Sport

Pas eliminimit në FIBA Europe Cup, Peja synon titullin dhe Kupën e Kosovës

Eliminimi nga FIBA Europe Cup nuk është pritur mirë te Peja, por te kjo skuadër janë të motivuar për të luftuar për trofetë e tjerë deri në fund të këtij edicioni – Kupën dhe titullin e Kosovës. Kështu ka insistuar të enjten basketbollisti amerikan i Pejës, Jacob calloway. Peja të mërkurën mbrëma u eliminua në fazën e parë të grupeve nga FIBA Europe Cup. U mposht në shtëpi nga Spojnia Stargardi i Polonisë (91:87) për të përfunduar e treta në Grupin H. Kampionia e Kosovës ka synuar avancimin nga faza e grupeve nëpërmjet vendit të dytë dhe fitorja eventuale ndaj ekipit polak mund ta kishte mbajtur në garë për të qenë në mesin e gjashtë ekipeve të dyta të dhjetë grupeve. Peja stinorin e rregullt të kësaj gare e mbylli me dy fitore karshi katër humbjeve në grupin që krahas Spojnia Stargardit, e kishte e Niners Chemnitzin e Gjermanisë dhe Heroes Den Boschin e Holandës. Për Pejën, kjo ishte paraqitja e dytë në FIBA Europe Cup dhe po ashtu, hera e dytë që u eliminua në këtë fazë. Në vitin 2017 kur debutoi, përfundoi e fundit në grup me vetëm një fitore.

Calloway ka thënë se Peja këtë edicion pati paraqitje të mira, por në ndeshjet e fundit i mungoi fati si dhe pati disa lojtarë të lënduar. Peja edicionin e nisi në turneun kualifikues të Ligës së Kampionëve dhe pas eliminimit në çerekfinale, u konfirmua në stinorin e rregullt të FIBA Europe Cup.

“Sinqerisht, nuk dua të komentoj shumë për eliminimin tonë, pasi jam ende i shqetësuar me humbjen e fundit. Megjithatë, mund lirisht të them se ndihem krenar me paraqitjen e ekipit dhe të gjithë lojtarëve në fazën e parë të grupeve. Luajtëm fort dhe nuk u dorëzuam për asnjë moment”, është shprehur calloway. “Na mungoi fati por kishim edhe lëndime të disa lojtarëve, gjë që ndoshta na kushtoi me eliminim. Në përgjithësi, treguam paraqitje të mira dhe luftuam shumë si ekip deri në fund”.

Tani, fokusi i Pejës do të jetë në garat vendore – Superligën dhe Kupën e Kosovës. Sigurisht, synimi i ekipit pejan është mbrojtja e titullit që e fitoi vitin e shkuar pas një dekade dhe triumfi në turneun e Kupës së Kosovës. Calloway ka thënë se Peja ka ekip për ta bërë një gjë të tillë dhe këtë tashmë e ka treguar qysh në fillim të këtij edicioni.

“Sigurisht, tani na mbetet të luftojmë për trofetë tjerë dhe të fokusohemi plotësisht të garat vendore”, ka insistuar calloway.

Pas tetë xhirove të luajtura në elitën e basketbollit kosovar, Peja prin në tabelë me 15 pikë të mbledhura. Është ekipi i vetëm që ka vetëm një humbje dhe shtatë fitore deri më tani. Disfatën e vetme ia shkaktoi skuadra e Vëllaznimit, e cila e mposhti në Gjakovë këtë muaj. Duelin e radhës, Peja e luan këtë vikend në kuadër të xhiros së dhjetë, ku përballet me skuadrën e Trepçës në palestrën “Minatori”. Në fakt, këto dy skuadra e përfaqësuan basketbollin kosovar këtë edicion në garat e FIBA-s. Edhe Trepça sikurse Peja, u eliminua në stinorin e rregullt të FIBA Europe Cup. Përfundoi e treta në Grupin G me një fitore karshi tri humbjeve në katër ndeshje të zhvilluara. Pjesë e këtij grupi ishin edhe ZZ Leiden (Holandë), Gravelines Dunkerque (Francë) dhe Hapoel Galil Elion (Izrael), ekip që u tërhoq nga garat për shkak të situatës në Lindjen e Mesme. Për Trepçën, kjo ishte hera e parë që u paraqit në stinorin e rregullt të FIBA Europe Cup. Trepça është nënkampione në fuqi dhe këtë edicion e ka nisur me triumf në Superkupën e Kosovës. Aktualisht, renditet e dyta në tabelë me 14 pikë të tubuara pas tetë ndeshjeve të luajtura deri më tani.