Një ditë pa u mbyllur afati i rregullt kalimtar në basketbollin e Kosovës, kampionia Peja e ka kompletuar ekipin për edicionin 2023/24.
Të enjten mbrëma Peja prezantoi tre lojtarë për t’ia kompletuar kështu ekipin trajnerit Rami Hadar. Përgatitjet e Pejës për edicionin e ri do të nisin javën tjetër.
Justin Davis, Lis Shoshi e Dion Sheqiri iu shtuan përforcimeve të mëparshme si Jacob Calloway, Larry Thomas, Trevell Beck, Malcolm Armsted e Meriton Ismaili. Thomas ishte pjesë e Pejës edhe edicionin e shkuar, sikurse edhe Arian Qallaku, i cili ka konfirmuar qëndrimin në ekip. Ndërsa Armsted llogaritet lojtar vendor për shkak se posedon pasaportën e Kosovës.
Te Peja thonë se e kanë kompletuar ekipin, ndonëse kanë vend edhe për një lojtar të huaj. Por, janë në pritje të amerikanit Jalen Tate, i cili u shpall MVP i edicionit të shkuar, ku ishte ndër më të merituarit për kthimin e titullit pas një dekade.
“E kemi kompletuar ekipin dhe vetëm po presim të startojmë me përgatitje. Në fakt e kemi edhe një vend për një lojtar të huaj dhe po e presim një përgjigje përfundimtare nga Tate. Nëse pranon ofertën, atëherë do të na bashkohet. Në të kundërtën do të vazhdojmë me këtë ekip që e kemi”, ka thënë kryetari i Pejës, Fatmir Gashi, për KOHËN.
Përgatitjet për edicionin e ri Peja pret t’i fillojë më 15 apo 18 gusht, ndërsa Hadar prej ditës së parë do t’i ketë në dispozicion të gjithë basketbollistët.
Gashi ka thënë se përgatitjet po fillojnë më herët se zakonisht duke pasur parasysh se Peja do të paraqitet në turneun kualifikues të Ligës së Kampionëve. Në çerekfinale të turneut kualifikues, që do të zhvillohet në Antalia të Turqisë, Peja do të përballet me kampionin e Danimarkës, Bakken Bears. Ky turne do zhvillohet prej 28 shtatorit deri më 1 tetor dhe Peja duhet t’i mposhtë tri skuadra për të avancuar në fazën e grupeve të Championsit.
“Përgatitjet do t’i nisim javën e ardhshme dhe të gjithë lojtarët do të jenë të pranishëm për shkak se duhet të bëhemi gati për Ligën e Kampionëve. Bazuar në lojtarët që i kemi marrë, mendoj se kemi ekip të mirë dhe sigurisht që synimet janë të mëdha”, ka thënë Fatmir Gashi.
Synimi i madh i Pejës do të jetë faza e grupeve të Championsit, por natyrisht edhe mbrojtja e titullit të kampionit të Kosovës. Edhe nëse nuk avancon në Ligën e Kampionëve, Peja do të paraqitet në grupet e FIBA Europe Cup.
“Do të kërkojmë kalimin në grupet e Ligës së Kampionëve. Nuk do të jetë aspak lehtë, por për ne do të ishte një arritje shumë e madhe. Jo vetëm për Pejën, por edhe për basketbollin kosovar pasi do të bëheshim ekipi i parë që do të paraqiteshim në fazën e grupeve. Megjithatë, ne do të luajmë në grupet e FIBA Europe Cup edhe nëse nuk arrijmë në Champions”, është shprehur Gashi. “Sa i përket Superligës së Kosovës, natyrisht që duam ta mbrojmë titullin. Do të luftojmë deri në fund për të dëshmuar se jemi ekip i fortë dhe kthimi i këtij trofeu edicionin e shkuar pas një dekade nuk ishte i rastësishëm. Krahas titullit do të kërkojmë të marrim edhe trofetë e tjerë”.
As në kampionatin e Kosovës nuk do të jetë lehtë për Pejën. Këtë e ka pranuar edhe Gashi, i cili ka thënë se në garë për titull do të jenë të paktën edhe tri skuadra tjera. Ai ka veçuar Sigal Prishtinën dhe Trepçën, ndërsa ka shtuar se pret që garës t’i bashkëngjitet edhe Golden Eagle Ylli.
“Nuk do të jetë lehtë as në kampionatin tonë, por besoj se ndeshjet në arenën ndërkombëtare do të na ndihmojnë të komponohemi edhe më shumë. Krahas Pejës, edhe Prishtina e Trepça do të jenë ekipet që do të luftojnë për titull. Nuk përjashtohet as Ylli dhe personalisht pres një garë të fortë dhe një kampionat tejet interesant”, është shprehur Gashi.
Peja edicionin e fundit në serinë finale të plejofit e mposhti skuadrën e Trepçës.
Edhe Trepça në edicionin e ri do të paraqitet në arenën ndërkombëtare, saktësisht në turneun kualifikues të FIBA Europe Cup. Në këtë turne kualifikues që do të mbahet në Estoni (2-5 tetor), Trepça do të përballet me Parnun dhe Tindastollin, ekipe që duhet t’i mposhtë për ta siguruar fazën e grupeve. Liga e Kampionëve dhe FIBA Europe Cup, janë gara të nivelit të tretë dhe të katërt në basketbollin evropian, pas Euroligës dhe Euro Cup.