Sport

Pas akuzave publike, Peja thotë se lojtarëve ua ka borxh vetëm bonusin

Një ditë pas qendrës Bradley Waldow, ka reaguar edhe një lojtar tjetër i Pejës, që ishte pjesë e ekipit në edicionin e fundit, kur skuadra e fitoi titullin e kampionit të Kosovës. Edhe qendra tjetër, Marvin Jefferson, ka bërë një reagim në Instagram me akuza të ngjashme sikurse Waldow.

Waldow, që ishte prej më të rëndësishmëve, ka shkruar se përkundër që edicioni ka dy muaj që ka përfunduar, atij dhe shumë lojtarëve të tjerë nuk u janë kryer obligimet financiare nga klubi pejan. Waldow ka thënë se bëhet fjalë për pagën e fundit dhe bonusin për titullin e kampionit, duke paralajmëruar se hapi tjetër i tij do të jetë ankesa në BAT – gjykatën sportive të FIBA-s.

“Ne nuk i kemi marrë ato para që ishin tonat dhe që i merituam më djersën tonë. Bëhet fjalë për pagën e fundit dhe bonusin për titullin kampion. Fatkeqësisht hapi tjetër do të jetë në BAT”, ka shkruar Waldow ndër të tjera në reagimin e tij.

Jefferson, i cili iu bashkua Pejës në fillim të këtij viti, ka insistuar se klubi i ka borxh edhe pagën krahas bonusit.

Mirëpo, te Peja kanë mohuar kategorikisht një gjë të tillë. Pejanët kanë insistuar se lojtarët i kanë marrë të gjitha pagat, me përjashtim të bonusit për titullin e kampionit. Ky obligim, sipas përgjegjësve te Peja, do të kryhet gjatë muajit të ardhshëm.

“Ne fituam kampionatin dhe ata nuk kishin as mirësjelljen dhe respektin që të na paguanin paratë tona. Nuk kam marrë as rrogën, as paratë e bonusit të kampionatit, e turpshme”, ka shkruar Jefferson duke e rishpërndarë shkrimin e Waldowit që e bëri të hënën.

Waldow ishte njëri prej lojtarëve kryesor te Peja edicionin e shkuar dhe njëri prej të paktëve që ishte pjesë e skuadrës gjatë tërë edicionit. Peja e fitoi titullin e kampionit pas një dekade, ndërsa Waldow kontribuoi me 12 pikë e 11 kërcime për ndeshje në këtë sukses.

Kryetari i Pejës, Fatmir Gashi ka thënë të martën për KOHËN se klubi nuk ka borxhe në paga, por për bonuse të premtuara për titullin e kampionit. Sipas Gashit, vetëm disa prej lojtarëve kishin bonus për titull të përfshirë në kontrata dhe ata tashmë janë njoftuar se gjatë muajit të ardhshëm do t’u kryhet edhe ky obligim.

Gashi thotë se ka mbetur i habitur se si amerikanët kanë shkruar se klubi u ka borxh edhe një pagë.

“Është e vërtetë se kemi borxhe, por vetëm ndaj disa lojtarëve të cilit kishin bonuse. Pra, ne ua kemi borxh vetëm bonusin e titullit, pasi sa u përket pagave ato u janë paguar të gjithëve. Në lidhje me bonusin, ne tashmë i kemi njoftuar lojtarët se duhet të presin edhe pak dhe në momentin që do të dalin mjetet nga sponsorët, do t’ua procedojmë dhe do t’i kryejmë edhe këto obligime që i kemi”, ka insistuar Gashi. “Edicionin e shkuar ne kemi tejkaluar buxhetin që e kishim planifikuar, duke na u shtuar shpenzimet dhe për këtë arsye nuk kemi mundur t’ua shlyejmë edhe bonusin. Megjithatë, këtë obligim do ta kryejmë muajin tjetër dhe shpresoj që edhe lojtarët të na mirëkuptojnë për shkak se në këta muaj sa ishim në pushim nuk kemi pasur të hyra nga sponsorët”.

Disa prej lojtarëve të Pejës, duke përfshirë Waldowin dhe Jeffersonin, në kontratë e kanë pasur të cekur që nëse fitojnë titullin, përfitojnë një shumë parash.

Fatmir Gashi ka shtuar se deri në fillim të muajit të ardhshëm Peja do ta kompletojë ekipin për edicionin e ri. Sipas tij, klubi në muajin gusht do t’i fillojë përgatitjet me trajnerin Rami Hadar dhe sigurisht që synimi mbetet mbrojtja e titullit dhe trofetë tjerë, ndonëse nuk do të jetë lehtë.

Peja është në pritje të një përgjigjeje përfundimtare nga amerikani Jalen Tate për ta mbyllur çështjen e transferimit të lojtarëve. Tate ishte pjesë e Pejës edicionin e fundit dhe u shpall MVP i serisë finale të plejofit, në të cilën pejanët e mposhtën Trepçën. Ai luajti me një mesatare prej 15 pikëve, 5 kërcimeve dhe 4 asistimeve për ndeshje.

“Jemi në pritje edhe të amerikanit Tate për ta kompletuar ekipin për edicionin e ri. Po besojmë se ai do ta pranoj ofertën tonë, në të kundërtën do të marrim një të huaj tjetër. Besoj se këto ditë do të dihet përfundimisht nëse Tate do të jetë me Pejën edhe edicionin e ri”, u shpreh Gashi.

Krahas trajnerit Hadar, Peja për edicionin e ri ka konfirmuar edhe amerikanin Larry Thomas që luajti për ekipin në fund të edicionit të shkuar. Po ashtu në ekip ka shtuar Meriton Ismailin, Jacob Callowayn, Malcolm Armsteadin dhe Trevell Beckun.

Peja do të paraqitet në turneun kualifikues të Ligës së Kampionëve, ku në çerekfinale do të përballet me Bakken Bears të Danimarkës.