Sport

Peja kërkon fitore në Holandë për t’i rritur gjasat për kalim të grupit

Pas dy humbjeve rresht, skuadra e Pejës synon të kthehet te fitorja në garën e FIBA Europe Cup.

Javën e shkuar skuadra pejane pësoi dy humbje, njërën në garat evropiane dhe tjetrën në Superligën e Kosovës në basketboll. Në FIBA Europe Cup, Peja u mposht bindshëm në shtëpi nga Niners Chemnitzi i Gjermanisë. Ndërkohë në fundjavën e kaluar, kampionia në fuqi pësoi humbjen e parë këtë edicion në Superligë. U mposht në Gjakovë nga skuadra e Vëllaznimit.

Me synim për t’u rikthyer te fitorja, Peja ka udhëtuar drejt Holandës ku do ta luajë ndeshjen e xhiros së pestë në kuadër të Grupit H të FIBA Europe Cup. Përballet me ekipin Heroes Den Bosch, në duelin që luhet të enjten dhe nis në orën 20:00.

Peja është e dyta në grup me 6 pikë, sa i ka edhe Spojnia Stargard e Polonisë që zë vendin e tretë. Den Boschi është i fundit dhe tashmë i eliminuar pasi ka pësuar katër humbje. U mposht edhe nga Peja më 25 tetor. Skuadra pejane me fitore në Holandë do të bëjë një hap drejt avancimin në fazën e dytë grupore. Në krye të grupit është Niners Chemnitz që ka katër fitore dhe pritet të enjten të kalojë tutje, kur përballet me polakët e Stargardit.

Tutje avancojnë fituesit e grupeve dhe gjashtë prej dhjetë skuadrave të pozitës së dytë me bilancin më të mirë.

Te Peja kanë insistuar se janë munduar që të përgatiten sa më mirë për ndeshjen me Den Boschin, duke pasur parasysh rëndësinë e saj. Optimizmi në kampin pejan është i madh, ndonëse kanë pranuar se duhet të tregohen maksimalisht të kujdesshëm dhe të bëjnë një paraqitje të mirë për fitoren e tretë në këtë garë. Basketbollisti i Pejës, Meriton Ismaili, beson se nga Holanda do të kthehen si triumfues.

“Sigurisht që duam të kthehemi nga fitorja pas humbjeve javën e shkuar, të cilat erdhën si rezultat i orarit të ngjeshur që e kemi pasur prej fillimit të edicionit. Den Boschin e kemi mposhtur në shtëpi, por nuk do të thotë se do të jetë lehtë të fitojmë edhe në Holandë. Megjithatë, ne jemi përgatitur mirë dhe do të dalim në parket për të dhënë gjithçka nga vetja që ta fitojmë ndeshjen për të bërë një hap tjetër drejt kalimit nga kjo fazë e grupeve”, ka theksuar Ismaili. Ai është prej lojtarëve më të rëndësishëm vendorë në skuadrën e Rami Hadarit.

Peja edhe në këtë ndeshje do të jetë pa qendrën Lis Shoshi, i cili ende nuk është rikuperuar nga lëndimi dhe ka munguar në ndeshjet e fundit. Ndërkohë pritet të mos paraqitet edhe amerikani i natyralizuar, Malcolm Armstead.

De Boschi është një prej skuadrave më të suksesshme në Holandë, pasi ka të fituar 17 tituj kampioni, të fundit në edicionin 2021/22. Po ashtu ,ka edhe shtatë kupa e tri Superkupa të Holandës. Aktualisht në kampionatin holandez Den Boschi është i treti në tabelë me pesë fitore dhe një humbje. Por në FIBA Europe Cup nuk ka pasur paraqitje të mira. Krahas Den Boschit, Peja e ka mposhtur edhe Spojnia Stargardin në Poloni, ndërsa ka pësuar në dy përballjet nga Niners Chemnitzi.

Den Boschi në radhët e veta ka gjashtë lojtarë të huaj, prej të cilëve katër janë amerikanë.

Ndeshja vendimtare për pozitën e dytë në grup pritet të jetë ajo mes Pejës dhe Stargardit, që zhvillohet më 22 nëntor në “Karagaçi”.