Sport

Një edicion për t’u harruar për Ponte Prizrenin

Ponte Prizreni

Prej edicionit 2018/19, kur u promovua në Superligën e Kosovës në basketboll, Ponte Prizreni është paraqitur vazhdimisht në garat e plejofit. Këtë edicion gjërat shkuan ndryshe për ekipin prizrenas, i cili jo vetëm që ka mbetur jashtë plejofit, por do të duhej të luante në plejaut për ta siguruar pjesëmarrjen në elitën e basketbollit kosovar në edicionin tjetër.

Te Ponte Prizreni pranojnë se ky mund të konsiderohet sezoni më i dobët në Superligë, por insistojnë se është një sinjal për kthim të fuqishëm edicionin tjetër. Sa i përket mbetjes në elitë, te Ponte Prizreni nuk e diskutojnë këtë. Në dy ndeshjet e plejautit Ponte do të përballet me Borën, ekip që doli nënkampion i Ligës së Parë.

Pjesën e rregullt të edicionit në Superligë, Ponte Prizreni e mbylli me tetë fitore e 20 humbje, duke përfunduar i parafundit në tabelë me 36 pikë të mbledhura. Prej dhjetorit skuadra është dashur të stërvitej jashtë Prizrenit dhe po ashtu të luajë si vendas nëpër qytetet e tjera, pasi palestra “Sezai Surroi” është në rinovim të tejzgjatur. Pos në Suharekë, Ponte Prizreni ndeshjet si vendas i ka luajtur edhe në Mitrovicë e Rahovec.

“Prej që jemi në Superligë, gjithmonë jemi paraqitur në plejof dhe kjo është hera e parë që do të luajmë në plejaut. Nuk e kemi pritur, por ky është sport dhe gjërat kanë mundur të shkonin edhe më keq duke rënë prej ligës. Sa i përket plejautit, synimi është t’i fitojmë dy ndeshjet për të sinjalizuar seriozitetin tonë dhe kthimin e fuqishëm që po e planifikojmë sezonin tjetër”, tha Arbnor Rifati, drejtor sportiv i klubit. “Edhe telashet me palestrën mund të them se patën ndikim pasi duhej të luanim gjithmonë si mysafir”. Rifati edicionin e nisi si trajner te Ponte Prizreni për t’u larguar më pas për shkaqe shëndetësore, duke kaluar në rolin e drejtorit sportiv. Për kampionatin tjetër, Rifati thotë se është gati për t’u kthyer në krye të ekipit, me të cilin deri këtë edicion rivalizoi të gjitha skuadrat. “Unë do të kthehem kampionatin tjetër si trajner dhe besoj në një rikthim të fuqishëm të Ponte Prizrenit. Do t’i analizojmë gjërat mirë dhe do të veprojmë në mënyrën më të mirë të mundshme”, është shprehur Rifati. “Ne prejse jemi pjesë e Superligës, kemi pasur buxhetin më të vogël por kemi arritur t’i rivalizojmë ekipet me buxhete të mëdha, madje duke fituar edhe trofe. Këtë sezon nuk ishte lehtë të matemi për nga buxheti, por sërish kemi pasur paraqitje të mira në përgjithësi”. Rifati thotë se për dallim prej sezoneve të shkuara kur bënin përforcime të mira me lojtarë të huaj, këtë edicion nuk janë treguar efikas. Thotë se kanë ndërruar shumë lojtarë, të cilët sërish nuk arritën ta dëshmonin veten në nivelin që iu kërkohej. “Deri këtë sezon kemi rivalizuar klubet e mëdha, falë mjeshtërisë dhe aftësisë sime për të gjetur lojtarët e duhur dhe kemi treguar paraqitje të mira. Këtë sezon bëmë shumë ndryshime dhe kjo na kushtoi. Megjithatë, ajo që më bën krenar është se si klub nuk e kemi asnjë obligim si ndaj lojtarëve ashtu edhe ndaj federatës apo dikujt tjetër. Edhe pse nuk kishim rezultate të mira, ne i kemi kryer të gjitha obligimet”. Suksesi më i madh i Ponte Prizrenit në basketbollin kosovar mbetet triumfi në Superkupën e Kosovës edicionin e shkuar. Duelin e parë të plejautit Ponte Prizreni do ta luajë të mërkurën mbrëma.