Sport

Palestra në Istog ende në gjendje të tmerrshme, kuvendarët diskutojnë për emrin e saj

Palestra në Istog

Me një diskutim të gjatë për një temë të ndjeshme e me interes ka nisur punimet Kuvendi Komunal i Istogut të premten. Është diskutuar për emrin e palestrës së qytetit në Istog. Palestra njihet “si e qytetit”.

Janë përmendur emra dëshmorësh, që kanë dhënë jetën për lirinë e Kosovës. Emra që do të nderonin secilën palestër e objekt në Istog e në Kosovë.

Por gjendja aktuale e palestrës nuk përshtatet me diskutimin që u bë të premten nga përfaqësuesit e qytetarëve në Kuvendin e Komunës së Istogut. E edhe më pak me madhështinë e kontributin e figurave që u përmendën për t’ia vënë emrin palestrës.

Palestra e qytetit në Istog është si më keq. I ngjan një objekti të braktisur, gati të frikshëm. Në mes të palestrës është një mjet pune. Pak më tutje një karrige e rrëzuar e po ashtu një lloj shkalle e rrëzuar. Parketi është hequr, ndërsa hapësira ku do të duhej të ishin duke luajtur e ushtruar të rinjtë istogas është kryesisht e mbuluar me ujë. Në tribuna janë ende ulëset, por që po dëmtohen gjithnjë e më shumë. Vështirë se janë funksionale më. Kulmi është i hapur dhe shiu e bora depërtojnë brenda në objekt.

Natyrisht, palestra është e mbyllur për sportistët istogas. Istogasit mburren me sportin që kishin e që kanë. Ndër të tjera kanë klubin më të mirë të hendbollisteve në vend, që për tetë vjet rresht prezantohet në gara evropiane dhe disa herë ka kaluar kundërshtarë evropianë. Istogu ka një klub solid të basketbollit, që edicionin e kaluar luajti në Superligë. Ka klube edhe në sportet e tjera, si në karate për shembull. Por nuk ka palestër. Jo të gatshme të paktën. Dhe me rrjedhën momentale nuk do të ketë edhe për disa vjet.

Në tetor të vitit 2020 palestra në Istog ishte hapur për sportistë. Ishte hapur pa ndonjë pranim teknik dhe pa përfunduar të gjitha punët. Duket e pabesueshme, por ndërtimi i saj kishte zgjatur mbi një dekadë e gjysmë. Puna natyrisht nuk është bërë mirë dhe ndërprerjet e gjata në procesin e ndërtimit lanë pasoja.

Pas hapjes, palestra kishte telashe të shumta. Ka munguar mirëmbajtja dhe palestra mbeti e hapur vetëm dy vjet e gjysmë. Në muajt e parë të vitit të kaluar palestra u dëmtua shumë nga erërat e forta dhe ndërkohë u mbyll.

Në maj të vitit të kaluar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit u njoftua se janë ndarë 300 mijë euro për rinovimin e palestrës në Istog.

“Para pak ditësh me kryetarin e Komunës së Istogut kemi nënshkruar marrëveshje për rinovimin e palestrës në Istog. Rinovimi i saj arrin vlerën e 550 mijë eurove. Ministria ka ndarë 300 mijë euro, kurse Komuna do të ndajë 250 mijë euro nga buxheti i saj. Komuna do të marrë përsipër të gjitha kriteret dhe procedurat e hapjes së tenderit si dhe mbikëqyrjen e punimeve”, deklaronte ministri Hajrulla Çeku në majin e vitit 2023.

Në janar të këtij viti ministri Çeku kishte njoftuar për fillimin e punimeve në palestër. Në palestër është vënë një konstruksion i hekurit për vënien e kulmit. Mbulimi i plotë i palestrës dhe kryerja e të gjitha punëve duket shumë e largët.

Mbyllja e palestrës po ndikon shumë në sportin istogas.

“Jemi lodhur”, thotë Faruk Shala, trajner i klubit të hendbollit Istogu. Ky klub është kampion i Kosovës, ndërsa kaloi një ekip grek në Kupën Evropiane. Istogu ndeshjet si vendas i luan në Banjë të Pejës, ku i zhvillon edhe stërvitjet. Ndeshjet evropiane i luajti në Pejë e në Prishtinë, pasi palestra në Banjë nuk i plotëson as për së afërmi kushtet.

“Sikur palestra të ishte e hapur jemi të bindur se do ta kalonim edhe kundërshtarin e dytë evropian dhe do të shkonim shumë larg. Jemi të kënaqur që kemi kaluar një kundërshtar, por sikur të kishim kushtet e duhura edhe kundërshtari i dytë do të kalohej, që do të ishte sukses historik. Është ngarkesë gati e papërballueshme për ne si klub që të udhëtojmë çdo ditë për stërvitje e për ndeshje.  Edhe masoviteti është goditur rëndë nga kjo gjendje. Sporti në Istog, jo vetëm klubi ynë, po sfidohet shumë. Po bëhen dëme të pariparueshme. Për fat të keq kjo gjendje po zgjat mbi dy dekada. Edhe gjatë pak vjetëve sa palestra ishte e hapur, telashet ishin shumë të mëdha”, ka shtuar Shala.

Në diskutimin e gjatë  që u bë të premten në Kuvendin Komunal të Istogut askush nuk e përmendi gjendjen e tmerrshme të palestrës. U fol vetëm për emrin e saj. Kjo mund të jetë bërë me apo pa vetëdije. Por, gjendja e palestrës nuk i bën nder asnjërit prej atyre që folën për emrin e palestrës. Dëshmorëve që u përmendën jo se jo.

Trajneri Shala thotë se hapi i logjikshëm do të duhej të ishte rinovimi i plotë dhe cilësor i palestrës e më pas vënia e emrit.

“Personalitetet që u përmendën kanë vlera të pakrahasueshme dhe çmohen nga të gjithë. Por, që një objekt ta ketë emrin e tyre duhet që së pari ai të jetë në gjendje të dinjitetshme”, thotë Faruk Shala.