Sport

Peja, e vendosur të kthehet nga Bullgaria me trofeun e Ligës së zbehtë të Ballkanit

Pasi ka siguruar finalen në plejofin e Superligës së Kosovës në basketboll, skuadra e Pejës ka udhëtuar maksimalisht e motivuar drejt Bullgarisë. Prej Bullgarisë, Peja synon të kthehet me trofe, i cili do të ishte i pari për këtë edicion.

Në Stara Zagora, Peja do të paraqitet në “Final Four” të Ligës Ballkanike (BIBL), që nis të premten dhe përfundon të dielën. Në gjysmëfinale, Peja do të përballet me skuadrën bullgare Beroe, të premten prej orës 18:15. Në gjysmëfinalen tjetër, që luhet më herët të premten, do të takohen Hapoel Beer Sheva e Izraelit dhe Milenijum Kodio e Malit të Zi.

Te Peja, optimizmi është i madh për triumf në BIBL, garë në të cilën po paraqitet për herën e gjashtë. Për herë të tretë Peja ka arritur të futet në mesin e katër skuadrave më të mira dhe tani e synon titullin e kampionit. Basketbollisti Arian Qallaku ka insistuar se Peja ka pasur kohë të përgatitet për fazën finale të BIBL-së, duke pasur parasysh se javën e shkuar ka siguruar kalimin në finalen e plejofit të Superligës së Kosovës, pasi e eliminoi Golden Eagle Yllin me rezultatin 3:1. Sipas Qallakut, Peja vlerësohet favorite në letër përballë Beroes, ekip të cilin e ka mposhtur dy herë në po aq ndeshje të luajtura gjatë fazës së rregullt. Peja e ka mbyllur pjesën e rregullt me dhjetë fitore e dy humbje.

“Jemi përgatitur mirë dhe synojmë që të kthehemi me trofeun e kampionit. Mirëpo para se të flasim për trofeun, duhet të jemi të fokusuar ta eliminojmë Beroen në gjysmëfinale. E njohim kundërshtarin dhe sigurisht se do ta respektojmë maksimalisht, por prej fillimit të ndeshjes do të qasemi për të fituar. Po ashtu jemi të motivuar edhe me faktin se do të luajmë në finalen e plejofit në Kosovë, ku edhe aty kemi synime të mëdha”, është shprehur Qallaku. “Do të japim gjithçka nga vetja për të triumfuar në Ligën Ballkanike, pasi ky sukses do të na siguronte trofeun e parë të kësaj gare në historinë e klubit”.

Pejës në Bullgari do t’i mungojë Samir Zekiqi për shkak të lëndimit, derisa lojtarët e tjerë janë plotësisht të gatshëm. Triumfi në BIBL do të ishte shtytje për Pejën që ta kërkojë titullin e kampionit të Kosovës, sukses që nuk e ka prej vitit 2013.

“Fokusi është në Ligën Ballkanike, të cilën duam ta fitojmë përpara se të përqendrohemi në finalen e plejofit në Kosovë. Kemi ekip për t’i fituar dy trofetë dhe shpresoj t’ia dalim”, ka theksuar qendra e Pejës, Brad Waldow.

Këtë edicion në BIBL ka marrë pjesë edhe skuadra e Bashkimit, e cila është përjashtuar nga garat për shkak se nuk kishte mjaftueshëm lojtarë në përbërje, sipas rregulloreve të ligës. Për të njëjtën arsye është përjashtuar edhe Levski 2014 i Bullgarisë, ndërsa ekipi nga Ukraina, Budivelnyk, ka hequr dorë pak para përfundimit të fazës së rregullt për shkak të problemeve financiare. Pra Liga Ballkanike kishte telashe shumë të mëdha dhe mezi iu afrua fundit të edicionit.

Liga Ballkanike startoi me shtatë klube, derisa mbeti me vetëm katër gjatë edicionit. Pra të gjitha ekipet që garuan deri në fund, siguruan fazën finale. E para ishte skuadra izraelite e pas saj Peja. Beroe, që organizon turneun final, ishte e treta, kurse Milenjum Kodio përfundoi i katërti.

Liga Ballkanike nuk ka ndonjë lidhje direkte me garat evropiane. Ishte dritarja e parë ndërkombëtare për skuadrat kosovare, por që ka humbur plotësisht shkëlqimin dhe vlerën në vitet e fundit.

Drejtori sportiv i BIBL, Shay Shtriks, këtë edicion e ka vlerësuar si më të vështirin dhe më sfiduesin në histori të ligës së themeluar në vitin 2008.

“Edicioni 2022/23 ishte më i vështiri dhe më sfiduesi. Të gjitha skuadrat që marrin pjesë në ‘Final4’ luajtën 10 ndeshje nga 12 sa ishin planifikuar”, ka thënë Shtriks.

Sigal Prishtina ka fituar dy tituj kampioni në Ligën Ballkanike, ndërsa Bashkimi ka arritur deri në finale. FBK-ja ka kohë që është distancuar plotësisht nga kjo ligë.