Sport

Panairi shfrytëzohet për promovimin e ngjarjeve sportive

Numri i vizitorëve nuk ishte i madh të enjten pasdite në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë, ku ishte i hapur panairi ndërkombëtar i turizmit dhe sportit. Ky është edicioni i 19-të i këtij panairi, që do të jetë i hapur edhe gjatë ditës së premte.

Të enjten vizitorët jo të shumtë vinin të organizuar në grupe. Kryesisht ishin nxënës të shkollave publike apo private.

Pjesë e këtij panairi, krahas komunave, bizneseve e shkollave, ishte edhe Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) dhe disa federata e klube të ndryshme që promovuan sportin e Kosovës. KOK-u kishte përzgjedhur nëntë federata, ku në mesin e tyre ishin ajo e xhudos, basketbollit, hendbollit e volejbollit, që promovuan aktivitetin e tyre, me theks të veçantë organizimi i garave ndërkombëtare.

Për dallim prej federatave sportive, KOK-u në këndin e vet promovoi kandidaturën për organizimin e lojërave mesdhetare “Prishtina 2030”. Kjo ngjarje pritet të mbahet në Kosovë, që është vendi i vetëm që ka kandiduar për organizimin e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030.

Zëdhënësi i KOK-ut, Kushtrim Krasniqi, tha se ky panair ka qenë i mirëseardhur për promovimin e ngjarjeve të ndryshme ndërkombëtare që do të organizohen gjatë këtyre viteve nga federatat përkatëse në vendin tonë. Sipas tij, kjo vetëm ndihmon më shumë Kosovën që të tregohet si vend serioz për organizimin e ngjarjeve të mëdha sportive, siç janë Lojërat Mesdhetare. Krasniqi insiston se sporti e ka vendin në këtë panair pasi ka të bëjë edhe me promovimin e turizmit kosovar, duke pasur parasysh se shumë aktivitete mbahen në vende malore.

“Sporti dhe turizmi lidhen ngushtë njëra me tjetrën, prandaj edhe sporti është i pranishëm në këtë panair. Siç dihet një pjesë e federatave sportive aktivitetin e tyre e zhvillojnë kryesisht nëpër vendet malore, aty edhe ku promovohet turizmi. Mirëpo këtë herë, krahas KOK-ut, janë edhe 9 federata sportive, që përveç aktiviteteve në vendet malore janë federata sportive që gjatë këtij viti, por edhe viteve të ardhshme do të organizojnë gara ndërkombëtare ku vendin tonë pritet ta vizitojnë një numër i madh i sportistëve të huaj pjesëmarrës”, është shprehur Krasniqi. “Kur jemi te garat ndërkombëtare KOK-u është duke promovuar Lojëra Mesdhetare 2030, që pritet mbahen në vendin tonë, pasi jemi i vetmi shtet që kemi kandiduar për organizimin e këtyre lojërave. Natyrshëm që kjo lidhet me turizëm pasi vendin tonë pritet ta vizitojnë rreth 5.000 sportistë, mijëra turistë të ndryshëm nga 26 shtete pjesëmarrëse të Lojërave Mesdhetare, por gjithashtu edhe shumë zyrtarë e media të huaja që besoj se do ta promovojnë vendin tonë”.

Ndër ngjarjet sportive më me peshë që do të mbahen këtë vit në vendin tonë është Kampionati Evropian i xhudos. Federata e xhudos, krahas promovimit të kësaj ngjarjeje ka bërë edhe prezantimin e disa xhudisteve të reja duke bërë demonstrime para vizitorëve të panairit.

Pas ceremonisë hapëse të panairit, organizatori ka mbajtur edhe forumin për rëndësinë që ka Ligji për Sponsorizim në sportin e Kosovës.