Boksierja e Kosovës, Donjeta Sadiku, do të bëjë paraqitjen e dytë në Lojërat Olimpike. Dhe tani po e mendon vetëm medaljen.
Medaljen e përmendi thuajse në çdo përgjigje, të dielën në intervistën për KOHËN pas kualifikimit në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”.
“Vetëm të them medalje olimpike, është diçka e madhe për mua. Besoj në frymë time dhe medalja olimpike është e arritshme për mua’, ka thënë Donjeta Sadiku.
Ajo të shtunën siguroi pjesëmarrjen me normë në Lojërat Olimpike që në verë mbahen në Paris. Donjeta në gjysmëfinale të turneut kualifikues botëror që po mbahet në Busto Arsizio të Italisë, ka mposhtur italianen Alessia Mesiano me rezultatin e ngushtë 3:2. Kalimi në finale nënkupton normë. Finale nuk do të ketë.
Para italianes, Donjeta mposhti edhe tri boksierë të tjera të kategorisë deri 60 kilogramë.
“Në mendjen time unë jam më e mira. Unë besoj edhe në medalje olimpike. Uroj të kem shëndetin dhe në mendjen time është gjithçka e mundur”, është shprehur Sadiku.
Sadiku në vitin 2021 mori pjesë për herë të parë në Lojërat Olimpike, të mbajtura në Tokio. Mori pjesë me ftesë. Paraqitjen në Lojërat Olimpike e pati cilësuar si një nga ngjarjet më të rëndësishme në karrierë. Tani ka ëndërr medaljen.
“Jam me të vërtetë e lumtur që kam fituar normën dhe që do ta kem mundësinë ta përfaqësoj vendin tim, Kosovën, në Lojërat Olimpike ‘Parisi 2024’. Kam thënë edhe më herët që nuk do ta kem vetëm synim kualifikimin në Paris, por synimi im është medalja olimpike”, është shprehur tutje Sadiku.
Kualifikimin historik ia dedikon gjithë shqiptarëve.
“Në momentin kur më është ngritur dora, kam qenë shumë e emocionuar. Kam shkuar për ta përqafuar trajneren time dhe kam shkuar tek kamera dhe kam thënë me gjithë shpirt që jam krenare qe jam shqiptare. Unë këtë fitore ia dedikoj gjithë shqiptarëve kudo që janë”.
Donjeta e di se nuk ka edhe shumë kohë për të festuar. Thotë se e pret punë e madhe për të qenë sa më e gatshme për Lojërat Olimpike.
“Unë shumë herë e kam dëshmuar që nuk dorëzohem. Donjeta është gjithmonë e fortë dhe jam kthyer gjithmonë më e fuqishme pas dëshpërimeve. Pasi arrita kualifikimin, uroj që ta kem shëndetin dhe ta kem fatin drejt Parisit. Ajo që na takon, mua si boksiere dhe trajneres sime Marjola Sallauka, ne do ta bëjmë maksimumin që të jem në formën më të mirë dhe pse jo edhe t’i siguroj Kosovës medalje olimpike”, ka shtuar boksierja kosovare.
Dy vjet më parë, 24-vjeçarja i siguroi Kosovës dy medalje nga ngjarjet e mëdha të boksit. E fitoi medaljen e bronztë evropiane dhe botërore.
Ajo ka bindjen se ka mundur t’i sigurojë Kosovës edhe më shumë medalje. Ishte përballur me diskriminim në të kaluarën. Mund të përballet edhe sivjet. Evropiani do të mbahet në Beograd, nga 15 deri më 29 prill.
“Duke marrë parasysh që India nuk më ka lënë në Botëror tri herë rresht, ka qenë dëshpëruese për mua. Por unë gjithmonë jam kthyer edhe më e fuqishme. Këtë vit e kam edhe Kampionatin Evropian, i cili mbahet në Serbi. Nuk e dimë ende sigurt se a do të marrim pjesë, mirëpo synimi kryesor ka qenë Olimpiada dhe do të punojë për të realizuar ëndrrën”, ka theksuar ajo.
Donjeta lë të kuptohet se pak ka rëndësi nëse i mohohet pjesëmarrja në Evropian.
“Nëse më lejohet pjesëmarrja, paraqitja ime do të jetë ashtu siç ishte në këtë turne kualifikues. Shpresoj të kem shëndetin dhe do ta jap maksimumin ashtu siç e kam dhënë gjithmonë”, ka thënë Sadiku.
Donjeta Sadiku, e cila jetën ia ka dedikuar boksin, kohën më të madhe e kalon në një palestër të improvizuar. Ajo pret që në një të ardhme shteti t’ia ndërtojë një palestër, ku do të ketë mundësi të stërvitet në kushte normale.
Vështirësitë vetëm e kanë forcuar. Dhe tani ndihet mjaftueshëm e fortë për të siguruar medaljen nga ngjarja më e madhe sportive.