Përballja e kampiones në fuqi, Pejës, me nënkampionen Trepçën, do të jetë edhe derbi kryesor i xhiros së 17-të në Superligën e Kosovës në basketboll. Kjo xhiro do të luhet të shtunën dhe të dielën, por vëmendja do të jetë në palestrën “Karagaçi” në Pejë. Kjo ndeshje nis në orën 19:00 të shtunën dhe Peja synon ta ndalë hovin e Trepçës, ekip që nuk di për humbje në nëntë ndeshjet e fundit. Peja është e dyta me 28 pikë të mbledhura, dy më pak se Trepça që i prin në tabelë. Te Peja e kanë parasysh rëndësinë e këtij takimi dhe gjatë tërë javës janë përgatitur maksimalisht për ta mposhtur Trepçën. Këto dy skuadra në stinorin vjeshtor janë përballur dy herë me njëra-tjetrën në elita, ku e kanë regjistruar nga një fitore. Peja pati triumfuar në shtëpi 92:80 në kuadër të xhiros së tretë, ndërsa Trepça iu pati revanshuar në Mitrovicë, duke e mposhtur me shifrat 91:71 në duelin që i takoi javës së dhjetë. Njëri prej lojtarëve më të dalluar te Peja këtë edicion, amerikani Justin Edler-Davis, pret fitore ndaj Trepçës. Ai thotë se janë maksimalisht të motivuar për këtë derbi, duke pasur parasysh se luajnë në shtëpi dhe kanë përkrahjen e fuqishme të tifozëve.
“Sigurisht, është një ndeshje derbi dhe ne duam ta fitojmë atë. Na pret një detyrë e vështirë, duke pasur parasysh se Trepça ka ekip të mirë dhe nuk di për humbje tashmë një kohë të gjatë, por ne jemi gati për këtë përballje. Kemi punuar mirë dhe jemi përgatitur maksimalisht për të triumfuar para tifozëve tanë, të cilët jam i bindur se do të krijojnë një atmosferë të zjarrtë dhe me përkrahjen e fuqishme do të na shtyjnë drejt fitores”, është shprehur Edler-Davis të premten për KOHËN.
Skuadra e Pejës i ka fituar tri ndeshjet e fundit, ndërsa Trepça nuk di për humbje prej xhiros së 12-të, të cilën ia shkaktoi Golden Eagle Ylli në Mitrovicë. Duke pasur parasysh këtë ecuri të rezultateve pozitive, Trepça drejt qytetit të Pejës do të udhëtojë për fitoren e dhjetë rresht. Kështu ka thënë fundori amerikan Darnell Edge. Edge ka vlerësuar lart ekipin e Pejës, por ka insistuar se Trepça duhet ta fitojë këtë derbi për ta konfirmuar formën e mirë që po e kalon.
“Pres të jetë një ndeshje e fortë, me një atmosferë të zjarrtë. Ne jemi gati për duelin me Pejën, të cilin duam ta fitojmë. Kemi punuar mirë gjatë tërë javës dhe duam të vazhdojmë serinë e fitoreve që e kemi nisur tashmë sa kohë”, shtoi Edge.
Kjo është ndeshja e dytë që do të luhet të shtunën, pasi xhiroja do të hapet me duelin tjetër interesant, atë ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Yllit. Kjo përballje luhet në Prishtinë dhe nis në orën 17:00. Prishtina është e katërta në tabelë me 26 pikë të mbledhura, sa i ka edhe Ylli që renditet i treti. Skuadra nga kryeqyteti në këtë ndeshje futet pas humbjes që e pësoi xhiron e shkuar nga Trepça në Mitrovicë, ndërsa Ylli është në seri prej dy fitoreve. Dy ndeshjt e tjera do të zhvillohen edhe të dielën kur edhe do të përfundojë kjo xhiro e elitës së basketbollit kosovar. Në orën 17:00, në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë, skuadra e Vëllaznimit e pret Proton Cable Prizrenin. Vëllaznimi në këtë përballje synon të rikthehet tek fitorja pas serisë prej tri humbjeve, ndërsa Prizreni ka pësuar dy disfata në dy duelet e fundit. Vëllaznimi është i pesti në tabelë me 23 pikë, dy më shumë se Prizreni që zë pozitën e parafundit. Ndërkohë prej orës 19:00 do të luhet ndeshja ndërmjet Istogut dhe skuadrës së Bashkimit. Istogu është vendas dhe në mungesë të palestrës këtë ndeshje do ta luajë në Prizren. Istogu, që është promovuar këtë vit në Superligë ka vetëm një fitore, të cilin e arriti pikërisht kundër Bashkimit dhe ka tubuar 17 pikë deri më tani. Në anën tjetër, Bashkimi që ka 21 pikë, vikendin e shkuar i dha fund serisë negative prej pesë humbjeve në elitën e basketbollit kosovar.
Superliga – XVII
E shtunë
S. Prishtina – G.E. Ylli (17:00)
Peja – Trepça (19:00)
E diel
Vëllaznimi – P.C. Prizreni (17:00)
Istogu – Bashkimi (19:00)
1. Trepça 16 30
2. Peja 16 28
3. G.E. Ylli 16 26
4. S. Prishtina 16 26
5. Vëllaznimi 16 23
6. Bashkimi 16 21
7. P.C. Prizreni 16 21
8. Istogu 16 17