballet me skuadrën e Vëllaznimit, në kuadër të xhiros së 25-të. Kjo ndeshje luhet të shtunën prej orës 17:00 në palestrën “Karagaçi” në Pejë.
Prejse izraeliti Hadar ka ardhur në krye të Pejës, skuadra nuk di për humbje në asnjë garë. Ai mori drejtimin e Pejës para tri javësh dhe gjatë kësaj periudhe skuadra ka shënuar pesë fitore në po aq ndeshje të zhvilluara. Tri i ka në kuadër të Ligës Ballkanike dhe dy tjera në elitën e basketbollit kosovar. Peja synon ta regjistrojë edhe fitoren e gjashtë rresht dhe të tretën në Superligë nën urdhrat e Hadarit. Kështu ka insistuar basketbollisti Alban Veseli, të premten për KOHËN. Ai ka thënë se ardhja e trajnerit Hadar ka transformuar Pejën, e cila po luan lojë shumë më të shpejtë dhe më agresive në mbrojtje. Të enjten mbrëma Peja e mposhti Bashkimin (120:88) në BIBL, ndërsa dy ditë më herët triumfoi edhe ndaj Golden Eagle Yllit (95:78).
“Sigurisht, duam ta vazhdojmë serinë pozitive dhe të regjistrojmë fitoren e radhës. Trajneri ka bërë një punë të mrekullueshme me ekipin dhe kjo po shihet nga rezultatet si dhe loja e shpejtë dhe mbrojtja e fortë që po e aplikojmë. Ne e respektojmë ekipin e Vëllaznimit, por nuk besoj se do ta kemi problem për ta mposhtur në mënyrë që të synojmë njërën prej dy vendeve të para deri në fund të sezonit të rregullt”, është shprehur Veseli.
Peja aktualisht është e treta në tabelë me 41 pikë, sa i ka edhe Ylli në vendin e dytë. Prin Sigal Prishtina me një pikë më shumë. Deri në fund të pjesës të rregullt të edicionit kanë mbetur edhe katër xhiro. Dy ekipet e para në tabelë avancojnë në gjysmëfinale pa lojë. Skuadrat prej vendit të tretë deri në të gjashtin do të përballen në serinë çerekfinale të plejofit.
Vëllaznimi po lufton për ta mbajtur pozitën aktuale, të gjashtën, e cila i garanton plejofin. Por misioni nuk do të jetë aspak i lehtë, ka pranuar trajneri Josip Plantak. Vëllaznimi ka 32 pikë, një më shumë se Ponte Prizreni që është i shtati. Këto dy ekipe do të luftojnë deri në fund për t’i ikur pozitës së parafundit që dërgon në plejaut. Ndërkohë Rahoveci renditet i fundit me 27 pikë dhe pa gjasa për ngritje. Vëllaznimi futet në ndeshjen ndaj Pejës pas një serie prej katër humbjeve.
“Peja për momentin është në superformë dhe duhet pranuar se është favorite për ta fituar këtë ndeshje. Po luan shumë mirë me trajnerin e ri. Na pret një përballje shumë e vështirë, por ne duhet të japim edhe atomin e fundit nga vetja për ta synuar befasinë. Nuk do të jetë lehtë, por jemi gati të mos dorëzohemi deri në fund”, theksoi Plantak.
Të shtunën prej orës 19:00 zhvillohet ndeshja tjetër e kësaj xhiroje. Në palestrën “Mizahir Isma”, skuadra e Rahovecit e pret Bashkimin.
Të dielën Golden Eagle Ylli luan në shtëpi kundër Ponte Prizrenit, ekip që nuk di për fitore në pesë ndeshjet e fundit. Kjo përballje nis në orën 19:00.
Ndërkohë xhiroja do të mbyllet me derbin e madh ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Trepçës, i cili zhvillohet të hënën prej orës 19:00, në palestrën “1 Tetori”. Trepça është në seri prej gjashtë fitoreve, ndërsa humbjen e fundit në kampionat ia ka shkaktuar pikërisht Prishtina në xhiron e 18-të. Trepça zë vendin e katërt në tabelë me 39 pikë, tri më pak se Prishtina, e cila u mposht nga Trepça në finalen e Kupës së Kosovës, muajin e shkuar.
Superliga – 25
E shtunë
Peja – Vëllaznimi (17:00)
Rahoveci – Bashkimi (19:00)
E diel
G.E. Ylli – P. Prizreni (19:00)
E hënë
S. Prishtina – Trepça (19:00)
1. S. Prishtina 24 42
2. G.E. Ylli 24 41
3. Peja 24 41
4. Trepça 24 39
5. Bashkimi 24 35
6. Vëllaznimi 24 32
7. P. Prizreni 24 31
8. Rahoveci 24 27