Orges Arifi vlerësohet prej sportistëve të përkushtuar, që nuk ka ndalur asnjëherë punën për të arritur në nivelin më të lartë të karatesë. Dhe këtë e arriti në Kampionatin Evropian që po mbahet në Zarë të Kroacisë.
Karateisti prishtinas, që prezanton Shqipërinsë, sot do të luftojë për medalje të artë evropiane. Do të paraqitet në finale të kategorisë deri 60 kilogramë. Përballë do ta ketë grekun Christos-Stefanos Xenos.
“Padyshim që medalja në nivel elitar është shpërblim për punën dhe mundin që e kam bërë me vite. Që nga fillimi qëllimi ishte që një ditë të fitoj medalje evropiane apo botërore. Qëllimi është i qartë. Ëndërr e imja gjithmonë ka qenë që një ditë të bëhem kampion Evrope apo bote dhe tani e kam mundësinë ta bëj ëndrrën realitet”, ka thënë Arifi për KOHËN.
Xenos është kampion aktual botëror dhe numri një në ranglistën botërore. Pra i nivelit më të lartë të mundshëm.
“Kundërshtarin e njoh shumë mirë, pasi kemi luftuar me të dhe gjithashtu kemi ushtruar bashkë. Por edhe ai më njeh shumë mirë mua”, ka theksuar Arifi, që është pjesë e një familjeje që ka dhënë shumë për karatenë kosovare për shumë e shumë vjet.
Arifi deri në finale ka kaluar karateistë nga Zvicra, Turqia, Çekia e Azerbajxhani.
“Gara ishte shumë e vështirë. Në Evropian janë garuesit më të mirë të kontinentit. Luftërat ishin shumë të forta. Lufta kryesore për mua ishte ndaj garuesit nga Turqia, Eray Samdan, nënkampionit olimpik, kampionit të shumëfishtë të Evropës, fituesit të Lojërave Evropiane e atyre Mesdhetare”, ka theksuar Arifi.
Ai po udhëhiqet në Evropian nga Fehmi Mahalla.
Bashkëpunimi me Mahallën i karateistëve nga Kosova vazhdimisht po del shumë i suksesshëm.