Sport

Peja synon fazën e grupeve në Champions, Trepça në FIBA Europe Cup

Dy skuadra të basketbollit nga Kosova do të paraqiten në garat e FIBA-s në edicionin e ri – Ligën e Kampionëve dhe FIBA Europe Cup. Bëhet fjalë për Pejën dhe Trepçën, të cilave tashmë Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ua ka dërguar nominimin e ardhur nga FIBA. Këtë e ka konfirmuar për KOHËN sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, të premten.

Peja ka fituar titullin e kampionit në edicionin 2022/2023, ndërsa Trepça është fituese e Kupës së Kosovës dhe nënkampione.

Të dy klubet kanë konfirmuar se do të paraqiten në garat e FIBA-s në edicionin e ri dhe se gjatë javës së ardhshme do t’i plotësojnë formularët të cilët do t’ia kthejnë FBK-së.

“Ne tashmë kemi marrë nominimet nga FIBA dhe ua kemi përcjellë klubeve që kanë fituar të drejtën e pjesëmarrjes në garat e FIBA-s për edicionin e ri. FIBA ka bërë të ditur që Peja si kampione mund të paraqitet në Ligën e Kampionëve, ndërsa Trepça në FIBA Europe Cup. Kështu që në edicionin e ri basketbolli kosovar do të përfaqësohet me dy ekipe dhe për këtë vetëm po presim që të na kthehen nominimet, të cilat veçse ua kemi përcjellë klubeve në fjalë”, është shprehur Elvira Dushku. “Në fakt Pejës ia kemi dërguar dy nominime pasi krahas Ligës së Kampionëve mund të paraqitet edhe në FIBA Europe Cup, në rast se nuk arrin të kalojë rrethin kualifikues në Champions”.

Te Peja janë të vendosur që të luajnë në Ligën e Kampionëve. Synojnë të arrijnë fazën e grupeve të Championsit, që është nivel më i lartë se FIBA Europe Cup. Për të luajtur në grupe pejanëve u duhet ta fitojnë raundin kualifikues, i cili zhvillohet në formë të turneut. Në rast se paraqitet në fazën e grupeve, atëherë Peja do të bëhet ekipi i parë nga Kosova që arrin një sukses të tillë. Deri më tani asnjë ekip nga Kosova nuk ka luajtur në fazën e grupeve të Championsit, kurse tentime ka pasur vetëm nga dy ekipe. Edicionin e fundit Golden Eagle Ylli u eliminua në çerekfinale të rundit kualifikues. U mposht nga skuadra e Benficas (92:67) në turneun e mbajtur në Portugali, për ta vazhduar rrugëtimin evropian në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup. Para Yllit në fazën e grupeve të Championsit ka tentuar të futet edhe Sigal Prishtina, por që nuk ka pasur sukses në tri tentime, duke u eliminuar në rrethin e parë kualifikues.

Te Peja e kanë parasysh se kualifikimi në fazën e grupeve të Championsit nuk do të jetë mision i lehtë, por janë të bindur se mund t’ia dalin mbanë nëse krijojnë ekip duke iu përgjigjur kërkesave të trajnerit Rami Hadar për angazhimin e lojtarëve.

“Ne tashmë e kemi nisur punën sa u përket lojtarëve që duam t’i kemi në ekip për edicionin e ri. Synimi është të krijojmë një ekip të fortë, bazuar në atë që kërkon trajneri Hadar për shkak se do të paraqitemi në Ligën e Kampionëve. Paraqitja në këtë garë nuk duam të jetë e shkurtër, pasi qëllimi është të kualifikohemi në fazën e grupeve. Nuk do të jetë lehtë, por edhe trajneri e ka synim që me Pejën të luajë në fazën e grupeve për ta ngritur ekipin në një nivel tjetër”, është shprehur kryetari i Pejës, Fatmir Gashi. “Do të ishte diçka madhështore nëse futemi në grupet e Ligës së Kampionëve pasi do të përballeshim me kundërshtarë të fortë. Ne do të paraqitemi në Ligën e Kampionëve me idenë për të luajtur në fazën e grupeve si ekipi i parë nga Kosova”.

Peja rrugëtimin në Ligën e Kampionëve do ta nisë në fund të muajit shtator (26-30). Pritet të përcaktohen grupet e turneve kualifikues dhe vendet ku do të mbahen turnetë. Në rast se Peja nuk avancon në fazën e grupeve të Championsit, automatikisht do të bartet në grupet e FIBA Europe Cup. Championsi llogaritet niveli i tretë evropian, ndërsa FIBA Europe Cup, niveli i katërt. Por janë garat kryesore për klube që i organizon FIBA. Euroliga dhe Eurocup nuk organizohen nga FIBA.

“Edhe nëse nuk luajmë në grupet e Ligës së Kampionëve, do të paraqitemi në FIBA Europe Cup. Por dëshira e të gjithëve është të paraqitemi në nivel më të lartë, pra në Ligën e Kampionëve”, shtoi Gashi.

Skuadra e Pejës ka luajtur në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup. Në edicionin 2016/17, Peja pati përfunduar e fundit në Grupin G që përbëhej nga Gaziantepi (Turqi), Cluj-Napoca (Rumani) e Petrolina AEK Larnaca (Qipro), me vetëm një fitore në gjashtë ndeshje të luajtura.

Edhe Trepça do të kërkojë që nëpërmjet turneut kualifikues të sigurojë pjesëmarrjen në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup. Ndeshjet e turneut kualifikues do të mbahen në ditët e para të muajit tetor (3-6). Për Trepçën do të jetë hera e dytë rresht që do të luajë në këtë rund. Trepça vjet e organizoi turneun në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, por në çerekfinale u mposht nga Gottingeni i Gjermanisë (76:62). Te Trepça janë të vendosur që të shkojnë një hap tutje, në fazën e grupeve.

“Normalisht që secili ekip synon të kualifikohet në fazën e grupeve të një gare të FIBA-s, që do të thotë se edhe Trepça do të luftojë për ta realizuar një gjë të tillë në edicionin e ri. Ne duam të marrim pjesë dhe të shkojmë më larg se edicionin e kaluar. Besoj se do të jemi gati për një hap të tillë, që do të ishte shumë i rëndësishëm për ne si klub”, ka theksuar kryetari i Trepçës, Vullnet Sefaja.

Skuadrat nga Kosova më së shumti paraqitje kanë në FIBA Europe Cup. Krahas Trepçës tentim për kualifikim në fazën e grupeve ka pasur edhe Rahoveci (2019/20) por që qe eliminuar në ndeshjen parakualifikuese. Më së shumti paraqitje në garat e FIBA-s ka Sigal Prishtina.