Edicioni 2023/24 në Superligën e Kosovës në basketboll pritet të jetë dukshëm më interesant dhe më i zjarrtë se edicioni i fundit. Kështu kanë paralajmëruar katër skuadrat që u paraqiten në serinë gjysmëfinale të plejofit – Peja, Trepça, Sigal Prishtina dhe Golden Eagle Ylli.
Të gjitha skuadrat tashmë kanë filluar përgatitjet për t’u kompletuar për edicionin e ri, i cili do të fillojë në muajin shtator. Peja ishte ekipi i parë që paralajmëroi se do të jetë edhe më e fortë për edicionin e ri, pasi e konfirmoi trajnerin nga Izraeli, Rami Hadar, edhe për një vit. Hadar erdhi në fillim të këtij viti dhe e udhëhoqi Pejën drejt titullit të kampionit, sukses ky që i ka munguar ekipit prej vitit 2013. Kryetari i Pejës, Fatmir Gashi, ka thënë se pas trajnerit do të përpiqen të ndalin edhe lojtarët vendorë që ishin boshti i ekipit dhe pastaj të kompletohet me basketbollistët e huaj. Ai nuk ka përjashtuar mundësinë që ndonjëri prej lojtarëve të huaj që ishte pjesë e Pejës edicionin e fundit, të rikthehet edhe për edicionin e ri. Megjithatë, Gashi ka paralajmëruar se Peja do të kompletohet me kohë dhe do të jetë plotësisht e gatshme për ta mbrojtur titullin e kampionit, mision ky aspak i lehtë.
“Ne tashmë jemi në negociata me vendorët që i kemi pasur, por ende asgjë nuk ka konkrete. Sigurisht, që duam t’i mbajmë ata dhe të sjellim edhe vendorë të tjerë, bazuar në kërkesat e trajnerit. Edhe për të huaj jemi duke u angazhuar dhe gjithashtu tash për tash jemi në negociata me Brad Waldowin, Jalen Taten e Larry Thomasin. Fillimisht këta dhe pastaj të shohim. Por ne do të jemi të kompletuar për edicionin e ri ta mbrojmë titullin e kampionit, ndonëse nuk do të jetë lehtë, sepse do të jetë shumë i fortë dhe tejet interesant me ekipet si Trepça, Prishtina e Ylli që do të forcohen shumë”, tha Gashi.
E si zakonisht, mobilizimin e menjëhershëm për edicionin e ri, ka kohë që e ka nisur edhe skuadra e Trepçës. Në krye të ekipit nga Mitrovica edicionin e ri do të jetë trajneri Adis Beqiragiq, i cili ka suksese të mëdha në basketbollin kosovar pasi ka fituar dy tituj kampioni me Yllin dhe një kupë me Pejën. Menjëherë pas Beqiragiqit, Trepça ka siguruar edhe shërbimet e vendorëve, si Valdrin Haxhiu, Mikaile Tmushiq, Drilon Hajrizi, Erjon Kastrati e Amin Hot. Mirëpo me kaq te Trepça nuk do të ndalen pasi do të synojnë edhe ndonjë vendor tjetër dhe pastaj të fokusohen tërësisht në lojtarët e huaj. Edicionin e shkuar Trepça luajti në katër finale, por i fitoi vetëm dy trofe. Triumfoi në Superkupën Mbarëkombëtare dhe Kupën e Kosovës, ndërsa pësoi në finalen e Superkupës së Kosovës dhe plejofit të Superligës. Edicionin e ri, te Trepça kanë pranuar se pa dyshim që synimi kryesor dhe i madh është titulli i kampionit, i cili i mungon ekipit nga Mitrovica prej vitit 2012. Edicionin e shkuar Trepça nuk bëri shumë ndryshime në lojtarë të huaj, sa i bëri në trajnerë. E nisi me Lubomir Minchevin, vazhdoi me Alek Jonçekvskin, pastaj me Engin Gençoglun dhe e mbylli me Ilir Selmanin.
