Basketbollistët e Pejës e kanë parasysh se vetëm një opsion një ndeshjen e katërt të serisë finale ndaj Trepçës, mund t’i mbajë gjallë gjasat për titullin e kampionit. E ky opsion i vetëm është fitorja, të cilën e synojnë për ta barazuar dhe dërguar serinë në ndeshjen e pestë, saktësisht vendimtare për titull. Dueli i katërt mes Pejës dhe Trepçës, zhvillohet të dielën në palestrën “Karagaçi” prej orës 17:15. Pas tri ndeshjeve të zhvilluara, rezultati i përgjithshëm është 2:1 në favor të Trepçës dhe ekipit nga Mitrovica i nevojitet edhe një fitore për ta fituar titullin e kampionit këtë edicion në Superligën e Kosovës në basketboll.
Pejanët i kanë humbur dy ndeshje në Mitrovicë dhe një e kanë fituar në Pejë. Në rast se fitojnë edhe ndeshjen e dytë në Pejë, atëherë ndeshja e pestë finale e plejofit, do të luhet në Mitrovicë për shkak se Trepça ka përparësinë e terrenit vendas. Te Peja jo vetëm që janë të vendosur, por edhe të motivuar për ta fituar ndeshjen e katërt, duke pasur parasysh se janë vendas dhe kanë përkrahjen e fuqishme të tifozëve, të cilët pritet të stërmbushin palestrën.
Arian Qallaku të shtunën ka thënë për KOHËN se pret fitore për ta barazuar serinë dhe pastaj të shkojnë në Mitrovicë për ta synuar titullin e kampionit. Qallaku parashikon se përballja e katërt do të jetë tejet e vështirë, por thotë se Peja nuk ka çfarë të humbë më shumë dhe për këtë arsye, prej fillimit të ndeshjes do ta kërkojë fitoren. Ai beson se gabimet që i bënë në ndeshjen e tretë, të enjten mbrëma në Mitrovicë nuk do t’i përsërisin. Peja deri gjashtë minuta para përfundimit të ndeshjes ishte në avantazh, përpara se të bjerë nga ritmi i lojës dhe të pësojë humbje.
“Padyshim, se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë dhe e fortë. Ne do të mundohemi t’i eliminojmë gabimet tona që i bëmë në ndeshjen e kaluar dhe të reflektojmë nga ajo humbje. Jemi gati për të fituar dhe me ndihmën e tifozëve jam i bindur në rezultat pozitiv. Duam ta barazojmë serinë dhe pastaj në ndeshjen e pestë ta kërkojmë titullin, pasi dihet që këtë synim e kemi pasur prej fillimit të edicionit”, është shprehur Qallaku.
Megjithatë, ngjashëm sikurse Peja edhe skuadra e Trepçës kërkon fitore, duke pasur parasysh se me triumf do t’u jepte fund dilemave për titullin e kampionit. Trepça e fitoi ndeshjen e tretë, përkundër zhvillimeve dhe ndryshimeve të papritura në klub që ndodhën. Një ditë para ndeshjes me Pejën, trajneri nga Turqia, Engin Gençoglu u largua dhe u zëvendësua me ndihmësin e tij, Ilir Selmanin. Selmani debutoi me fitore në krye të Trepçës dhe tani ka rastin ta shtyjë ekipin drejt titullit të kampionit, sukses që i mungon tashmë një kohë të gjatë. Trepça prej vitit 2012 nuk është shpallur kampione, ndërsa Peja nuk e ka fituar titullin prej vitit 2012.
“Përfundimisht, pres që ndeshja e katërt të jetë shumë më e fortë, pasi të dyja ekipet synojnë fitoren dhe shpresoj që kushtet për lojë të jenë paksa më të mira. E kemi parasysh se nuk do të jetë aspak lehtë për të fituar në palestrën e Pejës por ne jemi gati për këtë sfidë dhe synimi është fitorja, pasi duam ta fitojmë titullin e kampionit sa më herët që të jetë e mundur”, ka deklaruar qendra e Trepçës, Will Daniels.
Për Trepçën, kjo është finalja e katërt këtë edicion, ndërsa për Pejën e dyta. Peja javë më parë u mposht në finalen e Ligës Ballkanike (BIBL) kurse Trepça tashmë ka triumfuar në Superkupën Mbarëshqiptare dhe Kupën e Kosovës. Finalen e vetme të humbur këtë edicion, e ka në Superkupën e Kosovës. Po ashtu, Peja dhe Trepça janë edhe skuadrat finaliste të dy edicioneve të fundit në elitën e basketbollit kosovar, por që të dyja u patën mposhtur nga Golden Eagle Ylli që u shpall dy herë rresht kampion i Kosovës (2021, 2022).