“Edhe këtë herë ne kemi filluar herët mobilizimin për edicionin e ri. Pasi e kemi siguruar trajnerin, në radhët tona do t’i kemi edhe Erjon Kastratin, Drilon Hajrizin, Mikaile Tmushiqin, Amin Hotin e Valdrin Haxhiun. Po shikojmë edhe për opsione të tjera vendore dhe sigurisht se edhe të huajt do t’i marrim, por gjithçka do të shkojë në bashkëpunim me trajnerin. Edicionin e shkuar nuk patëm fat ta fitojmë titullin dhe po ashtu bëmë shumë ndërrime në trajner, kështu që këtë herë besoj se do të jemi shumë më stabil”, është shprehur drejtori sportiv i Trepçës, Besim Braha. “Kuptohet që synimi ynë kryesor edhe në edicionin e ri do të mbetet titulli i kampionit. Ne do të kompletohemi më herët dhe do t’i fillojmë përgatitjet me kohë, në mënyrë që të jemi sa më të gatshëm për edicionin e ri, që sigurisht se do të jetë më i fortë dhe më interesant se e fundit”.
Ndërkohë, edhe te Golden Eagle Ylli kanë paralajmëruar rikthim të fuqishëm në edicionin e ri. Edhe pse nuk do ta kenë trajnerin Adis Beqiragiq në krye të ekipit, zyrtarët e ekipit nga Suhareka kanë paralajmëruar se është vetëm çështje kohe përpara se të emërohet trajneri i ri. Kanë pranuar se ka kohë që janë në negociata me disa trajnerë, ndërsa sa u përket lojtarëve, të konfirmuar për edicionin e ri, janë kapiteni Gëzim Morina, fundori Valon Bunjaku dhe kroati Henrik Shirko. Kështu, ka insistuar drejtori i Yllit, Egzon Fetiu.
“Me të përfunduar edicioni aktual, ne kemi filluar te mendojmë dhe punojmë dhe përgatitemi për edicionin e ri. Gëzim Morina, Valon Bunjaku janë me kontrata dhe jemi në bisedime me disa vendorë të tjerë. Prej të huajve me kontratë është Henrik Shirko, ndërsa të tjerët do t’i angazhojmë pas ardhjes së trajnerit. Gjatë qershorit do të kompletohemi pasi së shpejti pritet ta zyrtarizojmë edhe trajnerin e ri. Jemi në bisedime me 3-4 trajnerë që janë nga Sllovenia, Bosnjë- Hercegovina e Lituania. Do të bëjmë përfundimisht ekip më të fortë se edicionin e fundit, pasi synojmë rikthimin e titullit dhe presim që gara të jetë shumë e fortë”, tha Fetiu.
Duarkryq nuk do të qëndrojë as Sigal Prishtina, ekip që edicionin e fundit triumfoi në Superkupën e Kosovës dhe është në kërkim të titullit që nga viti 2019. Madje, në klub insistojnë se me të gjithë lojtarët vendorë kanë kontrata valide, ndërsa synojnë t’i ndalin edhe të paktën tre të huaj. Sa i përket trajnerit, kjo çështje pritet të marrë fund brenda dy javësh.
“Sa u takon lojtarëve vendorë, të gjithë që i kemi pasur edicionin e shkuar, i kemi me kontrata valide edhe për periudhën e ardhshme. Ndërkohë, do të shohim mundësinë e disa lëvizjeve të tjera për ta përmirësuar edhe më shumë cilësinë e vendorëve. Prej të huajve, sipas të gjitha gjasave do t’i ndalim 2 ose 3 prej tyre dhe do të shohim se çka ofron tregu dhe cilat janë kërkesat e trajnerit. Çështja e trajnerit të ri presim që të definohet më së largu deri më 15 qershor”, ka thënë kryetari i Prishtinës, Blerand Stavileci.
Skuadrat nga qyteti i Prizrenit, Bashkimi dhe Ponte Prizreni, ende nuk kanë nisur të punojnë për edicionin e ri. Po ashtu, edhe te Vëllaznimi po presin që gjatë muajit të ardhshëm të fillojnë me mobilizimin dhe formimin e ekipit. Ndërsa pjesë e elitës në edicionin 2023/24 do të jetë edhe skuadra e Istogut.